Nga Gazeta ‘Si’- Le të mos fshihemi pas gishtit.
Shqipëria ka plotësuar parakushtet për të qenë në prag të një krize të legjitimitetit institucional dhe ndoshta edhe kushtetues, pasi po shfaqen shenjat e një përplasjeje mes qeverisë dhe SPAK, që përfaqëson një pjesë kyçe të sistemit të drejtësisë.
Nga njëra anë, kemi një qeveri të plagosur rëndë: dy ish-kryeministra të kërkuar për arrest, drejtues të institucioneve të rëndësishme nën hetim, ministra të tjerë të akuzuar për vjedhje dhe pastrim parash, një kryebashkiak të fortë në burg dhe një numër tjetër drejtuesish dhe nëpunësish publikë nën hetim. Akuzat shtrihen nga më të lehtat deri te rastet e rrëmbimit të personave.
Nga ana tjetër, SPAK nuk ndalet. Nuk duket e rastësishme që në të njëjtën ditë kërkohet arrestimi i një grupi me lidhje të dyshuara si të forta me politikën dhe që nga ana tjetër rrëmbente përmes korrupsionit tenderat e AKSH, dhe po atë ditë kërkohet leje nga Kuvendi për arrestimin e zv.kryeministres Balluku.
Fuqia e SPAK ka ardhur eksponenciale dhe mbështetja nga SHBA dhe BE nuk ka munguar për çdo rast. Hetimet dhe arrestimet e tij prekin çdo aspekt të qeverisjes: nga shëndetësia dhe siguria kibernetike, infrastruktura etj. Edhe pse përgjegjësitë mbeten personale, qeverisja kolektive nuk mbetet e pastër.
Nga ana tjetër kemi një rritje anemike që ka mbetur tek një prag i pamundur për të kapërcyer me rreth 3 për qind në vit. Kemi një treg të kapur rëndë në pikat më nevraligjike të saj nga krimi dhe ku konkurrenca e drejtë dhe barabartë është deformuar.
Ndarja pasurore është shumë e polarizuar dhe se ecurinë e mëtejshme e garantojnë sektorë si turizimi dhe ndërtimi të cilët janë sektorë konjuktural dhe jo strukturorë që nuk prodhojnë stabilitet afatgjatë.
Ndaj, përplasja e qeverisë me SPAK duke u zhvilluar në këtë kontekst, ka shumë gjasa të prodhojë enzima shoqërore të pakënaqësisë publike të cilat sigurisht do ta kërkojnë dëmin tek qeveria dhe jo SPAK.
Nga ana tjetër një përfaqësim mjaft përçarës i opozitës shton pasiguritë dhe krijojnë një mjedis më shpërthyes.
Kriza ndoshta ende nuk ka nisur por para kushtet janë plotësuar.
Në shpërtheftë, kostoja do të jetë e rëndë pasi nuk do të synojë rrëzimin e një qeverie dhe vendosjen e një tjetre por një sistem të tërë vlerash të cilat mund të na rezultojnë se janë ngitur mbi themele të dobëta e lehtësisht të cënueshme.
Por ama me peshë të rëndë e kosto mjaft të madhe për qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




