Keshilla

A u bën dëm çokollata e zezë fëmijëve

Çokollata e zezë ka pak sheqer, ka plot antioksidantë dhe është e mirë për zemrën dhe trurin tuaj. Këto përfitime shëndetësore janë dhe arsyeja pse një e treta e të rriturve thonë se është çokollata e tyre e preferuar, duke ua dhënë edhe fëmijëve pikërisht sepse mendojnë këto përfitime.

Por pediatrit dhe nutricionistët thonë se ka disa gjëra që duhet të dini përpara se t’u jepni çokollatë të zezë të vegjëlve tuaj.

“Unë rekomandoj që fëmija të mos hajë çokollatë të zezë me tepricë dhe ta shmangë para gjumit”, thotë Amy Reed, dietologe.

Arsyeja kryesore është se çokollata e zezë përmban kafeinë, shpjegoi ajo.

Ndërsa nuk ka asnjë të keqe për shumicën e fëmijëve që të hanë pak çokollatë të zezë (dhe çdo lloj tjetër çokollate), moderimi është thelbësor, shpjegoi Anet Piridzhanyan, dietologe.

“Të gjitha ushqimet, përfshirë karamelet, kanë një vend në tryezë,” tha ajo.

Sa kafeinë ka në çokollatën e zezë dhe a është shumë për fëmijët?

Një çokollatë e zezë me 60-69% kakao përmban 24 mg kafeinë, sipas Departamentit Amerikan të Ushqimit. Kjo është pothuajse e njëjta sasi si një çerek filxhan kafeje, thotë Beth Natt, pediatre.

“Copat e çokollatave mund të sjellin efekte anësore të ngjashme me ato që përjetojnë të rriturit kur kanë marrë shumë kafeinë: vështirësi për të fjetur, ankth, diarre, të vjella dhe rritje të rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut”.

Si një stimulues, kafeina shpesh ka një ndikim më të madh tek fëmijët sesa tek të rriturit dhe prandaj ekspertët rekomandojnë që fëmijët të shmangin kafeinën.

Sipas agjencive, këtu janë kufijtë e shëndetshëm ditor të kafeinës sipas moshës:

Fëmijët 4-6 vjeç: më pak se 45 mg

Fëmijët 7-9 vjeç: më pak se 62.5 mg

Fëmijët 10-12 vjeç: më pak se 85 mg

Fëmijët 13 vjeç e lart: më pak se 2.5 mg për kilogram të peshës trupore

Të rriturit: më pak se 400 mg

“Nëse një fëmijë ha çokollatë të zezë me tepricë, atëherë ai mund të jetë duke konsumuar sasi të tepërta të kafeinës”, thotë Natt.

Me shumë mundësi, ata nuk po marrin të gjithë kafeinën e tyre nga çokollata e zezë pasi pijet me gaz, pijet energjike dhe ëmbëlsira të tjera përmbajnë gjithashtu kafeinë.

A përmban çokollata e zezë metale të rënda?

Në vitin 2023, Consumer Reports publikoi një raport ku thuhej se disa produkte të çokollatës së zezë mund të përmbajnë nivele të dëmshme të metaleve të rënda të plumbit dhe kadmiumit.

Megjithatë, një studim i vitit 2024 i botuar në Food Research International zbuloi se konsumimi i rreth 30 gram çokollatë të zezë çdo ditë nuk përbënte rreziqe negative për të rriturit dhe vetëm një shqetësim të vogël për kadmiumin për fëmijët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë