Nga Bruce W.Bennett* – Në fund të vitit të kaluar, Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut paralajmëroi se ka shumë gjasa që Koreja e Veriut “të përfshihet në provokime të papritura ushtarake dhe kibernetike gjatë vitit 2024”.
Më pas, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un i tha popullit të tij që “të përgatitej për luftë me SHBA-në në vitin 2024”.
Por a po planifikon vërtet Kim që ta përshkallëzojë luftën e tij të ftohtë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në një luftë të nxehtë? Kjo mund të ndodhë vetëm nëse i shërben dy misioneve të qëndrueshme që i janë dhënë ushtrisë nga regjimi i familjes Kim: ruajtja e ekzistencës së pavarur të shtetit të Koresë së Veriut kundër çdo fuqie të jashtme, dhe ofrimi i mjeteve që Koreja e Veriut ta dominojë Gadishullin Korean.
Ndërkohë vetë Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend që ta sulmojnë Korenë e Veriut, sepse ka shumë pak për të fituar dhe shumë për të humbur. Dhe këtë qëndrim ajo e ka bërë shumë të qartë për dekada të tëra, duke e thënë këtë drejtpërdrejt dhe duke i shmangur reagimet potencialisht përshkallëzuese ndaj sulmeve dhe provokimeve të vazhdueshme ushtarake të Koresë së Veriut.
Atëherë, çfarë po përpiqet të arrijë Kim Jong-un me kërcënime të tilla? Me sa duket ai ka një plan afatgjatë, dhe kjo mund të shpjegojë provokimet që ai ka bërë këtë vit, prodhimin e armëve bërthamore dhe kërcënimet për luftë. Disa vite më parë një dokument sekret por i dekonspiruar i Koresë së Veriut mbi trajnimin e personelit të lartë ushtarak i përshkruante kështu objektivat e Koresë së Veriut: “I shtrenjti komandant i yni suprem do ta dominojë botën me armët bërthamore. Ai do ta detyrojë SHBA-në të na kërkojë falje dhe kompensojë për dekadat e shumta kur ka ushtruar presion ndaj popullit tonë, dhe do t’i deklarojë të gjithë botës se rendi i fuqishëm ndërkombëtar do të riformohet nga Juche-Kore, dhe jo Shtetet e Bashkuara”.
Është e vërtetë që objektiva të tillë duken ekstreme. Po si mund të përpiqet Kim që t’i arrijë këto objektiva afatgjata? Koreja e Veriut nuk ka nevojë të ketë të njëjtën sasi armësh si SHBA-ja për ta shantazhuar këtë të fundit.
Për shembull, marrim rastin kur Koreja e Veriut arrin të ketë në të ardhmen 300 armë bërthamore dhe 100 raketa balistike ndër-kontinentale (ICBM) të ngarkuara me armë bërthamore. Diçka që mund të jetë e mundur brenda 10 viteve.
Me një forcë të tillë, Pheniani mund të mposhtë mbrojtjen raketore aktuale të SHBA-së, dhe të kërcënojë një ose më shumë qytete amerikane me një sulm bërthamor nëse Shtetet e Bashkuara nuk shfuqizojnë sanksionet që kanë vendosur ndaj Koresë së Veriut.
Nëse Shtetet e Bashkuara e refuzojnë ultimatumin, dhe Kim sulmon qytetet amerikane, atëherë ai mund të kërcënojë se do të shkatërrojë shumë qytete të tjera nëse Shtetet e Bashkuara hakmerren me armë bërthamore. A do ta shfrytëzonte një shans të tillë një president amerikan?

Po ashtu Kim mund të kërcënojë Shtetet e Bashkuara me një sulm të kufizuar bërthamor nëse këto të fundit nuk braktisin aleancën e tyre me Korenë e Jugut. Dhe diktatori komunist mund të kërkojë që Shtetet e Bashkuara të shkëputen edhe nga vende si Ukraina, që SHBA-ja do t’i mbështeste në rastin e një sulmi rus apo kinez.
Në rast se Kim do të ketë sukses në veprime të tilla sepse Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të kenë nga përshkallëzimi, a nuk do të riformohej rendi botëror sipas vullnetit të Koresë së Veriut? Dhe pavarësisht se çfarë do të bënte presidenti amerikan, çfarë beson Kim se do të ndodhte?
A mendon Kim se do të ishte në pozitën kur mund t’i përdorte armët e tij për shantazh, duke pasur parasysh reagimet pasive të SHBA-së ndaj provokimeve të Koresë së Veriut?
Nëse Kim mund të ushtronte presion ndaj Shtetet e Bashkuara, a nuk do të priste që të bënte të njëjtën gjë me Korenë e Jugut?
Për shembull, a mund të insistojë që Seuli t’i paguajë 100 miliardë dollarë në vit, dhe të ndërpresë përgjithmonë aktivitetin e K-pop, të cilin Kim mendon se përbën një kërcënim real për regjimin e tij? Tek e fundit, a nuk ishte tashmë në gjendje Kim të ndikonte tek ish-presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in dhe partia e tij për të miratuar një ligj për të ndaluar grupet e aktivistëve që të dërgonin fletëpalosje propagandistike në Veri?
