Analize

A mund të frenohet e djathta ekstreme në Evropë?

Nga Gazeta ‘Si’ – Tashmë është e qartë se miratimi apo kopjimi i qasjeve të partive të ekstremit të djathtë, si një strategji për të frenuar ngritjen e tyre në pushtet, ka dështuar. Për të fituar besimin e votuesve, partitë kryesore duhet që të rilidhen me bazën e tyre të mbështetësve, dhe të adresojnë shqetësimet e tyre.

Thorsten Benner, bashkëthemelues dhe drejtor i Institutit Global të Politikave Publike (GPPI):

Për të pasur një kontroll efektiv të së djathtës ekstreme në Evropë, fronti kryesor është Gjermania. Alternativa për Gjermaninë (AfD), është aktualisht partia më e fortë në 3 lande, ku në vjeshtën e këtij viti do të mbahen zgjedhjet lokale. Kancelari Scholz e ka përçmuar AfD-në duke e etiketuar me ironi si një “parti me një humor të keq”.

Partitë e tjera ose janë përpjekur të rifitojnë votuesit e tyre duke e sulmuar AfD-në si tejet raciste dhe antidemokratike, ose kanë kopjuar disa nga qasjet e saj. Tani për tani, asnjë nga këto strategji nuk duket se po funksionon. Kundërvënia ndaj rritjes të së djathtës ekstreme në Gjermani, premton të jetë një betejë e gjatë.

Dhe për këtë nuk ka një formulë magjike. Sigurisht, Gjermania duhet të braktisë kufizimet e vetë-imponuara ndaj borxhit, të cilat nxisin shkurtime të forta buxhetore, duke i shtyrë votuesit më tej tek ekstremet ideologjike. Kristiandemokratët, partia kryesore e opozitës, duhet të ruajnë politikën e tyre të mosbashkëpunimit në asnjë rrethanë me AfD-në.

Demokratët duhet të qëndrojnë pranë atyre që janë në shënjestër nga planet raciste të AfD-së mbi dëbimin e miliona emigrantëve. Vetë-identifikimi i Gjermanisë si një “demokraci militante”, do të thotë të shqyrtosh seriozisht nëse nxjerrja jashtë ligjit e AfD-së, është apo jo një hap i domosdoshëm.

Caroline De Gruyter, korrespondente për çështjet evropiane për think-tankun NRC Handelsblad:

Në shumë vende, e djathta ekstreme ka një rezervuar potencial prej rreth 1/3 të votave në total. Nëse ai do të përdoret apo jo, kjo do të varet kryesisht nga partitë e qendrës së djathtë. Këto të fundit, do të përcaktojnë nëse e djathta ekstreme do të bëhet e pranueshme apo jo nga pikëpamja sociale dhe politike.

Kur partitë e qendrës së djathtë qëndrojnë pikërisht në qendrën politike, ku janë të pozicionuar shumica e votuesve, shpeshherë e djathta ekstreme nuk arrin që të depërtojë. Në Hungari, Viktor Orbán e zhvendosi partinë e tij fillimisht centriste larg qendrës politike.

Partia për Liri (PVV) u bë më e madhja në Holandë, sepse pasi partitë e qendrës së djathtë ia hapën derën e bashkëpunimit, një derë që për vite me radhë ishte e mbyllur. Në Spanjë, ndodhi e kundërta:kur Partia Popullore e qendrës së djathtë (PP), refuzoi të bashkëpunonte me Vox-in e ekstremit të djathtë, kjo e fundit nisi të binte në sondazhe. Pasi u kuptua se një votë për Vox, ishte një votë e humbur.

Në vitet 1930, konservatorët gjermanë bënë aleanca me nazistët, dhe më pas u eliminuan prej tyre. Pas luftës, partitë e qendrës së djathtë formuan një tampon të qëndrueshëm kundër partive ekstremiste, duke refuzuar të bashkëpunojnë. Sot, shumë konservatorë duket se e kanë harruar atë leksion, duke i sakrifikuar parimet e tyre në “altarin” e kutisë së votimit, në përpjekje për të mposhtur radikalët e ekstremit të djathtë në çështjet e të preferuara si siguria apo migrimi.

Në këtë drejtim po shkon edhe Partia Popullore Evropiane. Në këtë mënyrë, partitë e qendrës së djathtë i normalizojmë idetë ekstreme dhe e margjinalizojnë vetveten. Këtë gjë e tregon më së miri rënia e madhe e Republikanëve në Francë, Partisë Popullore Austriake (ÖVP) apo Partisë Popullore Holandeze për Liri dhe Demokraci (VVD).

Martin Ehl, kryeanalist në Hospodářské Noviny:

Po, e djathta ekstreme në Evropë mund të frenohet. Por vetëm me një kusht:Që politikanët nga partitë e djathta, të qendrës dhe të majta, të mos kenë frikë nga votuesit e tyre. Pra ekziston një nevojë në rritje për ta përdorur populizmin në dobi të partive të moderuara në demokracitë liberale, dhe një nevojë gjithnjë e në rritje për një udhëheqje të vërtetë.

Përdorimi i populizmit për hir të demokracisë, dhe përdorimi i mjeteve moderne të komunikimit në të njëjtën kohë, janë dy mjete që mund të ndihmojnë në përballimin e ekstremit të djathtë. Nganjëherë politikanët kanë frikë të takohen dhe të përballen me njerëzit, për të diskutuar mbi problemet e tyre reale.

Ata mbështeten shumë te ndërmjetësit, si agjencitë e PR dhe këshilltarët e tyre në hije. Kjo “punë në terren”, duhet të shoqërohet me të gjitha mjetet e mundshme të komunikimit, përfshirë rrjetet sociale, dhe më pas me ndryshime politikash të cilat duhet t’u paraqiten votuesve në një mënyrë të kuptueshme.

Për shembull ndihma për Ukrainën, nuk mund të mbrohet me fraza të marra nga librat e shkencave politike, por me shembuj të jetës reale. Në këtë aspekt, politikanët e ekstremit të djathtë janë shumë më të aftë. Ata takohen dhe diskutojnë shpesh me njerëzit, gjë që u jep votuesve përshtypjen se këta politikanë i kuptojnë më mirë.

Denis Macshane, ish-Ministër për Evropën në qeverinë e Britanisë së Madhe

E djathta ekstreme e sotme, që shpesh i ka rrënjët në fashizmin e para 1940-ës, nuk është më e fortë nga sa ishte ekstremi i majtë stalinist pro-sovjetik në Francë dhe Itali midis viteve 1945-1975. Për më shumë se një dekadë, jo pak analistë kanë parashikuar që e djathta ekstreme do të merrte drejtimin e shumicës së vendeve të Evropës.

Megjithatë, votuesit në Poloni, Spanjë, Francë në vitin 2022, dhe këtë vit në Britaninë e Madhe, po e refuzojnë të djathtën ekstreme që po nxit urrejtjen kundër emigrantëve. Kjo e fundit do të dalë gjithsesi mirë në zgjedhjet për në Parlamentin Evropian në qershor të këtij viti, për shkak të një vote proteste.

Ishte Parlamenti Evropian, ai që disa vite më parë i dha hapësirë Nigel Farage. Por pak muaj më pas, ai dështoi të zgjidhej deputet në zgjedhjet parlamentare britanike. Dështimi i partive të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë të shekullit XX, për të gjetur përgjigje mbi çështje si migrimi masiv dhe varfëria e klasës punëtore, teksa i përkulen kultit të ekonomisë ultra-liberale të Davos-it, i ka hapur dyert për të djathtën ekstreme, me racizmin dhe nostalgjinë e saj për Evropën e të bardhëve, katolikëve dhe të pasurve.

Politikanët e të djathtës ekstreme po dëmtojnë njëri-tjetrin, siç po e tregojnë në Itali Matteo Salvini dhe kryeministrja Giorgia Meloni. Teoria ekonomike e ekstremit të djathtë, është plot me kontradikta. Politika homofobike e Melonit dhe sulmi i saj ndaj veganëve janë të neveritshme, por jo simpatia ndaj Mussolinit.

Ndërsa Spanja, Polonia, dhe së shpejti Britania dhe vende të tjera, po tregojnë se e djathta ekstreme po pushton vërtet titujt e mediave, por ajo nuk ka fituar ende mjaftueshëm vota për të pushtuar Evropën.

Marrë me shkurtime nga “Carnegie Europe”/Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë