Analize

A po ndodh njësoj si në Shqipëri? Opozita në Serbi: Bojkot zgjedhjeve

Shqipëria duket se nuk është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që është pushtuar nga kriza politike pasi edhe opozita në Serbi ka bojkotuar prej më shumë se një viti parlamentin dhe ka kërcënuar të bojkotojë edhe zgjedhjet e afërta parlamentare.

Ashtu si në Shqipëri, edhe opozita serbe shpërtheu në protesta masive në muajin shkurt duke kërkuar respektimin e lirive civile. Por ndërkohë që opozita shqiptare dogji mandatet parlamentar, qeveria serbe ia doli të mbante nën kontroll protestat, por që nga ajo kohë asnjë përfaqësues i opozitës në Beograd nuk ka marrë pjesë në seancat parlamentare. Sikur të mos mjaftonte kjo, ajo ka paralajmëruar se do të bojkotojë zgjedhjet parlamentare nëse presidenti Aleksandër Vucic nuk siguron një proces të drejtë dhe të pavarur zgjedhor.

Mes frikës se opozita serbe mund të ndjekë “skenarin shqiptar”, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian kanë njoftuar tanimë do të përpiqen të ndihmojnë në kthimin e opozitës në parlament dhe nisjen e dialogut në parlamentin serb. Takimi i parë i parlamentarëve europianë dhe serbë në Beograd do të zhvillohet në fillim të tetorit, gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme të vendit.

Kryetarja e Parlamentit serb, Maja Gojković, i tha kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, se angazhimi i eurodeputetëve për nisjen e dialogut midis partive parlamentare serbe ishte "i mirëpritur".

Protestë në Serbi, Gazeta Si, 20 shtator 2019

Në një konferencë për shtyp Gojković u shpreh se së shpejti do të fillonte një diskutim mbi organizimin e takimeve në parlament dhe mbi temat e diskutimit, duke shtuar se ideja ishte që faza e parë e bisedimeve të fillojë në tetor.

Ajo do të kryesonte dialogun, me pjesëmarrjen e një grupi të përfaqësuesve të Parlamentit Europian, ndërsa në një fazë të mëvonshme, do të ftohen përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare.

Zgjedhjet e radhës në Serbi planifikohen të mbahen në pranverën e vitit 2020. Por shumë parti janë të pakënaqura me kushtet e zgjedhjeve, mjedisin mediatik dhe tashmë kanë njoftuar planet e tyre për të bojkotuar sondazhet. Udhëheqëse e kësaj iniciative është Aleanca për Serbinë, një lëvizje politike e cila bashkon politikanët kryesorë të opozitës.

"Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për afrimin se zgjedhjeve dhe ne do të përqendrohemi tek kushtet për zhvillim e tyre në mars të vitit 2020. Do të mbajmë diskutime me opozitën mbi lirinë e medias, listën e votuesve, financimin e fushatës dhe tema të ngjashme, "tha Gojković.

Gjatë një vizite në Serbi në fund të gushtit, McAllister deklaroi se Parlamenti Europian ishte i vendosur për të parandaluar përshkallëzimin e krizës politikeve në Beograd.

“PE do të vazhdojë të punojë për gjetjen e një baze të përbashkët, nëse ndërmjetësimi ynë pritet nga të gjithë të përfshirë”, tha McAllister, duke shtuar se "duhen dy për kërcyer tangon" dhe se dialogu kërkon gjithashtu dy ose më shumë partnerë.

Mediat serbe shkruajnë se një delegacion i PE-së i kryesuar nga Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein vizitoi gjithashtu Beogradin. Delegacioni i PE-së mbajti takime me përfaqësuesit e partive kryesore politike në mënyrë që të kuptonte atmosferën politike në Serbi dhe të identifikonte çështje specifike që mund të ndihmojnë në kthimin e dialogut politik në parlamentin serb.

Përfaqësuesi i opozitës, Bosko Obradović tha se Aleanca për Serbinë ishte e gatshme t'i përgjigjej ftesës së BE-së, por theksoi se kushtet mbeten të njëjta duke zbatuar të gjitha rekomandimet e bëra nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë.

Protestë në Serbi, Gazeta Si, 20 shtator 2019

Ai tha se Aleanca nuk do t'i përgjigjet asnjë "ftese të dërguar nga Maja Gojković". "Por nëse marrim një ftesë nga PE, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në bisedime," tha Obradović.

Dragan Đilas, kreu i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, një nga anëtarët e Aleancës për Serbinë, gjithashtu tha se partia e tij do të merrte pjesë vetëm nëse ftohenj nga Parlamenti Evropian.

Në një letër të hapur, Dilas i kërkoi McAllister që të organizojë një dialog nën patronazhin e BE-së midis autoriteteve serbe dhe opozitës, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile dhe shoqatat e gazetarëve, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje mbi një kornizë realiste për mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2020.

Por ndërhyrja e BE-së nuk shihet me aq optimizëm në Serbi sic shihet në Shqipëri.
Sipas ekspertëve, arsyeja pse protestat në Ballkanin Perëndimor dështojnë në shumicën e rasteve është sepse BE-ja u kushton kaq pak vëmendje, dhe e kthen kokën vetëm kur manifestimet të arrijnë në incidente ekstreme. Në vitin 2014, edhe pse Maqedonia e Veriut ishte prej kohësh një “shtet i kapur”, BE-ja lëshoinjë raport pozitiv për përparimin e vendit fqinj, duke deklaruar se “kriteret për pranimin në union vazhdonin të përmbusheshin. Në Beograd, BE-ja e sheh presidentin Vuçiç si një faktor stabiliteti, edhe pse në fakt Serbia ka pësuar rënie të ndjeshme në indeksin e demokracisë. Brukseli ka mbështetur po ashtu prej gati tre dekadash edhe regjimin e Milo Gjukanoviç, edhe pse Mali i Zi ka probleme të jashtëzakonshme me lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe lidhjet e qeverisë me grupet mafioze.

Pas shpërthimit të protestave në Tiranë, vetëm disa muaj përballë vendimit për hapjen ose jo të negociatave, Bashkimi Europian i ka bërë vazhdimisht thirrje opozitës për rikthimin në parlament. Sinjalet e SHBA, por edhe Gjermanisë kanë qënë të drejtpërdrejta për zhvillimet në Shqipëri: “Qeveria dhe parlamenti janë legjitime”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë