Analize

A po i përdor Rusia radikalët myslimanë në Ballkan?

Një vit më parë, një sërë ekspertësh të politikës së jashtme ngritën alarmin se Rusia po përpiqej të përkeqësonte problemet ekzistuese midis serbëve dhe shqiptarëve, duke shfrytëzuar konfrontimin mes dy vendeve për qëllimet e saj politike në këtë pjesë të Evropës. Analistët më tej vunë në dukje se armiqësia afatgjatë midis serbëve dhe shqiptarëve mund të ishte shumë e dobishme për Moskën, e cila po përpiqej të krijonte iluzionin e një konflikti mes të krishterëve dhe myslimanëve, ku shqiptarët (shumica myslimanë) do të portretizoheshin ai islamikë radikalë dhe "terroristë të ISIS -it". Sipas mendimit të tyre, një propagandë e tillë do të thellonte më tej mbështetjen e rusëve për serbët, e cila është ndoshta edhe më e fortë se në rastin e Ukrainës apo Sirisë.

"Aktivitetet e tanishme të Moskës në Ballkan kanë për qëllim të thellojnë dhe përkeqësojnë mosmarrëveshjeve ekzistuese në rajon”, deklaroi në një intervistë ish-ambasadori i Malit të Zi në NATO, Vesko Garcevic.

Kjo strategji ka qenë veçanërisht aktuale në Bosnje dhe Herzegovinë, ku Rusia mbështet haptazi udhëheqjen e Republikës Srpska, një nga dy zonat e këtij shteti. Kryeministri i Republikës Srpska, Milorad Dodik, argumenton vazhdimisht se për serbët e Bosnjës do të ishte më mirë të krijohej një shtet i vetëm dhe të bashkoheshin me Serbinë dhe territoret serbe në Kosovë.

Për muaj të tërë, mediat ruse kanë raportuar se si islamistët radikalë me përvojë ushtarake nga Iraku dhe Siria po “pushtojnë” Bosnjë-Herzegovinën. Shumë media ruse e përshkruajnë situatën në Ballkan si të paqëndrueshme duke akuzuar grupet radikale se po përgatitin sulme terroriste në Ballkan.

Një artikull në gazetën ruse “Izvestia”, raporonte se “popullsia ortodokse në Ballkan është vënë në rrezik nga rikthimi masiv i militantëve nga Siria".

Sipas autorëve të saj, Republika Srpska tashmë ka përforcuar masat e sigurisë në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë, artikulli përmendte Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën si "eksportuesit kryesorë" të militantëve për organizatat terroriste. Është e vërtetë se problemi me grupet radikale islamike dhe çdo grup tjetër militantësh, nuk duhet të minimizohet, por mënyra se si mediat ruse po e paraqesin problemin, është një shembull tipik i propagandës.

Shumë konflikte dhe mosmarrëveshje, në Ballkan janë rrënjosur edhe nga dallimet fetare, por e vështirë të imagjinohet se si islamistët radikalë me përvojë luftarake në Irak dhe Siri do “pushtojnë” Bosnjën apo ndonjë shtet tjetër në Ballkan, siç është paraqitur nga mediat ruse. Shumica e mosmarrëveshjeve në Ballkan, përfshirë ato midis serbëve dhe shqiptarëve, mund të karakterizohen si konflikte etnike me komponente të caktuara fetare (të krishterët ortodoksë kundër islamit).

Por këto konflikte janë shumë më të vjetra se problemet e sotme me radikalizmin fetar. Ato janë të rrënjosura në historinë e rajonit dhe përbërjen e tij komplekse etnike, fetare dhe kulturore.

"Unë do të thosha se këto konflikte janë shfrytëzuar për qëllimet e tyre nga grupet fetare të të dyja palëve, duke përfshirë edhe grupet radikale ortodokse", shprehet eksperti Vesko Garçeviç. "Në të njëjtën kohë, nuk mund ta mohoj se përfaqësuesit e myslimanëve radikalë mund të gjenden në Ballkan.Grupet radikale islamike ekzistojnë në të gjitha anët e Ballkanit, duke përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje dhe Herzegovinën, por aftësia dhe forca e tyre janë të diskutueshme dhe ato nuk janë një kërcënim i madh për sigurinë e rajonit. Mund të flasim qindra anëtarë të shpërndarë në Ballkan, të cilët deri më tani kanë provuar se kanë qenë të paaftë për të kryer ndonjë sulm të rëndë terrorist. Për më tepër, shumica e tyre monitorohen nga policia.”

Myslimanët e Ballkanit të radikalizuar në shumicën e rasteve përdoren si karrem në Siri. Po, disa prej tyre janë kthyer. Disa krijojnë probleme, por shumica e tyre ndeshen me gjyqe dhe dënime afatgjata në shtëpi.

Sa serioz është problemi i Ballkanit me radikalizmin?

Komunitetet myslimane në Ballkan po përballen prej një kohe të gjatë me radikalizmin islamik. Si SHBA-ja dhe ashtu Gjermania kanë shprehur shqetësime rreth ekstremizmit që ka zënë rrënjë në një rajon. Deklaratat zyrtare nga përfaqësuesit boshnjakë dhe shqiptarë , gjatë një sërë takimesh zyrtare, kanë deklaruar se tendenca e radikalëve të Ballkanit për t'u bashkuar Shtetin Islamik dhe rrjete të tjera radikale në Siri dhe Irak, po mbahet nën kontroll.

Pavarësisht nga ky sukses, një prani e vogël por e rëndësishme e radikalëve në vendet e Ballkanit, të ndihmuar nga luftëtarët e ISIS-it që kthehen, i kanë shkaktuar një dhimbje të madhe koke disa kryeqyteteve dhe ekspertëve perëndimorë.

"Selefistët, xhihadistët dhe ekstremistët islamikë kanë ‘zënë rrënjë’ në  rajon- tha për DW, Vedran Dzihic, ekspert i dioqezave dhe ekspert i Ballkanit në Institutin Austriak për Çështjet Ndërkombëtare- Strukturat e tyre janë të paprekura por tani për tani janë të përhapura në zona të caktuara.

Dzihiç vlerëson se rreth 30 deri në 40 për qind e esktremistëve që u larguan nga Kosova ose Bosnja drejt Sirisë ose u vranë ose qëndruan atje. Ndërsa 150 radikalë mendohet se janë kthyer sërish në Bosnjë dhe 120 në Kosovë. Qeveria amerikane është gjithashtu e vetëdijshme për problemin. Zëvendës Ndihmës Sekretari Hoyt Yee deklaroi kohët e fundit gjatë një seance në Uashington se duhet bërë më shumë për të ndaluar radikalizimin e Ballkanit.

Megjithatë, gjatë një sesioni parlamentar në Berlin, qeveria gjermane ka pranuar ekzistencën e një problemi tjetër që mund të përshpejtonte më tej radikalizimin e popullsisë myslimane në Ballkanin Perëndimor: Ndikimin e Arabisë Saudite, shteteve të tjera të Gjirit dhe Rusisë.

Selefizmi fondamentalist, bashkë me degë të ndryshme radikale të Islamit, së pari hyri në Ballkan përmes predikuesve dhe xhamive të sponsorizuara nga Arabia Saudite gjatë luftrave në Bosnje dhe Kosovë në vitet 1990. Ndikimi i tij është përhapur në mënyrë dramatike në dekadën e fundit, i ushqyer pjesërisht nga situata e tmerrshme ekonomike dhe sociale në rajon dhe mungesa e përgjithshme e mundësive, veçanërisht për të rinjtë. Për t’iu kundërpërgjigjur kësaj prurjeje, vendet si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova kanë miratuar një legjislacion duke parandaluar qytetarët e tyre që t’u bashkohen luftëtarë të huaj dhe kanë bërë një sërë arrestimesh, duke vënë nën kontroll situantën.

Por ndërhyrjet e Rusisë në rajon kanë si qëllliim të rrëmbejnë identitetet etnike të boshnjakëve dhe shqiptarëve, edhe pse të dyja kombet mbajnë mbi shpatulla tradita shekullore të tolerancës dhe bashkëjetës fetare.

Burime: "Global Geopolitics", DW, "The Spectator"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë