Shqisa jonë e nuhatjes është një nga më të rëndësishme, duke luajtur një rol jetik në atë që shijojmë, ndërveprimet tona shoqërore dhe madje na ndihmon të zbulojmë rreziqet e mundshme. Por një ndotja e ajrit mund të shkatërrojë aftësinë tonë në të nuhatje.
Për shumë njerëz, periudha e Covid-19 dha një ndjesi të re, se si është të humbasësh shqisën e nuhatjes. E njohur si "anosmia", humbja e nuhatjes mund të ketë një efekt thelbësor në mirëqenien tonë të përgjithshme dhe cilësinë e jetës. Por ndërsa një infeksion i papritur i frymëmarrjes mund të çojë në një humbje të përkohshme të kësaj ndjesie të rëndësishme, ndjenja juaj e nuhatjes mund të jetë zhdukur gradualisht për vite me radhë për shkak të diçkaje tjetër, ndotjes së ajrit.
Ekspozimi ndaj PM2.5, grimcat e vogla të ndotjes së ajrit, kryesisht nga djegia e karburanteve në automjete, termocentrale dhe shtëpitë tona, ka qenë më parë i lidhur me "mosfunksionimin e nuhatjes", por zakonisht vetëm në mjedise industriale. Por kërkimet e reja tani kanë filluar të zbulojnë shkallën e vërtetë dhe dëmin e mundshëm të shkaktuar nga ndotja që ne thithim çdo ditë. Dhe gjetjet e tyre kanë rëndësi për të gjithë ne.
"Të dhënat tona tregojnë se ka një rritje prej 1.6 deri në 1.7 herë të rrezikut për zhvillimin e anosmisë me ndotjen e këtyre grimcave”, thotë Murugappan Ramanathan Jr, pedagog në Shkollën e Mjekësisë Johns Hopkins, Baltimore.
Në përqindje, kjo është një rritje prej 160% deri në 170%.
Me ndihmën e kolegëve, Ramanathan krijoi një studim të të dhënave nga 2690 pacientë që kishin qenë pacientë në Spitalin Johns Hopkins gjatë një periudhe katërvjeçare. Rreth 20% kishin anosmi dhe shumica nuk pinin duhan, një zakon që dihet se ndikon në shqisën e nuhatjes.
Nivelet e PM2.5 u gjetën të ishin "dukshëm më të larta" në lagjet ku jetonin pacientët me anosmi, krahasuar me pjesëmarrësit e shëndetshëm.
Zbulimi ka pasur jehonë në pjesë të tjera të botës në studimet e publikuara këtë vit. Një studim i kohëve të fundit në Brescia, në Italinë veriore, për shembull, zbuloi se hundët e adoleshentëve dhe të rinjve u bënë më pak të ndjeshme ndaj aromave për shkak të ndotjes. Një studim tjetër njëvjeçar në Brazil, tregoi gjithashtu se njerëzit që jetonin në zona me ndotje më të lartë të grimcave kishin një dëmtim në shqisën e nuhatjes.
Por saktësisht, si po e shkatërron ndotja aftësinë tonë për të nuhatur?
Sipas Ramanathan ka dy rrugë të mundshme. Njëra është se disa nga grimcat e ndotjes po kalojnë nëpër hundë dhe po futen direkt në tru, duke shkaktuar inflamacion.
Në vitin 2016, një ekip studiuesish britanikë gjetën grimca të vogla metalike në indet e trurit të njeriut që dukej se kishin kaluar nëpër hundë. Barbara Maher, pedagoge në Universitetin Lancaster në Mbretërinë e Bashkuar, e cila udhëhoqi studimin, tha në atë kohë se grimcat ishin "çuditërisht të ngjashme" me ato të gjetura në ndotjen e ajrit. Studimi i Maher sugjeron që këto grimca metalike, pasi të hyjnë në tru, mund të bëhen toksike, duke kontribuar në dëmtimin e trurit.
Mekanizmi tjetër i mundshëm, thotë Ramanathan, mund të mos kërkojë as që grimcat e ndotjes të futen në tru. Duke ‘goditur’ nuhatjen pothuajse çdo ditë, grimcat shkaktojnë inflamacion dhe dëmtim të drejtpërdrejtë të nervave, duke i konsumuar ato ngadalë.
