Kosova

A po ndërron mendje Albin Kurti për Mini-Shengenin Ballkanik?

Edhe pse e ka kundërshtuar nismën e Mini Shengenit Ballkanik, duke e cilësuar si një nismë për krijimin e Jugosllavisë, Albin Kurti duket se po lëviz dalëngadalë drejt pranimit të kësaj iniciative.

Të premten, qeveria e Kosovës miratoi një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Bosnjë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.  Edhe pse qeveria thotë se ky vendim erdhi si pjesë e procesit të Berlinit, opozita thotë se në fakt ky ishte një hap drejt miratimit të Mini Shengenit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka kritikuar ashpër vendimin e qeverisë Kurti, e cila sipas tij nuk e trajton Kosovën si të barabartë me vendet tjera. Ai kujton se Albin Kurti e kishte quajtur Mini Shengenin “Jugosllavinë e re”.

Kreu i PDK-së përmes një deklarate në faqen e tij në Facebook tha se ende pa e nisur dialogun me Serbinë, Albin Kurti nisi zbatimin e Jugosllavisë së re.

“Kryeministri Albin Kurti ende pa e nisur zyrtarisht dialogun me Serbinë paska marrë vendim për nisjen e zbatimit të Mini-Shengenit ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit.

Kohë më parë kur ishte në opozitë, këtë nismë rajonale Albini e quante Jugosllavi e re. E pra tani me dorën e tij e nisi Jugosllavinë e re andaj urime Albin”, shkruan kreu i PDK-së.

Ideja e “mini- Shengenit Ballkanit” u konkretizua në letër dhe me takime shtetarësh (Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut) këtu e një vit më parë, ndërsa Kosova humbi po aq kohë për të mos u përfshirë në asnjë prej proceseve që u drejtuan kryesisht nga kryeministri Edi Rama.

Kosova jo vetëm që nuk u përfshi në konsultimet paraprake, por u angazhua publikisht në deklarata të ethshme politike se pse mini-Shengeni Ballkanik nuk mund të pranohej dhe udhëheqësi i kritikave ishte pikërisht Albin Kurti.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të shprehej në një nga daljet e tij publike se kjo iniciativë rajonale ishte e pakuptimtë aq kohë sa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Kosova u bë pjesë e kësaj nismë falë një marrëveshje të firmosur në zyrën ovale të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Avdullah Hoti, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës vendosi firmën edhe për këtë pikë. “Të dy palët do të bashkohen në zonën “mini-Shengen” të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019 dhe do të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj”, thuhej në marrëveshjen Serbi- Kosovë.

“Mini Shengeni Ballkanik” ka si qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave e shërbimeve në Ballkan. Brenda një harku kohor prej dy muajsh tetor-dhjetor të një viti me parë kryesisht me iniciativën e kryeministrit Edi Rama u mbajtën disa takime në kuadër të kësaj nisme ku morën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Fantazma e Mini-Shengenit shoqëroi vizitën e tij të parë të Kurtit si kryeministër në Tiranë, kur e kritikoi publikisht Ramën për afrimin me Serbinë, duke deklaruar se është ngutur kur kishte zgjedhur për partner Beogradin. Sipas tij, Shqipëria fillimisht do të duhej konsultohej me Kosovën, më pas Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi dhe në fund me Serbinë, edhe atë nëse ndryshon pozitivisht. Ai nuk ndryshoi qëndrim as nëpër intervista të ndryshme, duke thënë se nuk e kupton nxitimin e kryeministrit shqiptar për të krijuar Mini-Shengenin.

Ashtu si edhe udhëheqësit e tjerë politikë në Kosovë, as Kurti nuk e ka kursyer revoltën, duke e cilësuar Mini-Shengenin si një nismë që fuqizon ndikimin e Serbisë në rajon. Edhe pse qeveria e Avdullah Hotit aprovoi bashkimin e Kosovës me këtë nismë, zyrtarët e partisë së tij janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani.

Mini-Shengeni dëmton marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri

Mini-Shengeni” ballkanik ka tensionuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duke lënë nën hije edhe dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme të nënshkruara ndër vite mes dy shteteve.

Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, që përfshijnë disa fusha, deri më tani nuk kanë gjetur zbatim në tërësi dhe sipas analistëve, kjo tregon se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në një pikë mjaft të ulët.

Në takimin e fundit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Tiranë, Rama e ka quajtur të pakuptimtë mospjesëmarrjen e Kosovës.

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në atë kohë kandidat për kryeministër, reagoi duke i thënë kryeministrit Rama se dy vendet kishin nevojë për më shumë bashkëpunim dhe jo konfrontim.

“Parimet e gjithë përfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë shkon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, ka shkruar Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë