Ushqim

A shkaktojnë çokollatat e Dubait kancer? Përmbajnë kimikate kancerogjene, vaj palme dhe toksina nga myku

Pak ushqime në vitet e fundit kanë shkaktuar një bujë globale sa çokollata e njohur e Dubait.

Një produkt i ëmbël i cili gjeti famë në rrjetet sociale vitin e kaluar, përmban një përzierje të fëstëkut dhe kadaifit.

E njohur gjithashtu si ‘Can’t Get Knafeh Of It’, ajo u krijua nga Sarah Hamouda, britaniko-egjiptiane, si një ‘snack’ gjatë shtatzënisë.

Dhe pasi u bë e preferuar, të gjithë po kërkojnë ta blejnë dhe kjo ka sjellë një mungesë të saj në të gjithë botën.

Megjithatë, duket se kjo po çon në një treg të zi të çokollatës, pasi prodhuesit po prodhojnë çokollatën me çmime të lira por edhe me produkte të lira.

Sipas një hetimi në Gjermani, çokollatat e Dubait të importuara nga Lindja e Mesme janë të mbushura me aditivë dhe ndotës.

Këtu përfshihen vaji i palmës, ngjyrat ushqimore, toksinat e mykut dhe madje edhe komponimet kimike që mendohen të jenë kancerogjene.

Pas vëmendjes virale të çokollatës vitin e kaluar, ekspertët testuan tetë mostra të importuara të çokollatës së kopjuar Dubai, pesë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tre nga Turqia.

Në mostra u gjet vaj palme dhe prania e tij në këtë çokollatë shkaktoi formimin e 3-MCPD, një përbërës i rrezikshëm që cilësohet si kancerogjen tek njerëzit.

Në total, gjashtë nga tetë mostrat përmbanin 3-MCPD, i cili formohet kryesisht gjatë rafinimit të yndyrave bimore dhe vajrave si vaji i palmës.

Pesë nga këto të gjashta, të gjitha nga i njëjti prodhues në Emiratet e Bashkuara Arabe, përmbanin 3-MCPD mbi nivelet maksimale që përgjithësisht konsiderohen të sigurta dhe kështu u konsideruan ‘të papërshtatshme për konsum’.

Ndërkohë, ekipi gjeti gjithashtu toksina myku, kryesisht aflatoksina të cilat konsiderohen gjithashtu një kancerogjen.

Aflatoksinat janë toksina natyrale të prodhuara, ndër të tjera, nga myku Aspergillus flavus shpesh gjatë korrjes dhe ruajtjes së kulturave bujqësore, përfshirë fistikët.

Në mënyrë shqetësuese, aflatoksinat janë ‘të pazbulueshme nga era ose shija’ në produktin përfundimtar që do të thotë se konsumatorët nuk e dinë se po i konsumojnë ato.

Pothuajse të gjitha produktet e analizuara kishin gjithashtu ngjyra ushqimore E140 ose E141 për t’i dhënë mbushjes një nuancë më intensive të gjelbër dhe ‘të simulonin një përmbajtje më të lartë fëstëku’, tha autoriteti në një deklaratë.

Për veshjen me çokollatë, në pesë nga mostrat u pa se janë përdorur zëvendësues me cilësi të dobët në vend të gjalpit të kakaos, duke përfshirë vajin e lulediellit dhe vajin e palmës.

Sipas një direktive të BE-së për kakaon dhe produktet e kakaos, një produkt duhet të përmbajë gjalpë kakao për t’u konsideruar çokollatë.

Tronditëse ishte se gjalpi i kakaos renditej në listën e përbërësve, edhe pse nuk ishte fare i përfshirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë