Nga Gazeta ‘Si’– Dështimin e tij për të takuar presidentin amerikan Donald Trump, kreu i shtetit serb Aleksandar Vuçiç ‘e justifikoi’ me një sëmundje të papritur, e cila e detyroi në fundjavë, sipas ndihmësve të tij, që të kthehej me urgjencë në Beograd.
Megjithatë, duke komentuar kthimin e beftë të Vuçiçit, ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviç u shpreh se në fakt, Vuçiçit sipas tij, iu anulua takimi me Trump-in.
Ai tha se presidenti i Serbisë nuk kishte llogaritur siç duhet ndikimin e veprimeve të tij (Vuçiç ka deklaruar më herët se do marrë pjesë në paradën e organizuar nga Putin me 9 maj edhe pse Europa është shprehur kundër) dhe për pasojë, shefja e kabinetit të Trump i ndaloi hyrjen në kompleksin në Florida, pavarësisht se ai kishte paguar për të qenë aty.
“Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump janë më të fokusuar në raportin personal me Putinin. Vuçiç nuk mund të përdorë një foto me Trumpin si mjet për të zgjidhur çështjet e brendshme në Serbi. Ai shpresonte që, me një fotografi në Florida, të zbuste presionin nga Europa dhe të siguronte rrugën drejt Moskës. Por, duke u përpjekur të pozicionohej mes Trumpit dhe Putinit, ai ia zuri vendin Trumpit si figura udhëheqëse përballë Europës”, mësohet të ketë thënë Vujoviç.
Dhe njeriu që frenoi këto plane të Vuçiçit, është e sprovuar në lojërat e pushtetit. Susie Wiles ka drejtuar për gati 10 vjet firmën lobuese Ballard Partners në Tallahassee.
Ajo është gruaja e parë në historinë e SHBA-së që është emëruar si shefe e kabinetit të presidentit amerikan dhe konsiderohet person i besuar i tij.
Vetë Trumpi e ka pohuar publikisht se Wiles e ndihmoi të realizonte atë që ai e përshkroi “si një nga fitoret më të mëdha politike në historinë e SHBA-së dhe ka qenë pjesë thelbësore e fushatave të tij të suksesshme në 2016 dhe 2020”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.