Gonorrea një sëmundje seksualisht e transmetueshme po fillon të jetë rezistente ndaj antibiotikëve.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar së fundmi atje janë identifikuar 4 raste brenda dy muajve për të cilat mjekët kanë hasur vështirësi në trajtim. Njerëzit ishin diagnostikuar me “Neisseria gonorrhoeae” – bakteri që shkakton infeksionin seksualisht të transmetueshëm (IST) dhe infeksioni është rezistent ndaj ‘ceftriaxone’, i cili është antibiotiku kryesor i përdorur për të trajtuar infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Katy Sinka, Shef i Seksionit të IST në Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA), tha se pas disa vitesh kur nuk kishte asnjë rast ë vështirë të kësaj sëmundje, tashmë janë 4 raste në dy muaj.
“Është shumë herët për të thënë nëse ky do të jetë fillimi i një tendence afatgjatë, por ne e dimë se IST-të janë në rritje në përgjithësi dhe rezistenca ndaj medikamenteve po e vështirëson edhe ë shumë trajtimin për këta persona”, shpjegon Sinka.
Sipas mjekes prekja nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm nuk është e thjeshtë sa të marrësh ilaçet dhe të vazhdosh jetën sepse nëse nuk trajtohen siç duhet, ato mund të kenë ndikime afatgjata në shëndetin tuaj dhe të partnerit tuaj.
“Ka hapa të thjeshtë që mund të ndërmerrni për të reduktuar rrezikun e gonorresë dhe IST-ve të tjera. Përdorni prezervativët vazhdimisht dhe në mënyrë korrekte me të gjithë partnerët e rinj ose të rastësishëm, testohuni rregullisht për IST dhe nëse keni ndonjë simptomë të tillë si sekrecione të pazakonta, mos bëni seks derisa të shëroheni,” shpjegon mjekja.
Simptomat tipike të gonorresë përfshijnë sekrecione të trasha jeshile ose të verdha nga vagina ose penisi, dhimbje gjatë urinimit, dhimbje dhe parehati në rektum dhe, tek gratë kryesore është dhimbje në fund të barkut dhe zgjatja në kohë e menstruacioneve.
Burimi: The Independent/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.