Motosport

A mund ta zëvendësojë Formula 1 virtuale atë reale?

Koronavirusi ka pezulluar pothuajse të gjitha aktivitetet në botë, përfshirë edhe sportin. Formula 1 nuk bën përjashtim, me Grand Prix të Australisë të anuluar në minutën e fundit për shkak të rrezikut të lartë të infektimit midis pilotëve dhe stafit (3 të infektuar te McLaren dhe Haas) dhe fillimi i kampionatit është shtyrë, për momentin, më 14 qershor në Kanada, në pistën e qytetit të Montrealit, edhe pse kushtet aktuale mund të ndryshojnë nga një moment në tjetrin, qoftë për mirë ose për keq.

https://twitter.com/TRL_Limitless/status/1247090892302884864

Cila është zgjidhja? Si mund të kapërcehet ky problem, që rrezikon të dëmtojë tërë markën F1 për shkak të mosaktivitetit? Një zgjidhje e pjesshme është gjetur, që me siguri do të hapë jo pak debate në të ardhmen: zhvillimi i garave virtuale me anë të lojërave elektronike, saktësisht F1 2019, prodhuar nga Codemasters.

Fushëveprimi i të ashtuquajturave Esports është shumë i larmishëm, dhe Formula 1 virtual paraqet vetëm njërën nga aspektet e shumta të këtyre disiplinave që kapin shifrat marramendëse, në finale të kampionatit botëror 2016 të League of Legends (lojë shumë e famshme online), ekipi fitues, koreanët e SK Telecom T1, u kthye në shtëpi me 2 milion dollarë. Përveç paragjykimeve, është gjithashtu një “profesion” i vështirë, i cili kërkon shumë orë stërvitje në ditë, ku lojtarët e ndryshëm ndonjëherë duhet të duhet të përgatiten në mënyrë adekuate edhe në nivelin fizik, si në rastin e Brendon Leigh, kampionit të parë virtual në botë në Formula 1 2017 (ri konfirmuar në 2018), i cili pasi u punësua nga Mercedes për të garuar në F1 Esports Series, iu desh të nënshtrohej një diete dhe ushtrime të ngjashme me ato të pilotëve të vërtetë.

Duke parë rëndësinë e eSports u vendos që të shfrytëzohet ky potencial në mënyrë që të krijohen një seri garash virtuale në atë mënyrë që të kompensohet mungesa e atyre reale dhe më  5 Prill u zhvillua Grand Prix e Australisë në dy kategori: për pilotët profesionistë “të vërtetë” (ku morën pjesë Charles Leclerc, Alexander Albon, Lando Norris, George Russell, Stoffel Vandoorne dhe Antonio Giovinazzi), dhe tjetra për lojtarët e eSports.

Të dyja kompeticionet rezultuan shumë interesante, me Leclerc që siguroi një fitore mjaft të lehtë në kategorinë e tij, ndërsa ajo e shoferëve virtualë pa të triumfonte danezin Frederik Rasmussen, nën kontratë me Red Bull Racing Esports. Duke qenë se po flasim për një botë virtuale, natyrisht, nuk është 100% reale: lojtarët e ndryshëm ishin në gjendje të bënin disa manovra që në realitet do të përktheheshin me aksidente të rënda dhe dënime, por përpos kësaj rezultati ishte i kënaqshëm dhe interesant.

A mund të jetë eSports një zëvendësues i Formula 1 ose një imitim i zbehtë të tij? Me shumë mundësi që jo, pasi është një sport virtual, thellësisht i ndryshëm. Por, pas kësaj përvoje, e cila pritet të zgjasë të paktën deri në qershor, Formula 1 dhe eSports do të dalin me një imazh tjetër. Edhe publiku , përveç profesionistëve, do të jetë në gjendje të eliminojë mosbesimin ndaj botës virtuale. Formula 1 ka zgjedhur mënyrën më të mirë për të përfituar nga karantina dhe tani ka mundësinë të promovojë një nga aspektet e saj që ka të ngjarë të përfshijë më shumë publikun, duke hapur rrugën për një epokë të re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë