Nga Gazeta ‘Si’ – L’Année Napoléon (Viti i Napoleonit, me rastin e 200-vjetorit të vdekjes) në Francën e Emmanuel Macron të etur për ngjarje përkujtimore, kaloi me disa dritë-hije. Në vitin 2021, 2 shekuj pas vdekjes së perandorit në ishullin e Shën Helenës, pati shumë zhurmë nga grupime antikolonialistësh, për shkak të rikthimit të skllavërisë që imponoi ai në Inditë Perëndimore në vitet 1802-1804 (nën presionin e pronarëve lokalë të tokave).
Për këtë arsye u anuluan në heshtje ose u shtynë disa herë një sërë aktivitetesh të mëdha, që ishin parashikuar për atë përvjetor jubilar. Pas pandemisë së Covid-19, dhe 1 vit para fushatës për zgjedhjet presidenciale, Macron e ndjeu se duhej të shmangej me kujdes çdo polemikë e panevojshme.
Regjisori i famshëm Ridley Scott dhe filmi i tij “Napoleoni”, nxiti shumë historianë, politikanë, gazetarë, ushtarakë etj të ngriheshin kundër asaj që shihet kryesisht këtu në Francë si një sulm kundër sundimtarit dhe gjeniut ushtarak më të famshëm të Francës.
I nxitur nga ky prodhim kinematografik, ne po e përjetojmë de fakto “L’Année Napoléon” 2 vjet me vonesë, dhe po shijojmë çdo moment të tij. “Napoléon, c’est le film d’un Anglais très antifrançais (Napoleoni është një film i realizuar nga një anglez anti-francez)“, shkroi historiani Patrice Gueniffey në “Le Point”, përpara se të angazhohej në një ushtrim të përpiktë të kontrollit të fakteve.
Ndërkohë edhe Instituti Napoleon ka protestuar, duke parashtruar dhjetëra detaje sesi portretizimi i perandorit nga aktori Joaquin Phoenix është i gabuar. “Është më keq se një film i dobët, Ridley Scott e ka përdhosur Napoleonin “- shkroi në të përditshmen “Le Figaro” profesori i studimeve të medias në universitetin Sciences Po, Romain Marsily.
Për një vend që supozohet se gjendet në grahmat e errësirës ekzistenciale dhe të vetë-dyshimit mazokist, një sulm i perceptuar si dashakeq nga të huajt ’gjakatarë’ ndaj një legjende kombëtare, bën bashkë shumë prej nesh. Një sondazh i kohëve të fundit, tregoi se vetëm 3 për qind e francezëve përmendin rivendosjen e skllavërisë në Inditë Perëndimore në vlerësimin e tyre për “vendimet më të këqija” të karrierës së Napoleonit.
Duke lënë mënjanë shtetin policor që trashëgoi Franca nga Komiteti i Revolucionit për Sigurinë Publike, arritjet e para të Napoleonit që lavdërohen francezët janë reformat legjislative dhe administrative, të cilat u bazuan tek e ligjet më të mira romake, centralizmi dhe ekonomia e komanduar e Louis XIV, filozofia e Iluminizmit, dhe arritjet e Revolucionit mbi ndërtimin e kombit në themele të qëndrueshme.
U deshën 4 vjet – nga vitit 1800 deri në 1804 – që të shkruheshin dhe bëheshin bashkë 2281 nenet e Kodit Civil, kryesisht nën kujdesin e vetë Konsullit të Parë, siç njihej në atë kohë (Bonaparti drejtoi 55 nga 107 sesionet e shkrimit të versioni përfundimtar të kodit).
Ajo punë voluminoze , la po aq sa pushtimet e tij një gjurmë të pashlyeshme në ligjin e vendeve të ndryshme, nga Luiziana në SHBA dhe Bolivia në Amerikën e Jugut, deri në Bavari dhe Poloni. Ndikimin e kodit të Napoleonit e gjeni në Kodin Civil Japonez të vitit 1898, në Ligjin Egjiptian, në Kodin e ri Turk të Mustafa Kemal Ataturkut.
Gjysmë shekulli para Bismarkut, lindja e Gjermanisë moderne u lehtësua nga shpërbërja e ligjeve dhe rregulloreve mesjetare si dhe shpronësimi “alla revolucionar”, i kishave dhe pronarëve aristokratë të tokave. Për të krijuar një ide mbi frikën e përzier me respekt që ngjallte Napoleoni tek bashkëkohësit e tij, mjafton të lexoni se çfarë shkruanin për të armiqtë e tij.
“Bonaparti ishte një poet në veprim, një gjeni i jashtëzakonshëm në luftë, një administrator i palodhur, i zoti dhe i arsyeshëm, një ligjvënës punëtor dhe i arsyeshëm. Prandaj ai ka një ndikim kaq të madh në imagjinatën e njerëzve-” shkruante Chateaubriand, një monarkist i përjetshëm, sulmet e rregullta të të cilit në “Le Mercure de France”, nuk lanë askënd të dyshonte mbi përbuzjen që ai kishte në fakt ndaj Bonapartit.
Ose kujtojmë rreshtat e hapjes së romanit “Manastiri i Parmës” i Stendalit, të shkruara nga këndvështrimi i qytet-shteteve italiane të pushtuara nga francezët: ”Më 15 maj 1796, gjenerali Bonapart hyri në Milano në krye të asaj ushtrie të re që kishte kaluar kohët e fundit në urën Lodi, dhe që e i mësoi botës se pas kaq shumë shekujsh Cezari dhe Aleksandri e patën një pasardhës. Mrekullitë e trimërisë dhe gjenialitetit që kishte treguar në pak muaj, zgjuan një komb të përgjumur”.
Koncepti i lavdisë, i cili është zhdukur nga bota jonë moderne, i përket këtu triumfit të gjeneralit romak, ritregimit të Iliadës, tregimeve të Kryqtarëve, të cilat ishin pjesë e edukimit të rregullt të njerëzve për shumë shekuj. Ndaj francezët do të flasin për fitoret e Napoleonit, por më e rëndësishmja edhe për disfatat e tij që u bënë po aq pjesë e mitit të tij.
Nga tërheqja nga Rusia tek vetmia e madhe në një ishull të vogël në Atlantikun e Jugut, që të gjitha ngjarjet kombinohen midis tyre për të krijuar epikë dhe tragjedi. Projekti Bonapartist, që do të ndikonte mbi politikën franceze deri në ditët tona, u botua në vitin 1823, kur konti Emmanuel de Las Cases botoi në 8 vëllime kujtimet e Napeoleonit, të diktuara prej vetë atij në momentet e fundit të jetës.
Le Mémorial de Sainte-Hélène (Kujtimet nga Shën Helena), mbron parimet e një regjimi autoritar të bazuar tek institucionet demokratike, me zgjedhje dhe një shtet të centralizuar. Edhe Charles De Gaulle po i rilexonte ato kur nisi të shkruante kujtimet e tij, dhe ndikimi i atij testamenti është shumë i fortë edhe në Kushtetutën e Republikës së Pestë.
Por nga Balzaku te Victor Hugo, ajo që dominon është kujtesa e shtrembëruar e viteve të Napoleonit, kur herë pas here Franca nis të ëndërrojë për të pasur në krye një udhëheqës autoritar dhe të ndritur. Atëherë, ashtu si sot, dëshira për një sundimtar që do të tejkalonte mediokritetin e perceptuar të kohës, e bënte jo tërheqës kompromisin.
Bonapartizmi, është para së gjithash një iluzion se zgjidhjet më të mira, janë ato më të thjeshtat.
Por moderniteti dhe besimi tek institucionet e forta, kanë nënkuptuar më së shumti se ne fraancezët e eksportonim më shumë Bonapartizmin sesa ta praktikonim vetë atë. Emmanuel Macron është lideri më Bonapartist i dekadave të fundit.
Në uzurpimin e sa më shumë pushteti, tradhtinë ndaj aleatëve të tij të hershëm, refuzimin për t’i qenë borxhli kujtdo dhe shkatërrimin e partive të vjetra politike, ai kishte mënyrën, në mos edhe frymëzimin e Napoleonit. I zgjedhur 7 vjet më parë si i panjohuri që do ta bënte të dukej e vjetëruar politikën e zakonshme, ‘njeriu i fatit’ që mori pushtetin pas një fushate brilante, përballet tani me një rrëzim poshtërues, të ngjashëm me shumë me rënien e Napoleonit III, sesa me fundin e Bonapartit të madh në Shën Helenë.
Duke e ngatërruar mikromenaxhimin me diktimin e detajeve, dhe duke zgjedhur si ministra klone të zbehta të vetes, Macron u përpoq të kompensonte mungesën e popullaritetit të brendshëm me nisma madhështore ndërkombëtare, që u shtrinë nga Kievi në Jerusalem,duke arritur të përbuzet nga trupi diplomatik, policia por edhe ushtria franceze.
Tre vitet e fundit të presidencës së tij, do të jenë ato të një “rose të çalë”. Ndërsa e nisa këtë shkrim me debatin mbi saktësinë e fakteve historike, mund të them se Macron e është përballur tashmë me Vaterlonë e tij.
Burimi: UnHerd/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.