Inflacioni është një betejë që njerëzit në mbarë botën po luftojnë. Por lufta është veçanërisht e mprehtë në Turqi, ku njerëzit e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë jetesën. Ata po marrin vendime të vështira për atë që mund të përballojnë dhe si buxhetojnë.
Një përzierje e inflacionit në rritje dhe një monedhe që ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj ka krijuar një krizë të kostos së jetesës në vend. Inflacioni u rrit në 48.7% në janar, pasi arriti në 36% në dhjetor. Por disa ekonomistë mendojnë se norma aktuale mund të jetë shumë më e lartë.
Brenda dy javësh, banka qendrore e Turqisë do të takohet për të diskutuar strategjitë për lehtësimin e ‘dhimbjeve’ për familjet. Por politikëbërësit nuk kanë gjasa të ndjekin metodën e zakonshme të ftohjes së inflacionit me norma interesi më të larta. Kjo për shkak se Presidenti Erdogan beson se normat më të larta shkaktojnë inflacion, një pikëpamje që bie ndesh me teorinë ekonomike konvencionale. Dhe në katër nga pesë muajt e fundit, ai e ka drejtuar bankën qendrore që në vend të kësaj të ulë normat. Këtë javë presidenti tha se për “disa kohë”, njerëzit në të gjithë vendin do të duhet të “mbajnë barrën” e inflacionit.
Situata ekonomike po bëhet gjithnjë e më e rëndë për ata brenda vendit. Por një kurs këmbimi i favorshëm e ka bërë Turqinë një destinacion më tërheqës për pushime për njerëzit në pjesë të tjera të botës. Përpara pandemisë së koronavirusit, në vitin 2019 turizmi solli 34 miliardë dollarë në Turqi. Dhe megjithëse bllokimet dhe kufizimet e udhëtimit goditën sektorin në vitin 2020, ai u rikthye në vitin 2021. Mbërritjet u ‘hodhën’ me 85.5%, megjithëse të ardhurat ishin ende një të tretën më të ulëta se sa ishin para pandemisë.
Turizmi përbën rreth 13% të ekonomisë së përgjithshme të Turqisë. Vendi ishte destinacioni i gjashtë më i popullarizuar turistik në vitin 2019, sipas Organizatës Botërore të Tregtisë. Dhe, edhe atëherë, kursi i favorshëm i këmbimit ishte një faktor kyç në tërheqjen e turistëve. Nëse industria vazhdon të rimëkëmbet ndërsa kufizimet e udhëtimit vazhdojnë të lehtësohen këtë vit, kjo mund të sigurojë përfitime më të gjera ekonomike për Turqinë.
Burimi:BBC/Gazeta “SI”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



