Analize

A po trajtohet Shqipëria si ekspozitë arkitekture ku jetojnë zombi?!

Nga Gazeta ‘SI’ – Në Shqipëri ka kohë që flitet për ndërtimin e godinave të bukura, por jo për leverdinë e tyre ekonomike. Dhjetra shumëkatëshe janë miratuar dhe disa prej tyre tashmë kanë kapur retë me forma të ndryshme, por askush nuk pyet për ndikimin që këto projekte kanë në jetën e përditshme të qytetarëve, në pasurinë e tyre apo në mundësinë për të blerë një banesë. Arkitektura e bukur po shndërrohet në një armë vizuale që imponon energji dhe imazh, por nuk sjell përfitime reale.

Ka ardhur koha të shtrohen pyetje të forta, pa u ndikuar nga imazhi i shfrenuar që disa arkitektë po japin, duke nxjerrë Shqipërinë jashtë kontekstit të vërtetë ekonomik. Ky fenomen tregon se arkitektura po vret – jo fizikisht, por mendërisht dhe ekonomikisht, duke konsumuar pasurinë, energjinë dhe ambiciet e qytetarëve.

Revolucioni urban artistik i Ramës vs të tjerëve

Kryeministri Edi Rama ka udhëhequr personalisht këtë revolucion urbanistik, që është për tu admiruar nga forma, por jo për funksion real. Pak ditë më parë ai deklaroi:
“Për një vend si Shqipëria, arkitektura e mirë është një prani frymëzuese, është një burim energjie shtesë për shoqërinë dhe për mënyrën se si e parashikojmë të ardhmen tonë.”

Mirëpo, kryeministri kritikat i sheh vetëm në aspektin e dyshimit, që ngrihen për ndoshta pastrim parash nga aktivitete kriminale etj. “Këta njerëz që bëjnë këto komente janë prodhues kokoshkash. Ata thjesht bëjnë kokoshka për njerëzit që shkojnë në film, dhe një ditë më pas ajo që mbetet është filmi, jo kokoshka”-tha Rama

I kënaqur për numrin e arkitektëve me famë ndërkombëtare që punojnë në Shqipëri, Rama është optimist se vendi ynë do të ketë yllin e tij në arkitekturë shumë shpejt.

Mirpo kokoshkat nuk prodhohen vetëm nga kundërshtarët, por nga vetë arkitektët, të cilët po zhveshin projektet nga funksioni dhe dobia reale për qytetarët.

Pak kohë më parë, arkitekti zviceran Christian Kerez krahasoi Shqipërinë me Kinën e fillimit të viteve 2000, duke thënë: “Ndjen një energji dhe vitalitet, që nuk është abstrakte, por mund ta ndjesh në jetën e përditshme.” Kerez po punon në ndërtimin e kullës “Sima”, në zonën e Selitës në kryeqytet, 27 kate.

Kokoshkat e arkitektit

Një ekonomist nuk mund ta falë këtë krahasim, sepse është një miopi e pastër që e sheh arkitekturën të shkëputur: Kina zhvilloi arkitekturën dhe ndërtimin për shkak të një baze ekonomike të fuqishme, jo anasjelltas. Kina e asaj kohe kishte PBB nominale prej rreth 1.2 trilion dollarë dhe rritje vjetore 8–11%, dhe ishte në një cikël industrial dhe eksportues masiv. Shqipëria sot ka PBB nominale prej 26 miliardë dollarë dhe rritje ekonomike 3.9%, pa baza industriale apo eksportuese për të mbështetur urbanizimin e shpejtë. Arkitektura shqiptare po zhvillohet pa kontekstin ekonomik dhe social të Kinës, duke e bërë energjinë vizuale një “vrimë” që konsumon burime, por nuk kthen mirëqenie.

