Irena Beqiraj
A mund të dyfishohen të ardhurat për frymë në 8 vite?
Premtimi që meriton më shumë vëmendje nga programi i Partisë Demokratike është dyfishimi i të ardhurave për frymë në 8 vite. Ky objektiv do të ishte vërtet një arritje për çdo skuadër qeverisëse po të kemi parasysh që ky rezultat nuk është arritur asnjëherë në Shqipëri në harkun e 120 viteve.
Të dhënat historike të të ardhurave për frymë të shprehura në dollarë dhe të indeksuara me inflacionin, tregojnë se asnjë qeveri edhe asnjë formë organizimi ekonomik nuk e ka arritur këtë gjë në Shqipëri. Në fakt, të dhënat tregojë që ekonomisë shqiptare i janë dashur 3 dekada (30 vjet) për t’ju afruar, por jo plotësisht dyfishimit të të ardhurave për frymë. Gjatë tre dekadave të ekonomisë së tregut 1990-2020 të ardhurat për frymë janë rritur me 84.7%.
Por kjo rritje nuk ka ardhur vetëm si rezultat i rritjes ekonomike të realizuar, por edhe si rezultat i uljes së numrit të popullsisë me 13.3%. Ndërkohë që gjatë tre dekadave 1940-1970, koha kur filloi industrializimi i vendit, të ardhurat për frymë u rritën me 79.6%, por në këtë periudhë kemi përjetuar edhe rritjen më të madhe të popullsisë me rreth 65.1%. Thomas Piketty, i cili në librin e tij Kapitali e përcakton rritjen ekonomike si funksion i rritjes së të ardhurave për frymë dhe rritjes së popullsisë, do të arrinte në konkluzionin që gjatë dekadave 1940-1970 ekonomia shqiptare është rritur rreth 2 herë më shumë krahasuar me periudhën 1990-2020, edhe kjo për shkak të rritjes së prodhimit vendës.
Por a ka mundësi PD ta përthyejë historinë, pra të dyfishojë të ardhurat për frymë në një dekadë (jo domosdoshmërisht në 8 vjet) duke mos zvogëluar popullsinë? Duke supozuar që popullsia e Shqipërisë nuk do të ndryshojë, që të ardhurat për frymë të shqiptarëve të dyfishohen, duhet të dyfishohet Prodhimi i Brendeshëm Bruto.
Ekonomistët përdorin një rregull të thjeshtë për përcaktimin e normës mesatare vjetore të rritjes ekonomike, e cila mundëson dyfishimin e PBB-së në një periudhë të caktuar.
Norma mesatare e rritjes vjetore = 69/ vitet që kërkohet të arrihet dyfishimi i PBB.
Në bazë të këtij rregulli, në mënyrë që PBB-ja të dyfishohet në tetë vjet, norma mesatare e rritjes ekonomike, duhet të jetë 8.6% . Nëse afati rritet në një dekadë(10 vjet) për të arritur dyfishim të PBB-së norma mesatare e rritjes ekonomike duhet të jetë rreth 7%. Sipas të dhënave botërore që prej vitit 1800 ka disa faktorë që mundësojnë rritje mbi 7%, por jo të gjithë këto faktorë mundësojnë rritje të qëndrueshme afatgjatë.
Një burim i rritjes ekonomike është rritja në eksportin e burimeve natyrore. Një bum i eksportit të burimeve natyrore i shkaktuar nga rritjet e çmimeve në bursa apo nga zhvillimi apo zbulimi i burimeve të reja, ka ofruar mundësi të konsiderueshme rritjeje për periudha të caktuara. Por ky bum ekonomik ka rezultuar i vështirë për t’u mbështetur përtej një dekade. Dekada 2000-2010 ka qenë një periudhë ku rritja është mbështetur gjerësisht në eksportin e burimeve natyrore, por dhe privatizimin e sektorit publik dhe zhvillimin e sistemit bankar, i cili mundësoi kredidhënien për sektorin privat. Eksporti i burimeve natyrore nuk mund të jetë mbështetësi i një rritjeje ekonomike të qëndrueshme gjithëpërfshirëse mbi 7% në Shqipëri.
Përdorimi i mekanizmave të përshpejtimit të rritjes ekonomike. Shumë ekonomi kanë përjetuar rritje mesatare mbi 7% në periudha të përkohshme, për shkak të zgjerimit të shpejtë monetar, rritjes së nivelit të borxhit publik, apo bumit në tregun e pasurive të paluajtshme. Këto mekanizma janë tërësisht të ezauruara dhe ka pak apo aspak shteg për përdorimin e mëtejshmëm të tyre. Biles ka lindur nevoja për kufizimin edhe kontrollin e tyre sidomos të përdorimit të borxhit dhe bumit në tregun e pasurive të paluajtshme. Së dyti, periudha të tilla zgjasin vetëm disa vjet dhe pasohen nga goditje të dhimbshme ose flluska financiare.
Periudhat e Rimëkëmbjes: Një periudhë rimëkëmbjeje, e cila fillon pas një recesioni të madh ekonomik apo politik krijon kushte që ekonomitë të rriten me ritme më të shpejta, derisa të arrihen nivelet e mëparshme të zhvillimit, por ngadalësimi është i menjëhershëm pas kësaj. Zgjedhjet e 2021 zhvillohen pikërisht në një momentum të tillë. Për shkak të pandemisë, kemi përjetuar një rënie ekonomike me gati -8% gjatë vitit 2020, e cila sipas vlerësimeve do të shtrihet me gjasa edhe gjatë 6 mujorit të parë të 2021. Periudha e rimëkëmbjes, e cila pritet të fillojë tremujorin e dytë të 2021 do të shoqërohet automatikisht me një rritje të shpejtë ekonomike, e cila pritet të materializohet në 2022 dhe ndoshta 2023, por mbajta e ritmeve të larta të rritjes përtej periudhës fillestare të rimëkëmbjes është thuajse e pamundur, pa rritur produktivitetin e ekonomisë.
Industrializimi i orientuar drejt eksportit: Eksperienca më shumë se 220-vjeçare botërore tregon se rritja e shpejtë edhe afatgjatë është realizuar përmes mobilizimit të lartë të investimeve, të cilat janë kanalizuar në investime produktive, zakonisht në prodhimin e produkteve të orientuara drejt eksportit. Analizat e bëra nga Universiteti i Harvardit mbi Kompleksitetin Ekonomik, si dhe studimet e fundit të Bankës Botërore, sugjerojë që vendet me kompleksitet të lartë ekonomik – d.m.th me eksporte të larmishme dhe të sofistikuara - kanë gëzuar historikisht mundësinë e rritjes me norma të qëndrueshme mbi 7% në afat të gjatë.
Të gjithë shqiptarët e dinë që ne kemi një portofol eksportesh të padiversifikuar edhe me vlerë të shtuar të ulët. Thënë këtë, programi i çdo partie politike, e cila kërkon të dyfishojë të ardhurat për frymë në një dekadë, apo të ulë varfërinë duhet t'i përgjigjej 4 pyetjeve: Si do rrisim produktivitetin? Si do të rrisim punësimin, por jo atë me lugë në parukeri, taksi, këpucari, e tregti me pakicë? Si do të rrisim investimet në aktivitetet prodhuese dhe teknologji? Si do krijojmë njohuri dhe si do t'i shpërndajmë ato? Deri tani nga programi i PD (me ulje taksash e me rritje rrogash) kam kuptuar që “do të bluajmë misër, por do të hamë grurë”, por kurrsesi nuk kam dëgjuar ndonjë masë ekonomike që adreson 4 shtyllat kryesore me anë të të cilave mund të realizohet “objektivi nobel i “dyfishimit të të ardhurave për frymë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.