A mund të arrijë Koreja e Veriut në një pikë ku ta dominojë Gadishullin Korean pa synuar një luftë të nxehtë, bashkë me të gjitha rreziqet e “infektimit ideologjik” të personelit të tij që do të shkaktonte një luftë e tillë?
Dhe kujtoni pak: Kur Kim deklaroi se do të rriste në mënyrë eksponenciale numrin e armëve bërthamore, dhe urdhëroi fabrikat e raketave “të zgjerojnë përgjithmonë kapacitetin e prodhimit”, Kim nuk po kërkonte vetëm 100 armë bërthamore.
A do të kishte mundësi që vendi i tij i varfër të zgjeronte kapacitetin e prodhimit, nëse po planifikonte ta përdorte atë kapacitet vetëm 1, 2 apo 3 vjet për të arritur ndërtimin e një force të vogël bërthamore? Dhe si reaguan Koreja e Jugut dhe SHBA-ja ndaj këtyre deklaratave?
Për të arritur krijimin e një leve të tillë ndikimi, Kim do të vazhdojë gati me siguri edhe këtë vit provokimet, me fillimin e testimeve të reja të raketave balistike ndërkontinentale, duke përfshirë testet e disa raketave të reja.
Kim po e ashpërson retorikën e tij duke kërcënuar se “ne nuk kemi ndërmend të shmangim luftën nëse Republika e Koresë së Jugut guxon dhe përpiqet ta përdorë forcën kundër vendit tonë apo të kërcënojë sovranitetin dhe sigurinë tonë”. Dhe Kim paralajmëroi se nuk do të kishte asnjë hezitim për ‘asgjësimin’ e Koresë së Jugut.
Përveç kësaj, Kim mund të lëshojë raketat balistike ndërkontinentale mbi Paqësor, të testojë një ose më shumë armë bërthamore nën tokë, të kryejë stërvitje me trupat konvencionale duke e kërcënuar Korenë e Jugut, dhe të vazhdojë prodhimin e armëve bërthamore.
Familja Kim e ka detyruar historikisht Korenë e Jugut dhe SHBA-në të tolerojnë provokimet në rritje të Phenianit dhe është thuajse e sigurt se do të vazhdojë ta bëjë këtë.
Nëse Kim po kërkon armë të reja bërthamore për të siguruar fuqinë shantazhuese dhe pozicionin për të dominuar gadishullin, atëherë pse Seuli dhe Uashingtoni po shmangin përgjigjet ndaj provokimeve të Veriut, që mund të çojnë shumë shpejt në një përshkallëzim ushtarak?
Nëse përballja ushtarake e Koresë së Veriut me Korenë e Jugut dhe SHBA-në është vetëm çështje kohe, a nuk është më mirë që ato të përballen që tani me Kim, kur ky është shumë më pak i rrezikshëm sesa kur të ketë ndërtuar një forcë të madhe me armë bërthamore?

Thënë këtë, mendoj se ashpërsia e kërcënimeve të fundit të Kim, sugjeron se ai shpreson se Koreja e Jugut dhe SHBA do të reagojnë ndaj kërcënimeve të tij. Një reagim i tepruar do t’i jepte atij justifikimin për një nivel të ri përshkallëzimi, duke e lejuar atë ta akuzojë presidentin korerano-jugor Yoon si një luftënxitës që po e vë në rrezik të gjithë vendin e tij.
Ai mund ta bëjë këtë duke shpresuar të dëmtojë partinë e presidentit Yoon në zgjedhjet parlamentare të prillit të këtij viti. Në këto kushte, Koreja e Jugut dhe SHBA duhet të marrin një qasje të qëllimshme dhe të kujdesshme.
Për shkak se nuk i kanë shpjeguar realisht rreziqet e nuklearizimit të Koresë së Veriut, Seuli dhe Uashingtoni ka të ngjarë të kenë nevojë të nisin një fushatë informimi për t’i ndihmuar qytetarët e tyre të kuptojnë pse duhet bërë diçka për të frenuar zhvillimin e armëve bërthamore nga Koreja e Veriut, provokimet dhe kërcënimet e saj, pavarësisht rreziqeve që e shoqërojnë këtë gjë.
Po ashtu, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja duhet të hartojnë plane për frenimin e Veriut. Për shembull, mund të kërkojnë një pezullim të menjëhershëm të prodhimit të armëve të reja bërthamore nga Koreja e Veriut dhe raketave ICBM. Ato mund të ofrojnë në këmbim ushqime, burime shëndetësore dhe energji elektrike, për Korenë e Veriut nëse kjo e fundit nuk kryen provokime për të paktën 6 muaj.
Burimi: National Interest/ Përshtati: Gazeta Si
* Bruce W.Bennett është studiues në organizatën jofitimprurëse “RAND Corporation”në SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