Prandaj, çuditërisht, anosmia prek në mënyrë disproporcionale njerëzit e moshuar, hundët e të cilëve janë ‘sulmuar’ nga ndotja e ajrit për më gjatë.
Një studim i kohëve të fundit është kryer veçmas nga Instituti Karolinska, në Stokholm. Studiuesja Ingrid Ekstrom ishte në mëdyshje nga gjetjet nga fillimi i viteve 2000 që treguan se më shumë se 5.8% e të rriturve në Suedi kishin anosmi dhe 19.1% kishin një formë të mosfunksionimit të nuhatjes. Duke ditur se nivelet e anosmisë ishin më të larta tek njerëzit e moshuar, Ekstrom dhe kolegët hartuan një studim me 3363 pacientë të moshës 60 vjeç e lart. Duke përdorur "shkopinj nuhatës" me aromë të fortë të 16 aromave të zakonshme shtëpiake, pjesëmarrësit morën një pikë në varësi të numrit që mund të identifikonin saktë. Ashtu si me studimin në Baltimore, adresat e shtëpive të pjesëmarrësve u hartuan dhe u analizuan sipas ndotjes së ajrit. Dhe si në Baltimore, kishte një lidhje të fortë midis niveleve më të larta të ndotjes dhe aftësisë më të dobët të nuhatjes.
“Ata kanë jetuar në zona të ndotura gjatë gjithë jetës së tyre”, thotë Ekstrom.
Në vitin 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ndryshoi udhëzimet e saj të bazuara në shëndetin për një ekspozim mesatar vjetor maksimal ndaj PM2.5, duke e reduktuar atë nga 10 në 5 mikrogramë për metër kub (μg/m3). Stokholmi, është një nga qytetet e pakta të mëdha në botë që arrin të qëndrojë nën këtë nivel me një mesatare vjetore prej 4.2 µg/m3. Për krahasim, Islamabad, në Pakistan, ka një nivel mesatar vjetor PM2.5 prej 41.1 µg/m3 ndërsa është 42.3 µg/m3 në Bloemfontein, Afrika e Jugut.
Kjo pa dyshim i bën gjetjet e Stokholmit edhe më të rëndësishme pasi nëse edhe banorëve të Stokholmit po u ndikon ndotja e ajrit në nuhatje, atëherë sa më keq duhet të jetë në rajonet me nivele të larta?
Ndotja e ajrit dihet se shkakton një të katërtën e të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, dhe gati gjysmën e të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e mushkërive. Për krahasim, ndoshta, shqisa jonë e nuhatjes duket “pak” në listën e shqetësimeve. Por si Ramanathan ashtu edhe Ekstrom paralajmërojnë se ne e nënvlerësojmë rëndësinë e nuhatjes.
Anosmia mund të jetë një shenjë paralajmëruese e hershme për demencën.
“Me demencën dhe veçanërisht me sëmundjen e Alzheimerit, ne supozojmë se përparimi i sëmundjes fillon në fakt disa dekada përpara se të shohim simptomat e para”, thotë Ekstrom.
Anosmia është një nga simptomat e para. Deri në kohën kur diagnostikohet Alzheimer, "pothuajse 90% e pacientëve kanë anosmi", thotë Ekstrom.
Anosmia mund të jetë gjithashtu një tregues i problemeve të tjera, më të gjera shëndetësore. Studime të shumta, në mënyrë tipike për duhanpirësit, për të cilët dëmtimi i nuhatjes vazhdon edhe 15 vjet pas lënies së duhanit, kanë treguar se mosfunksionimi i nuhatjes lidhet ndjeshëm me rritjen e vdekshmërisë tek të moshuarit.
Një studim i veçantë madje hodhi hipotezën se anosmia mund të përdoret si një tregues për gjasat më të mëdha për të vdekur, nga çfarëdo shkaku.
Pra, a e dëmton ndotja e ajrit shqisën e nuhatjes dhe a shkakton anosmi? Përgjigja është “Po”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.