Editorial

A po e kupton vërtetë PD se ku e ka problemin?!

Grupimet rivale brenda Partisë Demokratike janë përfshirë në një valë shkarkimesh të ndërsjellta?!.

Një grup nga Rithemelimi ka vendosur të shkarkojë me shumicë votash Alibeajn, kreun formal, “për shkak të qëndrimeve personale kundër interesave të opozitës” .

Dhe ky ka shkarkuar katër anëtar të grupit parlamentar pasi “ka përfunduar afati 1-vjeçar për distancimin publik nga aktet e dhunës në PD më 8 janar të vitit të shkuar|

Të parët thonë se kanë prova që kanë shumicën e anëtarësisë. Të dytët se shumica e Foltores nuk është e certifkuar në rrugë ligjore dhe se Berisha është politikan non-grata nga SHBA , që shqiptarët e kanë rrëzuar dy herë nga pushteti, dekadën e fundit.

Sado që të zgjasë kjo valë, kur të shuhet nuk e zgjidh problemin në PD-së. Shembja në PD do të vazhdojë për sa kohë nuk është shuar burim-shkaku i lëkundjeve të fuqishme brenda partisë më të madhe opozitare.

Të tjera valë goditëse do të ketë. Dhe sa më shumë kohë të kalojnë aq më qesharake dhe të kompromentuara në qëllimin e tyre do të jenë.

PD ka vetëm dy rrugë që të shpëtojë nga shembja fatale dhe të rinisë sa më shpejt ringritjen: Ose grupimet të hyjnë një luftë të madhe deri në vrasje-asgjësimin politik( kuptimi metaforik) plotësisht të kundërshtarit;  Ose  të ulen për një një armëpushim të plotë të pasuar me një paqe të qëndrueshme.

Çdo lëvizje/taktikë tjetër politike mund të të ofrojë një zgjidhje të përkohshme, por nuk i shërben qëllimit final të PD-së për të ardhur në pushtet. Sepse sot, vërtetë loja luhet lart, por problemi qëndron poshtë.

Baza/votuesit e opozitës ose ata që janë të gatshëm të përfaqësohen prej saj në këmbim të një alternative më të mirë nga se ofron sot maxhoranca, janë të përçarë. Ndërkohë sa pa u zgjidhur çështja e drejtimit, opozita do ta ketë të pamundur të ofrojë dhe një opsion qeverisje. 

Zgjedhjet lokale janë shumë afër, dhe ato politike vijnë shumë shumë shpejt. Si do të zgjidhin çështjen e përfaqësimit formal, përveç  dy alternativave të parashtruara , PD-ja nuk e zgjidh dot çështjen e ardhjes në pushtet, pra nuk nuk i plotëson dot vetes qëllimin për të cilin ekziston, si çdo parti tjetër, sepse nuk mund të maksimizojë duke përbashkuar votuesit poshtë.

Alternativa e parë, ajo e asgjesimit politik të kundërshtarit ka kosto të lartë dhe është kundër frymës së demokracisë. Mbetet e dyta, më e vështira.

Që të arrijnë tek e dyta, demokratët duhet të shikojnë qartaz shkakun e fillimi të tërmetit politik brenda shtëpisë së tyre. Ajo ishte ravijëzuar më parë dhe për sa kohë grupimet , ashtu si pllakat tektonike, kishin kohë që kishin fillaur të lëvizin drejt njëra- tjetrës. Përplasja ndodhi kur lideri historik herë në fron e herë në hije, Sali Berisha u shpall non-grata dhe kur pa që partia e tij nuk ishte e gatshme ta mbronte .

Ka një mendim se janë bejlerët e vegjël brenda PD-së që për shkak të interesave të ngushta, konjukturale, afatshkurtra etj, po zenë shtigjet drejt zgjidhjes së problemit, duke nënkuptuar bashkimin. Por si u krijuan këta bejlerë, a hynë ata në PD me tapi të trashëguara apo iu bënë dhuarata copa tokash, sa herë ka patur zgjedhje ( nënkupto hapësira pushteti dhe interesa) nga latifondistë e mëdhenj të pushtetit. Më i madhi ndër ta është Sali Berisha,  e më pas tij edhe Luzim Basha, që e kanë mbajtur pushtetin pa garë të vërtetë, por të mbështetur në makinacione dhe diktate. Bejlerët e vegjël sot nuk janë problemi për sa kohë pashallarët e mëdhenj janë në "luftë"?! Ata-bejlerët e vegjël, mund t’i humbasin sa hap e mbyll sytë ofiqet nëse latifondistët politikë i shkarkojnë të mirat që iu kanë dhuruar. Siç edhe ka ndodhur.

Demokratët duhet të kuptojnë se nëse sot problemi brenda tyre është se kush duhet të përfaqësojë dhe drejtojë PD-në, është thjestësisht e dukshme që nuk bëhet për ata poshtë, por për ata lart. PD nuk ka ditur të formëzojë prej vitesh një proces demokratik të zgjedhjes së krytarit të saj, ndaj sot nuk di t’i qaset nevojës. PD duhet të kuptojë që ka nevojë një kryetar terësisht të ri. Dhe armëpushimi dhe paqja e qëndrueshme mund të vijë nëse ata nisin procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri përmes një gare të drejtë e të ndershme, një procesi krejt të ri, që nuk do të zgjedh pashain e ri të PD-së që ka shpatën më të madhe për ta përdorur kundër njeri-tjetrit, por udhëheqësin e ri që i përbashkon të gjithë.

PD ka nevojë për kyetar të ri përmes nje procesi zgjedhje të qetë dhe brenda strukturave krejtësisht të ndryshme nga dy të proceset e tjera që kanë nisur e zhvillohën paralel, ai i rrugës dhe ai i vulës. Sepse përfaqësimi nuk është teknikalitet, pavarësisht se shkohet në të edhe përmes tenikave politike, por është frymë dhe besim.

Nuk ka rëndësi se emri në fund të procesit mund të jetë edhe Sali Berisha, kjo është kosto e tyre, por i rëndësishëm është procesi, atë që nuk kanë arritur ta ndërtojnë për kaq kohë të gjatë. Mund të gabojnë në zgjedhje këtë herë, por është e sigurt që një proces i besueshëm vote për lidershipin brenda partisë do ti' çojë drejt fitores. Por në rrethanat aktuale ata duhet të plotësojnë disa parakushte. Së pari, demokratët duhet t'i japin përgjigje vetes a janë gati të gjitha palët t’i futen një gare me votë se kush duhet të jetë kreu i ri i PD-së?  Dhe a janë gati kandidatët e mundshëm të ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe mbështetësit , apo preferojnë të sillen si deri më tani duke u fshehur pas gishtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë