Treg

A mundet që kriptomonedhat të pastrojnë paratë e pista në Shqipëri?

Nga Gisela Troplini - Në pritje të miratimit përfundimtar të projektrregullores mbi tregtimin e kriptomonedhave, kthimi i parave cash në kripto në Shqipëri, po vazhdon të bëhet “në të zezë”.

Kjo veprimtari konfirmohet nga pikat e këmbimit në kryeqytet dhe ekspertët e fushës së transaksioneve digjitale. 

I., punonjësi i një exchange-i në Tiranë tregon për Gazetasi.al se ata janë në pritje të miratimit të rregullores dhe marrjes së licencës, por ndërkohë pranojnë të kryejnë këmbimet nga cash në kripto dhe e anasjella.

“Ne pranojmë shuma deri 300 euro, pa fatura sigurisht edhe pse nuk na lejohet, por kur të marrim licencën e aktivitetit nisin shumat e mëdha, legjitime”, - tregon ai.

Punonjësi i exchange-t thotë se për çdo këmbim që do të bëhet, regjistrohet dhe mbahet një fee, por “shteti nuk takson vetë pagat deri në 30 mijë lekë.”

Kadri Manaj, krijuesi i platformës “Fomobot.al” që tregton kriptomonedha në rrjet, konfirmon se në Shqipëri ka përdorues që hedhin para në sasi të mëdha, informale, në rrjetin e kriptove duke i pasur dhe më të lehta për t’i menaxhuar, por sasia mund të ndryshojë sipas luhatjeve që kanë kriptovalutat.

Siguria e rritur nga vetë rrjeti i kriptovalutave e ka vështirësuar përdorimin e botës virtuale si strehë për larjen e parave të pista, por jo të pamundur.

Manaj shpjegon se për një shumë të madhe duhet të ndodhë kalimi i parave nga banka në exchange, pra janë para të deklaruara.

“Nëse fut në exchange një shumë mbi 50 mijë euro, të duhet deklarimi me faturë në bankë. Tashmë nuk mund të investosh në kripto shuma të mëdha dhe t’i nxjerrësh si përfitime sepse çdo gjë është e regjistruar, shitjet dhe blerjet, si një bursë tradicionale”,- shpjegon ai për "SI".

Edhe në tërheqjën e një sasie të konsiderueshme të parave nga kripto, kërkohet përsëri prova që ato para janë fituar aty.

Ekziston mundësia e investimit të parave nga cash në digjitale, por mbeten përsëri të pista.

“Për të lerë kripto me sasi të konsiderueshme duhet të përdorësh bankën, që ato para të jenë të pastra kur të tërhiqen. Nëse fute në të zezë, mbesin në të zezë.”

“Nëse blen aksione me 100 dollarë dhe do t’i tërheqësh, nuk mund të supozosh se ka shkuar vlera 1.000 dollarë dhe janë bërë x vlerë fitime, sepse çmimi është transparent”,- tregon ai.

Vështirësia e kësaj veprimtarie paraqitet më e lehtë në Shqipëri, duke qenë se asnjë nga bankat tregtare  nuk i ka pranuar monedhat digjitale dhe detajet  e funksionimit të veprimtarisë nuk janë miratuar ende.

Këtë e pranon dhe I., duke thënë se ka një numër të konsiderueshëm të këtyre klientëve, por në mundësinë e tërheqjes  në një vend jashtë Shqipërisë është ndoshta e pamundur, për shkak se transaksionet gjurmohen nga platformat.

Në projektrregulloren që pret të miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, në përputhje me ligjin e miratuar “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, janë vetëm 3 kategori që mund të përfitojnë licencë për aktivitetin e kriptove.

Një është licenca për agjent, zotëruesit e saj mund të tregtojnë vetëm token(monedhën) digjitale për shërbime, pagesa ose asete.

Licenca për bursë parashikon që përveç tregtimit të përcaktuar në kategorinë e parë, zotëruesit mund edhe të tregtojnë paranë digjitale, njohur gjerësisht si kriptomonedha me paranë tradicionale.

Kategoria e tretë, licenca për kujdestarët e portofoli për palët e treta mund  të kryejë tregtimin e tokenëve digjitalë të titujve.

Për të gjithë kategoritë ka një tavan kapitali që subjekti të mund të licencohet. Bursat duhet të ketë një kapital fillestar nga 20 në 90 mln lekë. Agjentët dhe kujdestarët e portofolit minimalisht 18 mln lekë. Subjektet duhet të jenë dhe të siguruara për të paktën 1 vit.

Rregullorja mund të jetë hapi i parë i qëllimit për centralizim të monedhave digjitale në vendin tonë, ku vlera e investimit në kripto ka kaluar 2 mld lekë.

Autoritetet drejtuese në vendin tonë e kanë pranuar idenë  e përshtatjes së pagesave me blockchain në Shqipëri, përveç skeptizimit të Bankë së Shqipërisë. Në linjën e njëjtë me Bankën Qendrore Europiane.

Një rrjet virtual parash do të ketë gjithmonë hapësirë për aktivitete informale dhe pastrim të parave, gjë që është pranuar dhe gjatë miratimit të ligjit në Shqipëri. Sidomos , për sa kohë tregu të mos ketë dorën e fshehtë të Smith ose për sa kohë subjektet e licensuara të jenë laissez fair. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë