Ceremonia e përurimit të bustit të Pjetër Arbnorit në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë bëri bashkë “armiq” të vjetër e të rinj të dy kaheve të politikës, por edhe “miq” të ftohur të të njëjtit krah.
Kur Sali Berisha zbuloi me familjarët e të ndjerit Arbnori mbulesën e bustit të vendosur, aty ndodheshin edhe emra si Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli. Që të dy kanë qenë kritikë ndaj Lulzim Bashës, sidomos Ruli.
Ky fundit, në maj të 2016, kur Partia Demokratike shqyrtonte një draft/propozim për reformën në drejtësi, ku përflitej edhe vendosja e orientimit seksual në Kushtetutë ka dalë kundër, madje siç u raportua në disa media në atë kohë është përplasur me tone të ashpra me Lulzim Bashën.
“Ne jemi parti konservatore as që duhet ta kishim marrë në shqyrtim një propozim të tillë”, citohej Ruli.
Dy muaj më vonë, kur Lulzim Basha artikulonte kërkesën për qeveri teknike i dilte kundër. Përmes një reagimi në rrjetet sociale nuk ishte kundër konceptit të qeverisë teknike, por kundër momentit dhe mënyrës si po e kërkonte kryetari i PD.
“E ashtuquajtura qeveri teknike që pretendohet nga forcat e ndryshme politike sot ka si shkak primar mosbesimin total ndaj njëra-tjetrës, e jo besimin e nevojshëm për të krijuar vërtet një qeverisje teknike të mirëfilltë bazuar në një konsensus të plotë mes tyre”, deklaronte ai në atë kohë.
Përplasja mes tij e Bashës u përshkallëzua më tej në ditët në vijim. Sa më shumë kalonin muajt aq më i ndezur bëhej ky raport. Muajt e parë të 2017 e shpërfaqën më shumë këtë. PD u mbyll në çadrën e ngritur para Kryeministrisë dhe me sloganin “Republika e Re” kërkonte dorëheqjen e Qeverisë.
Genc Ruli nuk bënte pjesë tek emrat që e mbështesnin këtë protestë. Ai u radhit mes kritikëve që nuk e miratonin atë protestë. Më 17 maj PD dilte nga çadra falë marrëveshjes Rama-Basha. Zgjedhjet ishin shtyrë nga 18 për në 25 qershor dhe opozita duhej të përgatiste listat e kandidatëve për deputetë.
I vetëdijshëm se pas gjithë atyre përplasjeve me Lulzim Bashën mundësitë që ai të ishte pjesë e këtyre listave ishin të pakta, Genc Ruli i ka kërkuar vetë kryetarit të PD që të mos e kandidonte.
Por, tërheqja nuk ishte një largim nga politika. “Largohem nga Kuvendi, jo nga politika”, deklaronte ai më shumë se një vit më parë. Nuk u largua nga politika. Qëndroi aktiv duke komentuar sidomos situatën brenda PD, por akuzat ndaj Bashës i zbuti.
Këtë të enjte, pas ceremonisë së përurimit të bustit të Pjetër Arbnorit, Genc Ruli iu drejtua selisë së Partisë Demokratike i shoqëruar nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Të tre janë ulur bashkë në të njëjtën tavolinë për disa kohë. Nuk dihet se çfarë është diskutuar, po pyetja që po ngrihet është: a po rikthehet Genc Ruli, ish-ministër në kabinetin e Sali Berishës sërish tek PD?
I pyetur nga mediat se do ti kthehej jetës politike ai përdori figurë letrare “pa mbaruar baçe dhe mbjell pemë nuk kthehem në jetën politike”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.