Në fillim të viteve 2000, Kina krijonte 7.5–8 milion vende pune çdo vit, dhe papunësia urbane ishte vetëm rreth 4%. Shqipëria, në kontrast, ka një treg pune të fragmentuar, ku 40% e të punësuarve nuk marrin pagë formale, dhe shumë të rinj detyrohen të emigrojnë për të gjetur punë, ndërsa 84% e emigracionit lidhet me arsye pune. Dyfish i Kinës janë shqiptarë të papunë. Ndërsa Kina përdori ndërtimin për të fuqizuar njerëzit dhe ekonominë, Shqipëria po sheh ndërtesa ikonike pa krijuar mundësi reale për qytetarët. Kjo është arsyeja pse arkitektura krijon imazh, por zhduk mundësitë reale.

Barcelona Tower nga agjencia spanjolle  Bofill Taller de Arquitectura

Çmimet e apartamenteve dhe fuqia blerëse

Një nga pasojat më të dukshme të urbanizimit vizual në Shqipëri është ndryshimi i çmimeve të pasurive të paluajtshme. Sipas Numbeo 2025, një familje mesatare shqiptare duhet të punojë 16.3 vite të ardhura mesatare për të blerë një apartament mesatar, ndërsa në Tiranë kjo shkon deri në 18 vite. Krahasuar me vendet e rajonit, në Maqedoninë e Veriut duhen 12.5 vite, dhe në Europën Perëndimore, qytete si Brukseli kërkojnë 6.5 vite, Vjena 11.1 vite dhe Zyrihu 12 vite. Fuqia blerëse e shqiptarëve nuk mbështet këto projekte, dhe arkitektura e bukur po kthen ëndrrën e pronësisë në një makth të paarritshëm. Shqipëria mbetet ndër vendet e fundit të Europës dhe botës, për aftësinë paguese të popullsisë së saj. FMN e rendit në vendin e 85-të, në botë për të ardhurat për frymë dhe fuqinë blerëse.

Kubi i Bllokut, Stefano Boeri

Pasojat e urbanizimit vizual

Sipas ekspertëve, ndërtesat ikonike kërkojnë kosto të larta mirëmbajtjeje, ndërsa infrastruktura, hapësirat e gjelbra dhe transporti publik mbeten të papërfunduara. Urbanizimi i bazuar mbi pamje konsumon energjinë qytetare dhe financiare, duke e bërë jetesën më të vështirë dhe qytetin më pak funksional. Ndërsa turizmi sezonal dhe punësimi i përkohshëm mund të sjellë pak fitime, ai nuk kompenson pasojat e humbjes së mundësive për qytetarët vendas.

A nuk është Tirana e sotme me mjaft trafik, pak hapësira urbane të përbashkëta, kosto të larta parkimi, pamundësi reale në rimodelimin e rrjeteve elektrike dhe hidrike etj., pikërisht sinteza e këtyre pasojave?

Kur arkitektura të vret

Në vend që të krijohen qytetet që rrisin mirëqenie dhe zhvillojnë kapacitete njerëzore, Shqipëria po kthehet në një “ekspozitë vizuale”, ku energjia dhe ideja e qytetarëve shpërndahet në forma që nuk kanë kuptim për jetën e përditshme. Nëse ky trend vazhdon, Shqipëria nuk do të jetë vetëm pas ekonomikisht, por edhe pas mendërisht. Arkitektura për pamje po “shkrin” energjinë, idetë dhe ambiciet e qytetarëve, duke i kthyer ata në zombi urbanë, spektatorë të vendit të tyre.

Hora vertikale nga OODA

Sa për fillim debati

Për të shmangur një krizë urbanistike që ka nisur dhe për të kthyer energjinë e qytetarëve në zhvillim real, Shqipëria ka nevojë për arkitektë që kuptojnë ekonominë dhe ndikimin e projektit mbi jetën e përditshme. Projekte të vogla, të fleksibël dhe të konvertueshme, që mund të përshtaten sipas nevojave reale të qytetarëve, janë më të dobishme sesa ndërtesat e mëdha dhe ikonikë. Fokusimi duhet të jetë te turizmi me vlerë të shtuar, që gjeneron punësim dhe fitime reale, dhe te qytetet për banorë, jo vetëm për investitorë dhe imazh.

Por nëse kjo qasje e deritashme nuk ndryshon, atëherë xhevahiret e arkitektëve si Christian Kerez nuk janë më kokoshka, por bomba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë