Teater

‘A shqetësohet teatri për njeriun që manipulohet nga politika, ekonomia, dhe media’

Nga Gazeta “SI”– Dita Botërore e Teatrit u iniciua në vitin 1961 nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit. Kjo ditë celebrohet çdo vit më 27 mars nga qendrat e ITI dhe komuniteti ndërkombëtar i teatrit. Për të shënuar këtë rast, organizohen ngjarje të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare teatrale.

Një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj dite është Mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit, ku, me ftesë të ITI-së, një figurë me ndikim global ndan reflektimet e tij ose të saj mbi temën e teatrit dhe kulturës së paqes. Mesazhi i parë u shkrua nga Jean Cocteau në vitin 1962.

Këtë vit mesazhi u dha nga rregjisori grek  Teodoros Terzoupulos , njëkohësisht dhe themelues i teatrit privat “Attis” në Athinë i cili e vuri theksin mbi varfërinë, izolimin që shkakton realiteti virtual dhe pasojat shkatërruese mbi mjedisin.

“A mund ta dëgjojë teatrin thirrjen për ndihmë që lëshon koha jonë, në këtë botë qytetarësh të varfëruar, të izoluar në qelitë e realitetit virtual, të zhytur thellë në privatësinë e tyre mbytëse? Në një botë me ekzistenca të robotizuara në brendësi të një sistemi kontrolli totalitar e shtypjeje në të gjitha fushat e jetës?

A shqetësohet teatri për shkatërrimin ekologjik, për ngrohjen globale, për humbjen në masë të biodiversitetit, për ndotjen e oqeaneve, për shkrirjen e akullnajave, për zjarret gjithmonë e më të shpeshta në pyje dhe për sjelljet ekstreme të motit? A mund të bëhet teatri një pjesë aktive e ekosistemit? Teatri e ka parë për vite me radhë ndikimin e njeriut mbi planetin, por duket ta ketë të vështirë të përballet me këtë problem”

Teodoros Terzoupulos

Terzopoulos ngre dhe shqetësime të tjera të pushtetit i cili çdo ditë e më shumë po shndërrohet në shtypës dhe thekson se teatri është ilaç mbi plagët e kohës sonë.

“A shqetësohet teatri për gjendjen e njeriut si një krijesë që po shndërrohet në shekullin XXI, ku qytetari manipulohet nga interesat politike dhe ekonomike, nga rrjetet mediatike dhe kompanitë që ndikojnë mbi krijimin e opinionit? Ku mediat sociale, sado që duket sikur e lehtësojnë, mbeten alibia më e madhe ndaj komunikimit, sepse ofrojnë distancën e nevojshme për të qenë i sigurt nga tjetri?

Një ndjenjë e kudogjendur frike ndaj tjetrit, të ndryshmit, të huajit mbizotëron mendimet dhe veprimet tona. A mund të jetë teatri një punëtori për bashkëjetesën e të ndryshmeve, pa marrë parasysh plagën që rrjedh gjak? Plaga që rrjedh gjak na fton të rindërtojmë mitin. Dhe, ashtu siç thotë Hajner Myleri: “Miti është një përmbledhje, një makineri së cilës mund t’i bashkëlidhen në çdo kohë makineri të reja dhe të ndryshme. Ai transporton energjinë deri sa shpejtësia që sa vjen e rritet, do ta shpërthejë fushën kulturore”, dhe unë do të shtoja, edhe fushën e barbarisë.

A mundet që projektorët e teatrit të hedhin dritë mbi traumën shoqërore dhe ta ndalin ndriçimin mashtrues hedhur mbi veten? Na nevojiten mënyra të reja narrative që të na kultivojnë kujtesën dhe të na formojnë një përgjegjësi të re morale dhe politike, në mënyrë që të mund të dalim nga diktatura shumëformëshe e kësaj mesjete të ditëve të sotme” mbyll deklaratën e tij rregjisori grek.

 “Nata e Këshëndellave” nga Leonardo De Martino, teksti i parë dramatik

Sipas  “Bibibliografia e Dramës së Botuar Shqipe 1883-2017” me autorë  Erenestina Gjergji Halili dhe Orland Novaku teksti i parë dramatik në dorëshkrim i konceptuar si një tekst liturgjik, nga Leonardo De Martino, daton në vitin 1880, titulluar “Nata e Këshëndellave“, vënë në skenë në Shkodër.

Një tjetër tekst (edhe ky dorëshkrim), është ai i Pashko Babit, me titull “Biri i çifutit”, shfaqur nga Kolegji Saverian në 1882 në Shkodër gjithashtu.”Emira “e Anton Santorit, (akti i parë botuar në 1883,  gazeta “Fjamuri i Arbërit” nga De Rada. 

Autori i parë i dramës shqipe në Kosovë, paraqitet Josip Rela, arbëresh nga Zara e Kroacisë, me dramat; “Pengëtarët” 1918, “Lundërzat e Jozhës “1919 dhe “Sot tetë ditë” 1932.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë