Nga Khaled Ebu Zahr-A shërbejnë aleancat e forta mbrojtëse, si një pengesë për përshkallëzimin e konflikteve?
Apo ato krijojnë një ‘efekt domino’, që mund t’i zhysë të gjithë aleatët në mesin e një lufte gjithëpërfshirëse? Kjo pyetje po ngrihet teksa vazhdon lufta në Ukrainë, dhe ndërsa po sugjerohen skenarë të mundshëm, në të cilët ajo mund të zgjerohet në vende të tjera.
Me anëtarësimin zyrtar të Suedisë në NATO në fillim të këtij muaji, diskutimet i referohen kryesisht Nenit 5 të traktatit themeltar të aleancës. Kjo thotë se nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, ai do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithë anëtarëve, dhe ata do të ndërmarrin çfarëdolloj veprimesh që nevojiten për ta ndihmuar aleatin e sulmuar.
Realiteti është se pengesa e vërtetë, është siç ka qenë shumë herë të tjera përgjatë historisë epërsia dërrmuese e një force ushtarake, në këtë rast ajo e SHBA-së, e cila i jep substancë një aleance mbrojtëse.
Për shembull, në rast se i drejtohemi librave të historisë dhe analizojmë Luftën e Parë Botërore, mund të shohim se kur njëra palë i percepton armiqtë e saj si të një fuqie të njëjtë apo më të dobët, aleancat e mbrojtjes mund të jenë me të vërtetë një domino, që pasi të rrëzohet, zhyt në luftë të gjithë rajonin apo edhe botën.
Në vitin 1914, aleancat kryesore ishin Aleanca e Trefishtë dhe Antanta e Trefishtë. E para përbëhej nga Franca, Rusia dhe Britania e Madhe. Ajo u formua si një kundërpeshë ndaj Antantës së Trefishtë të përbërë nga Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia, qëllimi i së cilës ishte sigurimi i mbrojtjes dhe i bashkëpunimit të ndërsjellë.

Vrasja e krye-dukës të Austro-Hungarisë Franz Ferdinand më 28 qershor 1914 nga një i ri nacionalist serb në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, u bë shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Por dominotë e nevojshme për përshkallëzimin e konfliktit ishin vendosur tashmë nga këto aleanca, me dallimet gjeopolitike dhe efektet e problemeve të brendshme në vende të ndryshme, që i shtyjnë ato drejt një konfrontimi.
Brenda një viti, një konflikt rajonal u përshkallëzua në Luftën e Parë Botërore, pikërisht si rezultat i këtyre pakteve dhe i aleancave mbrojtëse. Austro-Hungaria, e mbështetur nga Gjermania, i paraqiti Serbisë një ultimatum pas vrasjes së krye-dukës. Kur përgjigja nuk ishte ajo që pritej, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë më 28 korrik 1914.
Rusia, e lidhur në një aleancë të ngushte me Serbinë, nisi të mobilizonte forcat e saj, duke bërë që Gjermania t’i shpallte luftë Rusisë më 1 gusht. Konflikti u zgjerua kur Gjermania i shpalli luftë edhe aleates së Rusisë, Francës, më 3 gusht. Kjo u shoqërua me pushtimin e Belgjikës, akt që tërhoqi një ditë më vonë në luftë edhe Britaninë e Madhe, e cila ishte e detyruar nga një traktat që të mbronte neutralitetin e Belgjikës.
Italia, që ishte në një linjë me Aleancën Trepalëshe, zgjodhi të qëndronte neutrale në fillim të luftës. Por ajo iu bashkua bllokut në vitin 1915, e joshur nga premtimet territoriale. Perandoria Osmane hyri në luftë në tetorin e vitit 1914 në anën e Fuqive Qendrore të drejtuara nga Gjermania.
Bullgaria ndoqi shembullin e Turqisë në vitin 1915. Siç e dimë, ishte hyrja e SHBA-së në luftë në vitin 1917, ajo që e përshpejtoi fundin e saj. Pas luftës, shumica e vendeve refuzuan aleancat mbrojtëse pasi i konsideronin ato si katalizatorin që kishte detyruar kaq shumë vende të hynin në konflikt, në vend se të zbusnin rreziqet.
Kjo është pjesërisht e vërtetë. Megjithatë pavarësisht kësaj, Lufta e Dytë Botërore shpërtheu vetëm dy dekada më vonë. Siç e dimë të gjithë, tmerret dhe politika e dhunshme ekspansioniste e regjimit nazist e shtynë botën në luftë, dhe sërish ishte kryesisht ndërhyrja e SHBA-së ajo që solli edhe mposhtjen e Gjermanisë, bashkë me kontributin e Bashkimit Sovjetik që e dërmoi Gjermaninë në Frontin Lindor.
Kësisoj, Evropa është edhe sot e kësaj dite nën mbrojtjen e SHBA-së. Ajo mbetet e varur nga Uashingtoni për mbrojtjen e saj, dhe është kjo pikërisht kjo mbështetje, dhe mbështetja amerikane për NATO-n, ajo që ka bërë që aleanca të shërbejë si një pengesë e vërtetë.
Ky nivel superior i fuqisë, së bashku me sakrificat e bëra nga ushtria amerikane për hir të stabilitetit evropian, e ka vendosur padyshim SHBA-në në një pozicion ku beson ajo se vendimmarrja e njëanshme është mënyra më e lehtë për të ecur përpara.
Rreziqet e konflikteve më të mëdha po rriten në mbarë globin. Por çuditërisht, ne vërejmë se edhe një herë, ashtu si në konfliktet e mëparshme globale, se epiqendra është Evropa dhe jo çdo rajon tjetër që konsiderohet shumë më i paqëndrueshëm dhe më i dhunshëm. Dhe kjo po krijon një barrë shtesë për SHBA-në dhe forcat e saj ushtarake.
Me pak fjalë, rrezikojmë të shohim fundin e stabilitetit që ka njohur bota që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në SHBA vazhdojnë debatet mbi rolin e vendit në një botë në ndryshim, ne duhet ta pranojmë se ky rol mbrojtës ka inkurajuar vendimmarrjen e njëanshme në Uashington kur bëhet fjalë për çështje strategjike gjeopolitike.
Për këtë arsye, është e rëndësishme që SHBA-ja të zhvillojë partneritete më të mira rajonale në Evropë, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Azi me ato që analistët kanë dëshirë t’i përshkruajnë si “fuqitë e mesme”. Unë preferoj termin “fuqi mbi-rajonale”.
Sigurisht ky tranzicion nuk do të jetë i lehtë, për shkak të dallimeve midis SHBA-së dhe aleatëve të saj sa i përket fuqisë së plotë ushtarake. Por për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve që mund të shmangin konfliktet dhe luftën, kërkohet shkalla e duhur e ekuilibrit midis SHBA-së dhe partnerëve të saj.
Për më tepër, ekziston nevoja për ndërveprime më të qëndrueshme të SHBA-së, që të vendosin një ekuilibër midis ekstremeve të vendimmarrjes së njëanshme e tepër muskulore dhe dorëzimit ndaj provokatorëve rajonalë, gjë që e inkurajon sjelljen e tyre të keqe. Angazhimi i qëndrueshëm dhe i vërtetë i SHBA-së me partnerët e saj, do të ofrojë mbështetje përmes parandalimit, dhe do të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të aktorëve të këqij rajonalë. Nga ana tjetër, kjo do të kërkojë që fuqitë rajonale të angazhohen më fort për të marrë mbi supe më shumë nga barra e sigurisë dhe mbrojtjes së tyre. Ky është i vetmi mekanizëm parandalues i vërtetë.
Shënim: Khaled Abou Zahr, drejtues ekzekutiv i EurabiaMedia, dhe redaktor i Al-Watan Al-Arabi.
Burimi: Arab News/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




