Nga Anxhela Çelanji-Përpara se të qeveria të flasë për autonomi spitalore, duhet që spitalet tona të kenë kapacitete të menaxhimit shëndetësor, cilësi shërbimesh dhe mbi të gjitha transparencë. Kështu mendojnë ekspertë të shëndetësisë, pas prezantimit të pak ditëve më parë të projektligjit për autonomi spitalore. Sipas tyre, nëse nuk plotësohen disa parakushte të domosdoshme, atëherë kjo autonomi spitalore do të jetë një reformë sa për sy e faqe.
Në projektligjin e prezantuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, thuhet ndër të tjera se “spitalet autonome organizohen në formën e personit juridik publik, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara”.
Autonomia spitalore konsiston në dy modele:
- Modeli i autonomisë menaxheriale garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatorë të spitaleve publike, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore;
- Modeli i autonomisë financiare garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit për shërbime të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe nga burime të tjera të ligjshme, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore.

Çfarë duhet për realizimin e projektligjit?
Por pikërisht duke folur për përgjegjësitë, Hysein Reka, ekspert i politikave shëndetësore, thotë se projektligji është një iniciativë e mirë, por pa plotësimin e disa kushteve, ai është i destinuar të dështojë. Reka ngre një sërë pyetjesh që lidhen me këtë projektligj:
- A kemi kapacitet të menaxhimit shëndetësor.
- A kanë spitalet menaxher të kualifikuar dhe me eksperiencë?
- Si është cilësia e shërbimeve shëndetësore?
- A do të matet eksperienca e pacientëve?
Dhe më kryesorja për ekspertin Reka është se, cilat do të jenë parametrat për matjen e performancës në bazë të së cilës do të jepet ose merret autonomia?
“Si politikë është shumë e mirë po duhet “pjekur” mirë dhe me shumë transparencë. Nëse nuk është përgatitur si duhet dhe nuk ka transparencë se si do të bëhet evoluimi i rezultateve të autonomisë, atëherë do të jetë një reformë sa për sy e faqe”, shton Reka për Gazetasi.al.
Ndërkaq, në projektligj përcaktohet se aplikimi për autonomi spitalore bёhet nga ana e spitaleve publike nё Ministrinë e Shёndetёsisё. Kjo bëhet nëpërmjet një formulari të veçantë, të miratuar me urdhër ministri.
Duke analizuar projektligjin Reka shpjegon se në letër duket mirë, por realizimi lidhet jashtëzakonisht shumë me transparencën.

Çfarë të mirash do të ketë për qytetarët?
Sipas tij një politikë e tillë kërkon resurse shumë të forta menaxheriale të cilat duhen edukuar mirë dhe kjo nuk përcaktohet në projektligj.
“Kjo politikë sjell përmirësim të shërbimeve dhe cilësisë por nëse matet vetëm performanca financiare, nuk mbetet gjë për pacientët”, shton Reka.
Sipas ekspertit elementi i matjes së cilësisë dhe matja e rezultateve të shërbimeve shëndetësore mungojnë në këtë propozim.
Ai shton se spitalet mund të jenë shumë efikase në dhënien e shërbimeve, nëse bëhet matja e performancës financiare. Por ai thekson se nuk funksionon asgjë nëse rezultatet shëndetësore janë të dobëta.
Reka shton se kjo politikë është si medalja me dy anë. Njëra pa tjetrën nuk japin pasqyrë të plotë të performances.
Në projektligj thuhet se shfuqizimi i kartës së autonomisë, bëhet kur Ministri konstaton parregullsi dhe shkelje, që cenojnë kriteret e përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore.
Duke u fokusuar përsëri te transparenca, Reka sjell shembullin e Maqedonisë së Veriut, që ndoqi sistemin e Turqisë ku mjekët paguhen në bazë të performancës.
“Nuk kishte aspak transparencë. Menaxherët nuk kishin kritere të qarta, se cila duhet të ishte cilësia e punës. Nuk kishin eksperiencë. Kështu doli një formulë e çuditshme me shumë pak të dhëna”, shton Reka.
Eksperti shprehet se transparenca do të jetë sfida kryesore. Sepse sipas tij, kjo politikë për mjekët mund të stimulojë vëllim dhe jo cilësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.