Shendet

A mund të shkaktohen shumë raste të demencës nga sëmundja e mëlçisë?

Nga Ashwin Dhanda- Një studim i kohëve të fundit mbi mijëra veteranë të ushtrisë amerikane, zbuloi se 10 për qind e atyre që u diagnostikuan me demencë, vuanin në fakt nga një gjendje të mëlçisë të quajtur Encefalopati Hepatike (HE) – një gjendje gjithsesi e trajtueshme.

Mëlçia mund të dëmtohet nga disa gjëra, duke përfshirë alkoolin, depozitat yndyrore dhe viruset e hepatitit. Kur dëmtimi vazhdon për disa vite me radhë, mëlçia bëhet me dhëmbëza (e njohur si cirrozë) dhe në një moment të caktuar, ajo nuk mund të kryejë më një nga detyrat e saj kritike: de-toksifikimin e gjakut.

Toksinat (kryesisht amoniaku) mund të grumbullohen dhe të futen në tru, duke ndërhyrë në funksionin e trurit. Në këtë rast kemi të bëjmë me Encefalopatinë Hepatike. Ajo mund të jetë shumë e lehtë dhe e vështirë për t’u diagnostikuar. Simptomat mund të jenë aq delikate sa ndryshimet në modelin e gjumit apo nervozizmi.

Ndërsa gjendja përkeqësohet, shfaqen simptoma të tilla si harresa, çorientimi ose konfuzioni. Në formën e tij më të rëndë, mund të shkaktojë gjendje kome dhe vdekje. Pasi të diagnostikohet, mund të trajtohet, fillimisht me laksativë që ndihmojnë në largimin e amoniakut dhe toksinave të tjera që grumbullohen në zorrë.

Kjo pasohet nga trajtimi me një antibiotik (rifaximin), që vret disa nga bakteret e dëmshme që prodhojnë amoniak në zorrë. Nëse është shumë më një formë shumë të rëndë, Encefalopatia Hepatike mund të jetë edhe një arsye për të bërë një transplant të mëlçisë.

Një sëmundje e heshtur

Encefalopatia Hepatike, është më e lehtë për t’u dalluar dhe trajtuar, në rast se e dimë se personi ka cirrozë. Problemi është se cirroza është një gjendje e heshtur, derisa të arrijë në faza shumë të vona, kur mëlçia fillon të mos funksionojë siç duhet. Ajo është shumë më i vështirë për t’u diagnostikuar në popullatën e përgjithshme.

Simptomat e ndryshimit të humorit, sjelljes, konfuzionit dhe harresës vërehen gjithashtu te njerëzit me demencë. Demenca është një gjendje e shkaktuar nga dëmtimi afatgjatë i funksionit të trurit. Kjo shkaktohet më së shumti nga furnizimi i reduktuar i gjakut në tru, për shkak të dëmtimit të enëve të vogla të gjakut nëpërmjet diabetit ose presionit të lartë të gjakut (demenca vaskulare).

Forma të tjera të demencës përfshijnë sëmundjen e Alzheimerit, ku depozitat dëmtojnë trurin duke shkaktuar simptoma tipike të harresës dhe konfuzionit. Studimi i ri amerikan, ekzaminoi të dhënat mjekësore të ish-ushtarëve të trajtuar nga Administrata Shëndetësore e Veteranëve gjatë 10 viteve me një diagnozë të demencës, të kryer në të paktën 2 raste të veçanta.

Ekipi shqyrtoi të dhënat klinike, përfshirë rezultatet e gjakut nga ky grup dhe i përdori ato për të llogaritur indeksin FIB-4 (bazuar tek rezultatet e gjakut të mëlçisë dhe mosha), që mund të përdoret për të parashikuar shkallën e dëmtimit të mëlçisë.

Në këtë studim u përfshinë mbi 175.000 njerëz. Prej tyre, 10 për qind (18.390 persona) kishin një nivel FIB-4 më të lartë 3.25 (një kufi i pranuar për diagnozën e dhëmbëzave të mëlçisë). Studiuesit zbuluan se një nivel i lartë FIB-4 ishte më i zakonshëm tek ata me hepatit viral dhe përdoruesit e mëdhenj të alkoolit, faktorë rreziku për sëmundje të mëlçisë.

Një rezultat i lartë, ishte më pak i mundshëm te njerëzit që kishin diabet, presion të lartë të gjakut apo sëmundje të veshkave, që të gjithë faktorë rreziku për demencën. Kjo sugjeron që njerëzit me një nivel të lartë të FIB-4, mund të kenë sëmundje të mëlçisë me Encefalopatinë Hepatike që shkakton simptomat e saj dhe jo demencë.

Studiuesit i konfirmuan këto gjetje, duke analizuar një grup të veçantë njerëzish që u vlerësuan për demencë në spitalin e tyre. Ata gjetën rezultate të ngjashme, me 9 për qind e pacientëve që kishin një nivel të lartë FIB-4 dhe një cirrozë të mundshme.

Ky studim sugjeron që rreth 10 për qind e njerëzve të diagnostikuar me demencë, mund të kenë sëmundje të heshtur të mëlçisë me Encefalopatinë Hepatike që shkakton ose ndikon tek simptomat. Në këtë rast, nënshtrimi ndaj një diagnoze është shumë i rëndësishëm për t’u bërë, pasi siç e përmendëm në fillim HE është një sëmundje që kurueshme.

Një rrugë e re e rëndësishme

Ky është studimi i parë i këtij lloji, që analizon të dhënat shëndetësore të mbledhura në mënyrë rutinore. E megjithatë, ne duhet t’i trajtojmë me njëfarë rezerve këto rezultate. Së pari, të dhënat vijnë nga veteranët e ushtrisë – 97 për qind meshkuj dhe 80 për qind e tyre të bardhë – dhe rrjedhimisht nuk përfaqësojnë popullatën e gjerë.

Së dyti, FIB-4 u përdor si një tregues i ekzistencës së cirrozës. Është një e dhënë e dobishme që llogaritet lehtësisht, por saktësia e saj varet nga shkaku i sëmundjes së mëlçisë dhe është më e ulët tek njerëzit e moshuar. Së fundi, pasja e niveleve të larta të FIB-4 nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person ka Encefalopati Hepatike.

Ky studim, hap një rrugë të re e të rëndësishme të kërkimeve në këtë fushë. Ajo e rrit ndërgjegjësimin për kontrollin për sëmundjen e mëlçisë tek njerëzit me simptoma të përgjithshme të demencës.

Ky ka të ngjarë të jetë një problem në rritje, pasi po rritet si shkalla e shfaqjes së demencës por edhe cirrozës në mëlçi. Por ne kemi ende nevojë për të dhëna më të mira për të kuptuar plotësisht numrin e njerëzve me HE, që kanë marrë gabimisht një diagnozë të demencës, dhe mënyrën më të mirë për t’i identifikuar dhe trajtuar ata.

Shënim: Ashwin Dhanda është profesor i asociuar i hepatologjisë, Universiteti Plymouth, Britani.

Burimi: The Conversation. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë