Analize

A po e vret Teknologjia Demokracinë? Çfarë thonë Platoni, Orwell dhe TikTok për të ardhmen tonë

Nga Alfonso Celotto -Demokracia ka qenë gjithnjë e ngadaltë, komplekse, konfuze. Nuk është rastësi që në veprën e tij më të famshme “Republika”, Platoni e kritikoi ashpër me metaforën e kupë-mbajtësve të këqij: ”Kur një demokraci e etur për liri, ka në krye të festës kupë-mbajtës të këqij, dhe e pi në sasi të mëdha verën e fortë të lirisë, dhe nëse sundimtarët e saj nuk janë shumë të durueshëm, atëherë ajo u kërkon llogari dhe i ndëshkon, duke u thënë atyre se janë oligarkë të mallkuar. Kështu vdes demokracia: duke abuzuar me veten!”.

Kështu shkruante filozofi në vitin 370 Para Krishtit. Pavarësisht gjithçkaje, ne ende mendojmë sot se demokracia është modeli më i mirë i qeverisjes, ose të paktën më pak i keqi ndër sistemet që kemi shpikur, siç e tha dikur Winston Churchill.

E megjithatë, vazhdojmë të ankohemi se demokracia jonë funksionon keq, se është faji i partive politike që na përfaqësojnë, i ligjit elektoral, i mungesës së përkushtimit të votuesve, që në thelb jemi mjaft të kënaqur me nivelin e pasurisë që kemi arritur dhe jemi bërë indiferentë ndaj mesazheve politike që na janë bërë të mërzitshme.

Siç thotë edhe sociologu dhe politologu anglez Colin Crouch, ne jetojmë sot në një post-demokraci. Vështirë se e mendojmë, por fakti është se demokracia jonë është transformuar shumë, dhe kjo ka ndodhur për një arsye shumë më të zakonshme dhe të përditshme:shfaqjes në skenë të teknologjive dixhitale.

Pluralizmi dhe debati publik

Demokracia tradicionale, u themelua dikur mbi ballafaqimin e ideve dhe mbi fjalimet e mëdha të Perikliut, Demostenit, Ciceronit. Ky është një model, të cilin ne e kemi pasur deri para disa vitesh. Debatet në sheshet publike apo forumet politike në televizion me liderët që trajtojnë çështjet komplekse, teorike, të pasura me shumë citime.

Fjalime drejtuar të gjithëve, në mënyrë që të gjithë të përballen me të njëjtat ide dhe projekte. Pra një pluralizëm i demokracisë. Në sheshet e mëdha të qyteteve, me fjalime 1-orëshe, me ide dhe ideale të mëdha. Demokracia jonë është transformuar shumë që nga shfaqja e teknologjive digjitale.

Mjafton të kujtojmë, se një nga debatet e para midis kandidatëve presidencialë u organizua në SHBA në vitin 1854. Në atë kohë u përcaktua që republikani Abraham Lincoln dhe demokrati Stephen Douglas të kishin secili nga 3 orë kohë për të shpalosur idetë dhe vizionet e tyre.

Po, e lexuat saktë: 3 orë! Por sot mesazhi politik kalon në një video në TikTok apo në një postim në platformën X: maksimumi 50 sekonda. Është mbresëlënëse që edhe një politikan jo shumë i ri si i ndjeri Silvio Berlusconi, vendosi të hapë një profil në TikTok, duke grumbulluar 350.000 ndjekës dhe 4 milionë shikime në pak orë.

Dështimet e revolucionit digjital

Dikur ëndërronim që teknologjitë digjitale të na sillnin demokracinë e drejtpërdrejtë si në kohë e lashta. Në vitin 1996, filozofi francez Pierre Lévy, hipotezoi se interneti mund ta transformonte demokracinë në një agora të madhe - siç quhet tregu i madh në Athinë, i përdorur për mbledhjet e mëdha - ku secili prej nesh mund të vendoste dhe vlerësonte çështje të ndryshme përmes pjesëmarrjes së tij të vazhdueshme.

Pra një demokraci e hapur, e lirë e bazuar në pjesëmarrjen e menjëhershme të të gjithëve.

Në fakt, bota digjitale na ka bërë gjithnjë e më të vetmuar dhe të izoluar. Në komunitetin virtual, secili prej nesh nuk merr pjesë në vendimmarrje, por merr mesazhe të njëanshme, të cilat ndikojnë mbi sjelljen tonë, përfshirë atë politike.

Pjesa më mbresëlënëse, është se mesazhet e marra nga secili prej nesh janë të personalizuara. Pra secili nga ne është i profilizuar nga rrjeti, ndaj drejtuesit e fushatave zgjedhore mund t’i dërgojnë çdo votuesi mesazhin e duhur, edhe për çështjet më të nxehta dhe përçarëse, si migracioni apo diversiteti gjinor.

Kjo ishte më e dukshme në fushatën që solli hyrjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në atë fushatë u përdor kompania Cambridge Analytica , e cila pretendonte se kishte një profil personal të çdo votuesi amerikan!

Fushata zgjedhore të bazuara tek algoritmet

Këto profile nuk janë ndërtuar mbi përgjime apo informacione të përvetësuara në mënyrë ilegale. Sepse secili nga ne transmeton vazhdimisht përmes telefonave inteligjentë të dhëna, preferenca, opinione. Pra ka një profilim të vazhdueshëm psikometrik.

Dhe paradoksi më i madh është se secili prej nesh i nënshtrohet me dëshirë. Sepse secili e adhuron telefonin e tij inteligjent, që është shndërruar tashmë në një instrument oruellian të kontrollit dhe nënshtrimit të vazhdueshëm. Dhe rezultati janë fushata zgjedhore të fragmentuara, sipërfaqësore, të personalizuara, në të cilat nuk nevojitet ndonjë arsyetim i madh, koherencë dhe racionalitet.

Përkundrazi, mjaftojnë mesazhet e shkurtra e të thata. Kjo është arsyeja pse “memet” janë mjetet me efektivitetin më të madh. Pra komunikimi me imazhe dhe jo më me koncepte. Këto strategji zgjedhore nuk vendosen nga kandidatët. Sepse ndërsa është e vërtetë që udhëheqësit tregojnë skicat bazë të programit politik, më pas janë algoritmet ato që i përpunojnë dhe i shpërndajnë ato, në mënyrë të shkathët dhe të personalizuar.

Një demokraci teknokratike

Nëse gjërat janë vërtet ashtu siç duken, atëherë në një të ardhme shumë të afërt demokracia jonë mund të shndërrohet përgjithmonë në një demokraci “teknokratike” . Jo në kuptimin platonik të qeverisjes nga teknikët, pra nga më të mirët. Por më shumë në kuptimin e qeverisjes nga makineritë.

Sepse do të jenë makinat, ato që do të rekomandojnë programet më efektive, që do t’i shtjellojnë ato, shpërndajnë ato dhe që do të arrijnë tek votuesit. Me sa duket, do të kemi një qeveri “të popullit”, por të udhëhequr nga “pakica”, pra nga teknokratët dhe burokratët. Do të jetë një shoqëri e bazuar tek kontrolli i fortë, siç parashikohet në librin e “Më e mira e botëve” e Aldous Huxley, të bazuar tek motoja:”Komunitet, Identitet, Stabilitet!'.

Këto prirje do të jenë edhe më të gjera, kur kontrolli mbi jetën tonë, të mos jetë rezultat i përdorimit personal të smartfonit, por edhe i monitorimit të vazhdueshëm mjedisor. E kam fjalën jo vetëm për përhapjen e kamerave dhe të mjeteve të njohjes së fytyrës, siç po ndodh tashmë në Kinë.

Por sidomos për projektin e zhvendosjes së një pjese të madhe të popullsisë në qytete tërësisht artificiale, të mbyllura, të mbrojtura, të dixhitalizuara, siç mund të shihet nga plani i Arabisë Saudite për të ndërtuar qytetet “The Mukaab” dhe “The Line”, përkatësisht një kub gjigant me brinjë 400 metra pranë Riadit, dhe një qytet inteligjent i projektuar si një vijë e drejtë e madhe prej qelqi dhe çeliku mbi 100 kilometra e gjatë, dhe në të cilën mund të banojnë deri në 10 milionë njerëz në një mjedis plotësisht të mbrojtur, por të kontrolluar vazhdimisht.

Dilema themelore mund të jetë vetëm njëra: A do të funksionojë demokracia e së nesërmes më mirë apo më keq, se demokracia me të cilën jemi përpjekur të rregullojmë jetën tonë për më shumë se 25 shekuj? A do të na shohë sistemi politik i së ardhmes si “subjekte”, që do t’ia delegojnë një algoritmi dhe teknikëve përgjegjësinë e marrjes së vendimeve që nuk duam (apo nuk dimë t’i marrim)? Apo do të ketë sukses sistemi në shfrytëzimin e teknologjisë digjitale për t’u lidhur me qytetarët, dhe për t’i bërë ata më të interesuar dhe të përfshirë në vendimet publike?

Burimi: World Crunch/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Alfonso Celotto është profesor i së drejtës kushtetuese në Departamentin e Drejtësisë, Universiteti Roma Tre, në Itali. Ai ka kryer aktivitete akademike dhe kërkimore në Itali, Francë, Spanjë, Peru, Argjentinë, Poloni, Kanada dhe Australi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë