Në çdo bisedë ku diskutohet fertiliteti përmendet edhe ushqyerja, se çfarë duhet të konsumojnë çiftet për të maksimizuar shanset për t’u bërë prindër.
Përveç suplementeve që promovohen si nxitës të fertilitetit, ka edhe një sërë ushqimesh që supozohet se ndihmojnë në arritjen e një shtatzënie të shëndetshme.
Mes të gjitha miteve dhe reklamave, cilat janë provat aktuale për përdorimin e disa ushqimeve për të lindur një fëmijë të shëndetshëm?
Si fillim, kur bëhet fjalë për një shtatzëni dhe fetus të shëndetshëm, disa lëndë ushqyese mund të bëjnë një ndryshim, siç është acidi folik. Kur merret para dhe gjatë shtatzënisë, është treguar se ndihmon në parandalimin e anencefalisë, një defekti i lindur në trurin e foshnjës dhe spina bifida, e cila prek shtyllën kurrizore të foshnjës.
Për shkak se këto defekte zhvillohen shumë herët në shtatzëni, shpesh përpara se një grua të kuptojë se është shtatzënë, Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandojnë që të gjitha gratë e moshës riprodhuese të marrin 400 mikrogramë acid folik çdo ditë. Përdorimi i ushqimeve bazë si drithërat me acid folik mund të ofrojë mbrojtje edhe më të fuqishme, sepse shumë shtatzëni janë të paplanifikuara. Është vlerësuar se, në vitin 2019, programet efektive të përdorimit të acidit folik parandaluan 22% të rasteve të mundshme të spina bifida dhe anencefalisë në mbarë botën.
Acidi folik mund të ketë një përfitim shtesë: kur merret si suplement nga gratë që përpiqen të mbeten shtatzënë, mund të rrisë mundësinë për të mbetur shtatzënë, megjithëse ka nevojë për prova të mëtejshme për ta konfirmuar këtë.
Po ushqimet dhe suplementet e tjera? A ekziston një “dietë fertiliteti” që do të maksimalizojë shanset për të mbetur shtatzënë?
Ndërsa asnjë ushqim ose suplement individual nuk do të jetë një zgjidhje e shpejtë për asnjë nga problemet e mëdha të infertilitetit, ekspertët thonë se dieta mund të luajë një rol të madh gjatë gjithë procesit të përpjekjes për të mbetur shtatzënë.
Me sa duket, të qenit i ushqyer mirë është thelbësore. Pasojat e kequshqyerjes mund të jenë shkatërruese për shëndetin para lindjes.
Ndoshta gjetjet më të njohura në këtë fushë vijnë nga një studim i foshnjave të ngjizura gjatë “Dimrit të urisë holandeze” të vitit 1944, një mungesë buke tetëmujore që ndodhi kur nazistët ndërprenë furnizimet me ushqim në Holandë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Nënat e ardhshme mbijetonin me vetëm 400 kalori në ditë, një sasi shumë e vogël e kalorive që një grua shtatzënë duhet të marrë gjatë shtatzënisë.
Foshnjat e ngjizura gjatë asaj kohe u përballën me një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë të qenit më të shkurtër dhe më të hollë se ato të lindura para ose pas asaj periudhe, dhe i kishin më të vogla. Kur u rritën, ato kishin norma më të larta të obezitetit, diabetit dhe skizofrenisë.
Ndërsa diskutimet rreth ushqimeve të dobishme shpesh përqendrohen në fertilitetin femëror, ka pasur një ndërgjegjësim në rritje se si dieta mund të ndikojë gjithashtu në fertilitetin e meshkujve.
Një studim i vitit 2015 i çifteve që i nënshtroheshin IVF zbuloi se konsumi i mishit nga meshkujt, dhe veçanërisht lloji i mishit që ata hanin, ndikoi në rezultatin, i matur nga normat e fekondimit. Ngrënia e më shumë shpendëve kishte një ndikim pozitiv në shkallën e fekondimit, ndërsa ngrënia e mishit të përpunuar (si proshutë dhe salsiçe) pati një ndikim negativ. Meshkujt që hanin më pak mish të përpunuar, mesatarisht më pak se 1.5 porcione në javë, kishin 82% shanse për të arritur shtatzëni me partneren e tyre, ndërsa meshkujt që hanin mishin më të përpunuar, me një mesatare prej 4.3 racionesh në javë, kishin vetëm 54 % mundësi.
Dieta e babait mund të ndikojë indirekt tek fëmija i palindur
Një studim i udhëhequr nga studiues në Universitetin e Queensland në Australi ka treguar se ajo që hanë baballarët ka një efekt në shëndetin e ardhshëm të fëmijëve të tyre të palindur. Ekipi analizoi të dhënat nga pothuajse 200 çifte që merrnin kujdes antenatal në maternitetin më të madh të Australisë, Spitalin Mater Mothers’ në Brisbane. Studimi zbuloi se mënyra se si ushqeheshin baballarët ndikoi fort tek zhvillimi i fëmijës.
“Shëndeti dhe ushqimi që konsumojnë burrat neglizhohen, por janë shumë të rëndësishme për fertilitetin”, thotë Shelley Wilkinson, dietologe. “Në fakt këto të dyja mund të ndikojnë edhe në shëndetin e nipërve të tyre”.
Wilkinson gjithashtu thekson rëndësinë e trajtimit të çdo ndryshimi në çift.
“Nëse një person po i përmbush udhëzimet dietike, ka më shumë gjasa të jetë duke e bërë edhe personi tjetër”, thotë ajo. “Ne duhet të fokusohemi në mbështetjen e grave dhe burrave për të bërë ndryshime të shëndetshme. Përndryshe, ne po humbasim gjysmën e betejës.”
Një ndryshim i dobishëm mund të jetë rritja e sasisë së yndyrës në dietën e çiftit, për sa kohë që është lloji i duhur i yndyrës. Yndyrnat e shëndetshme gjenden tek arrat, farat, salmoni, avokado dhe vaji i ullirit. Megjithatë, acidet yndyrore, të cilat mund të vijnë nga burime natyrore ose industriale, dhe që gjenden për shembull në margarinë, donuts, ushqime të skuqura dhe ushqime të tjera të përpunuara, lidhen me një rrezik më të lartë të infertilitetit.
Një dietë e pasur me bimë mund të jetë gjithashtu e dobishme. Studiuesit në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit vlerësuan dietat e një grupi prej 18,555 grave gjatë tetë viteve, teksa tentonin të mbeteshin shtatzënë ose mbetën shtatzënë. Konsumimi i proteinave me bazë bimore si bishtajore, në vend të proteinave me bazë shtazore si mishi i kuq, u shoqërua me më shumë se 50% rrezik më të ulët të infertilitetit.
Autorët e një rishikimi të vitit 2021 mbi lidhjen e mundshme midis dietës dhe fertilitetit femëror arritën në përfundimin se, ndërsa rekomandimet e tyre përqendroheshin te gratë, “dietat dhe modelet ushqyese janë padyshim të rëndësishme si për fertilitetin e meshkujve ashtu edhe për femrat”.
Wilkinson thotë se njerëzit me probleme të infertilitetit janë shpesh në kërkim të një ushqimi të vetëm që promovon fertilitetin, por është më mirë të synohet për një model të përgjithshëm të të ushqyerit të shëndetshëm.
“Thonë se ananasi është si një ushqim magjik për të mbetur shtatzënë por njerëzit duhet të dinë se nuk ka një ushqim të vetëm që të ndihmon”, përfundon Wilkinson.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



