Futboll

Abazaj drejt Spanjës, gati të sfidojë Manajn dhe Baren

Kjo merkato dimri ende nuk i ka zgjidhur dilemat për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Kristal Abazaj. Sulmuesi 23-vjeçar ende nuk e ka zgjidhur çështjen se ku do e vazhdojë këtë sezon, pasi te klubi i tij Anderlehti nuk ka garanci aktivizimi. Klubi belg që prej muajit dhjetor ka hartuar një listë me futbollistët që do duhet të largohen ose huazohen gjatë këtij janari. Së bashku me Delkroiks, Dante, Dauda, Adziç, dhe Deuael, Kristal Abazaj nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Anderlehtit për vijimin e sezonit.

Nëse për një pjesë të mirë të futbollistëve të sipërpërmendur, drejtuesit e Anderlehtit do të kërkojnë zgjidhje të kontratës, ose shitje, për Abzajan diskutimi është i ndryshëm. Për futbollistin shqiptar gjigandët belg investuan një shumë të konsiderueshme në verën e shkuar dhe nuk do të dëshironin që ta çonin dëm. Anderlehti është i bindur në aftësitë e Abazajt, por dëshiron që t’i jap atij një mundësi të dytë për t’i dhënë kohë për t’u përshtatur më mirë me futbollin europian.

Nëse më herët ishte diskutuar për një huazim brenda superligës belge, kështu që Abazaj të gjente formën më të mirë fizike, por njëkohësisht edhe përshtatej me llojin e futbollin, dy ditët e fundit ka dalë të tjetër pistë në skenë. Bëhet fjalë për një mundësi që do e çonte Abazajn në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Më konkretisht është klubi që kërkon ngjitjen në La Liga, Kadiz, i cili paraqitet i interesuar për të marrë shërbimet e Kristal Abazajt. Nuk bëhet me dije formula e kalimit, por me siguri që Anderlehti nuk do të dëshironte të hiqte dorë aq lehtë nga sulmuesi shqiptar dhe alternativa më e mundshme pritet të jetë një huazim i thjesht deri në fund të sezonit.

Nëse do të kompletohej ky kalim i Abazaj në Spanjë, ai nuk do të ishte i vetëm në ligën e dytë spanjollë. 23-vjeçari ato do të gjente aty edhe dy futbollistët e tjerë të kombëtares, Rej Manaj, që luan me Albaseten dhe Kejdi Baren që aktivizohet me Malagën. Të treja ekipet luftojnë për t’u ngjitur në elitën e futbollit spanjoll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë