Mode

A shënon vdekja e Valentinos fundin e ‘Made in Italy’?

Nga Gazeta Si- Valentino Garavani, si stilist dhe si biznesmen, ishte një nga figurat e pakta të mbetura që hapën rrugën për epokën e artë të modës italiane, e cila përcaktoi luksin global. Vdekja e tij ngre pyetjen nëse modeli i modës “Made in Italy” mund të lulëzojë në një treg global në ndryshim.

Për shumë njerëz, vdekja e “Perandorit të Fundit” shihet si fundi natyror i një brezi të tërë stilistësh mode. Vetëm pak muaj më parë, vdiq Giorgio Armani, një tjetër gjeni italian tashmë i hmubur.

Paola Fendi është anëtarja e fundit e mbetur e një grupi krijuesish që e bënë stilin italian të njohur në të gjithë botën. Ai përfshinte emra të tillë si Gianni Versace, Moschino, Missoni dhe shumë të tjerë.

Fundi i viteve ‘80, i njohur edhe për “bumin” ekonomik të Italisë, ishte epoka e artë e të ashtuquajturave markave të modës “Made in Italy”. Milano ishte vendi i nxehtë, të gjithë donin të visheshin atje dhe asnjë nga shtëpitë më të mëdha të modës nuk ishte blerë ende nga investitorë të huaj.

Çfarë duhet të bëjmë me faktin se ky brez ka marrë fund? A ka mbaruar përsosmëria “italiane” në modë dhe çfarë e pret të ardhmen?

Sipas Carlo Fei, konsulent ndërkombëtar në strategjinë e markave dhe profesor në Universitetin Luiss ku ai jep mësim në industritë e Modës, nuk ka arsye për panik.

“Çështja nuk është nëse një markë është italiane apo jo, por më tepër aftësia për të kuptuar se si funksionojnë tregjet”, tha ai për Euroneës.

“Nuk mendoj se vdekja e këtyre figurave ikonike do të përcaktojë fundin e markës Made in Italy, veçanërisht në modë”, tha ai. “Dhe nuk e besoj narrativën sipas së cilës, fakti që disa nga këto shtëpi mode janë blerë nga investitorë të huaj dobëson atraktivitetin e markave italiane”.

‘Stili duhet të zgjasë dhe të mos i bindet trendeve sezonale’

Fei beson se kjo ka më shumë të bëjë me mënyrën se si menaxhohet një markë mode.

“Tregu i luksit personal vlen 360 miliardë euro dhe duhet të mbrohet”, shtoi ai. “Valentino ishte një vizionar që e kuptoi që në fillim se stili duhet të zgjasë dhe nuk iu bind trendeve sezonale. Popullariteti i veshjeve të dorës së dytë këto ditë është provë e kësaj”.

Sipas ekspertit të modës, kryqëzimi midis investimeve të huaja dhe markave italiane “është një skenar fitimprurës për të dyja palët”.

“Ata kanë mbështetur markat në një kohë krize. Grupet e mëdha franceze ndihmuan disa marka italiane të rriteshin. Ata nuk do të kishin qenë në gjendje ta bënin këtë vetë”.

Një raport nga Istituto Marangoni i vitit 2024 konfirmoi se, pavarësisht pasigurisë gjeopolitike, grupet italiane si Prada dhe Moncler i tejkaluan gjigantët francezë si Lvmh dhe Kering.

“Ka kaq shumë marka italiane që ende po ecin shkëlqyeshëm”. Tha Fei. “Merrni Prada, Brunello Cucinelli, Moncler dhe Tod’s, por nuk ka rëndësi se kush e zotëron markën, gjithçka varet nga mënyra se si po menaxhohen”.

Industria e modës sigurisht që ka ndryshuar që nga kulmi i modës italiane, kërkesat e klientëve nuk janë më të njëjta dhe tregu po evoluon me shpejtësi.

“Në një klimë të tillë, ku besueshmëria e një marke ka më shumë rëndësi sesa një shfaqje e thjeshtë, ata që kuptojnë se si t’i shohin ndryshimet e tilla do të rriten. Kompanitë që kanë përfituar nga shitja nën etiketën Made in Italy duhet të jenë gjithashtu ato që e mbrojnë atë”, përfundoi Fei.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë