Birkenstocks: Janë kudo në verë, komode dhe shumë gjermane. Ndonjëherë ato duken elegante dhe ndonjëherë thjesht të rehatshme. Por a mund të konsiderohen këto sandale art?
Kjo është pyetja me të cilën Gjykata Federale e Drejtësisë e Gjermanisë u ndesh, dhe vendosi se ato janë thjesht këpucë komode.
Birkenstock, e cila ka selinë në Linz am Rhein, Gjermani thotë se tradita e prodhimit të sandaleve daton në vitin 1774 dhe për këtë ngriti një padi kundër tre konkurrentëve që shitën sandale që ishin shumë të ngjashme me të sajat.
Prodhuesi i sandaleve pretendoi se sandalet e tij “janë vepra të artit të mbrojtura nga e drejta e autorit” që nuk mund të imitohen. Sipas ligjit gjerman, veprat e artit gëzojnë mbrojtje më të fortë dhe më afatgjatë të pronësisë intelektuale sesa produktet e konsumit.
Kompania kërkoi një urdhër për të ndaluar konkurrentët e saj të bënin sandale të ngjashme dhe t’i urdhëronin ata të tërheqin dhe shkatërrojnë ato që tashmë janë në treg. Kompanitë e paditura nuk janë identifikuar në deklaratën e gjykatës.
Përpara se gjykata më e lartë e Gjermanisë për gjykimet civile të vendoste, çështja ishte dëgjuar në dy gjykata më të ulëta, të cilat nuk ishin dakord për këtë çështje.
Një gjykatë rajonale në Këln fillimisht i njohu këpucët si vepra arti dhe dha urdhrin për asgjësimin e sandaleve që ishin në treg, por gjykata më e lartë e Këlnit e anuloi urdhrin në apel.
Gjykata e apelit tha se nuk ishte në gjendje të vendoste ndonjë arritje artistike në sandalet që në pamje të parë duken shumë të thjeshta.
Gjykata Federale e Drejtësisë mbajti anën e gjykatës së apelit dhe e pushoi çështjen. Në vendimin e saj, ajo shkroi se një produkt nuk mund të mbrohet nga e drejta e autorit nëse nuk arrihet një nivel dizajni që zbulon individualitetin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.