Gazeta Si – Qysh prej propozimit publik të kryeministrit Edi Rama për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformat (përfshi luftën kundër korrupsionit), shumëkush pasigurinë se çfarë synonte ky komision i beftë (i 9-i nga 8 që janë aktualisht në Kuvend) e lidhi me sigurinë se ai që do ta drejtonte ishte Fatmir Xhafaj
Komisioni i fryrë me deputetë, ministra, ekspertë shqiptarë dhe të huaj, këshilltarë dhe teknicenë u përfol se do të drejtohej nga deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, nisur nga disa kontakte të shtuara të kryeministrit me këtë të fundit por, edhe me arsyen se, në thelb, Xhafaj është njohësi më i mirë i reformës në drejtësi, nisur nga eksperienca e kaluar.
LEXO EDHE:
– Garancia e PS për Komisionin e Posaçëm, Gogu: Asnjë ligj i drejtësisë së re nuk preket
– Zbardhet projekt-vendimi i PS/ Komision i posaçëm i fryrë me deputetë, ekspertë dhe ministra, në sitë edhe sistemi i drejtësisë
Emri i Famir Xhafajt përflitet edhe sot (e enjte) kur në Kuvend ende nuk ka kaluar për votim ngritja e komisionit.
Por ajo që vihet re, të paktën në projektvendimin paraprak të ngritjes së komisionit, është një detaj sa i vogël (në dukje kalimtar) aq edhe i rëndësishëm.
Emri i tij, sipas të gjitha përcaktimeve paraprake të PS-së në projektvendim, nuk do të figurojë si anëtar.
Në projektvendim thuhet se, Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të opozitës
Komisioni do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2).
Fatmir Xhafaj është anëtar i komisionit të Ligjeve.
Por në strukturën e komisionit ai nuk rezulton as kryetar komisioni dhe as nënkryetar i saj.
Kryesia e komisionit të Ligjeve përbëhet nga Klotilda Bushka Kryetare (PS), Dhurata Çupi (Tyli) – Zëvendëskryetare (PD) dhe Eduard Ndreca – Zëvendëskryetar (PS)
Që do të thotë se emri i tij është i përjashtuar apriori
Kujtojmë gjithashtu se projektvendimi u publikua vetëm pak orë para fillimit të seancës ku pritet votimi i komisionit.
Çfarë ndryshoi në qëndrimin e kryeministrit Edi Rama kundrejt emrit të Fatmir Xhafës?
A lidhet qëndrimi hapur i këtij të fundit pro Erion Veliajt përmes fjalës së mbajtur në Kuvend pak ditë më parë, por edhe në një prononcim publik lidhur me hetimet që ka filluar SPAK në Bashkinë e Tiranës?
Kjo mbetet për tu parë. Nëse PS-ja nuk propozon ndonjë ndryshim apo kleçka të minutës së fundit, Fatmir Xhafaj, me këtë përmbajtje projektvendimi, nuk do të mund të jetë anëtar e për pasojë as të drejtojë super komisionin për reformat që shumëkush nga opozita e ka relativizuar si përpjekje për një luftë të nëndheshme ndaj SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.