Ne rrjet

A mund t’ia dalë Europa pa ushtrinë e SHBA-ve? Ka 60 mijë njësi në dispozicion, Ukraina kërkon 600 mijë

Për garancitë e sigurisë, Evropa mund t'i "ofrojë" Ukrainës vetëm një të dhjetën e trupave të saj

Gazeta Si – A mundet Europa të mbrohet pa forcat e armatosura amerikane? A do të ishte në gjendje të siguronte garancitë e sigurisë të kërkuara nga Volodymyr Zelensky?

Numrat sugjerojnë një gjurmë të parë. Në përgjithësi, 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë një total prej gati 2 milionë ushtarësh, të shpërndarë midis ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore.

Rusia mund të llogarisë në një milion e 100 mijë njësi, sipas të dhënave të mbledhura në raportin e “The Military Balance 2025”, i redaktuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një qendër kërkimore britanike.

Në rast sulmi, vëren gjenerali Giorgio Battisti, ish-komandant i Forcave të Reagimit të Shpejtë të NATO-s dhe tani president i Komisionit Ushtarak të Komitetit Italian të Atlantikut, “Bashkimi Evropian do të ishte në gjendje të mbrohej. Është e vërtetë që ushtritë e vendeve të veçanta përbëhen nga personel mjaft i kufizuar, por ato kanë mjete të sofistikuara teknologjike. Për më tepër, shtetet e mëdha, dhe këtu unë përfshij edhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë aftësi të rëndësishme në aeronautikë. Dhe kjo mund të bëjë diferencën”.

Zonat e jashtme të perimetrit evropian në mënyrë të pashmangshme duken se janë më të blinduarat. Finlanda është një pikë e qartë fuqie, pavarësisht se ka një model të veçantë: ka vetëm 23,850 ushtarë aktivë, krahasuar me rreth 254 mijë rezervë, të trajnuar mirë dhe të gatshëm për mobilizim.

Në anën lindore bie në sy garnizoni polak: 114 mijë burra dhe gra me uniformë, plus një nga arsenalet që ka kohë që është i pajisur me armë moderne amerikane.

Natyrisht, kontributi i Francës, Gjermanisë dhe Italisë mbetet përcaktues, për sa i përket sasisë së ushtarëve dhe cilësisë së mjeteve teknologjike.

Ushtria gjermane, në veçanti, është në transformim të plotë, i cili filloi menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Një gjë, megjithatë, është mbrojtja e kufijve; mundësia për të pasur një rol vendimtar në krizat globale është një tjetër.

Zelensky hipotezon një forcë prej të paktën 200 mijë ushtarësh që mbrojnë vijën e frontit me Rusinë: mbi një mijë kilometra.

A mund ta bëjnë evropianët? Gjeneral Battisti shpjegon: “Dislokimi i 200 mijë ushtarëve nënkupton se do të jetë e nevojshme të mobilizohen të paktën 600 mijë prej tyre, në mënyrë që të mund të vazhdohet me rotacionet thelbësore çdo 6-8 muaj. Vetëm për të dhënë një shembull, kontingjenti italian në Afganistan është ndryshuar katër herë”.

Është një angazhim që duket i paarritshëm për BE-në, edhe me përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar. Qeveritë nuk mund të braktisin mbrojtjen kombëtare dhe duhet të vazhdojnë të marrin pjesë në misionet ndërkombëtare që janë duke u zhvilluar.

Shembulli klasik është pikërisht ai i Italisë, tashmë i pranishëm në nisma të ndryshme në Balltik dhe Evropën Lindore.

Në fund të fundit, vlerëson Battisti, “çdo vend i madh mund të dërgojë rreth 5 mijë ushtarë në Ukrainë; ndoshta Franca diçka më shumë”.

Ndoshta rreth 60 mijë njësi mund të bashkohen për të mbuluar tre turne prej 20 mijë: një forcë e mjaftueshme vetëm për aktivitete patrullimi, me rrezikun e shpërndarjes në një vijë kaq të madhe fronti”.

Përfundim i qartë: çdo iniciativë ushtarake në Ukrainë mund të funksionojë vetëm me kontributin e Shteteve të Bashkuara. Por këtu hyn politika. Donald Trump përsërit se nuk do të dërgojë asnjë marins në frontin e Donbasit.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë