Shumica e këshillave për dietën dhe shëndetin bazohen gjerësisht në supozimin se kaloritë janë kalori dhe nuk ka rëndësi kur konsumohen. Por, disa hulumtime të reja tregojnë që trupat tanë në fakt i përdorin kaloritë në mënyrë më efikase kur konsumohen në mëngjes në krahasim me mbrëmjen. Kjo tregon për një strategji që mund të jetë e dobishme për humbjen e peshës. Ndërsa ka shumë arsye për këtë fenomen, një mund të jetë ritmi cirkadik. Ritmi cirkadik është procesi natyror që bën një sërë ritmesh biologjike brenda periudhës së caktuar të cilësuara si kohë e nevojshme që të përfundojë një cikël prej 24 orësh. Jo vetëm që ritmi ynë cirkadik na bën të ndjehemi të lodhur gjatë natës dhe vigjilent gjatë ditës, por rregullon edhe kohën e proceseve përfshirë tretjen, metabolizmin dhe rregullimin e oreksit, duke sekretuar hormone të caktuara bazuar në atë që hamë dhe kur hamë, aktivitetin tonë fizik dhe kohën.
Ndryshimet në ritmin tonë cirkadik mund të ndikojnë në shëndetin tonë fizik dhe mendor dhe imunitetin tonë.
Duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është ritmi cirkadik për trupin tonë dhe shëndetin e përgjithshëm, ekipi i studimit donte të dinte se çfarë efekti ka ai në metabolizmin tonë.
Bazuar në studimet e kryera, ishte e qartë se trupat tanë me të vërtetë preferojnë që ne të hamë gjatë orëve të ditës, në sinkron me ritmin tonë natyror cirkadik. Shumica e studimeve treguan se prishja e qëllimshme e ritmit cirkadik dhe ngrënia gjatë natës shkaktuan ndryshime në shumë hormone të rëndësishme që rregullojnë oreksin, energjinë dhe rregullimin e glukozës. Ndryshimet në këto hormone mund të rritnin teorikisht oreksin duke ulur nivelet e energjisë, duke çuar në më shumë kalori të fituara por më pak të djegura gjatë gjithë ditës. Kjo potencialisht mund të çojë në shtim në peshë, por nevojiten më shumë hulumtime mbi këtë efekt tek njerëzit.
Sidoqoftë, studimi zbulon se proceset e trupit funksionojnë më së miri kur keni orare të rregullta të gjumit dhe nuk e injoroni ritmin tuaj cirkadik.
Metabolizmi dhe pesha e trupit
Studime të tjera gjithashtu kanë gjetur prova që tregojnë se koha gjatë ditës ndikon në ekuilibrin e energjisë dhe peshën e trupit.
Për shembull, ngrënia e më shumë kalorive në mbrëmjet e vona ka qenë e lidhur me shtimin në peshë dhe mbipeshën për shkak se ngrënia në orët e vona prish ritmet cirkadike dhe energjinë tonë çka bën që të ketë më pak të ngjarë të ushtrojmë ditën tjetër.
Humbja e peshës duket se ndodh vetëm në mëngjes pasi njerëzit që merrnin të njejtën sasi mbasdite ose në darkë, nuk kishin rezultate aq të kënaqshme. Sidoqoftë, duhet të theksohet se jo të gjitha studimet pajtohen që të hash shumicën e kalorive të ditës tuaj në mëngjes çon në humbje më të madhe në peshë.
Një studim i fundit zbuloi gjithashtu ndryshime në sinjalet e trurit që kontrollojnë të ushqyerit në bazë të kohës së ushqyerjes. Studiuesit mendojnë se ngrënia e më shumë kalorive në mëngjes mund të përmirësojë peshën e trupit duke forcuar qendrat e trurit që lidhen me ushqimin, pra në mëngjes truri merr dhe dërgon sinjale që lidhen me ushqyerjen e tepërt dhe nuk të lejon të hash më shumë seç duhet.
Ushqyerja e kufizuar nga koha ndonjëherë e njohur si “agjërim i ndërprerë” është një qasje tjetër që kërkon interes. Kjo ndodh kur njerëzit janë në gjendje të hanë vetëm brenda një afati kohor specifik gjatë ditës (të tilla si gjatë një periudhe tetë ose 12-orëshe). Hulumtimet tregojnë se kjo duket se mbështet humbjen e peshës kryesisht përmes zvogëlimit të marrjes së kalorive, me idenë që ka më pak kohë për të ngrënë. Agjërimi i ndërprerë gjithashtu mund të forcojë ritmin natyror cirkadik duke ndaluar ngrënien gjatë orëve të vona.
Ndërsa ka shumë prova që mbështesin ngrënien gjatë ditës pasi është në përputhje me ritmin tonë cirkadik, akoma ka nevojë për studime të tjera për të kuptuar plotësisht efektin që kjo ka në peshën e trupit.
Sigurisht, lloji i ushqimeve që ju zgjidhni dhe sasia e porcionit tuaj kanë ndikimin më të madh në shëndetin tuaj, por ndoshta duhet të futet dhe ora e të ngrënit si një faktor që ndihmon në uljen e peshës.
Burimi:TheConversation\Përktheu:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.