Shendet

A mund ta trajtojnë sepsis kurat më të shkurtra të antibiotikëve?

Studiuesit po përpiqen të zbulojnë nëse një metodë e re e trajtimit të sepsis mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të superbaktereve.

Sepsis është një gjendje kërcënuese për jetën që ndodh kur sistemi imunitar reagon tepër ndaj një infeksioni dhe mund të shkaktojë dëmtime në organet e një personi.

Sëmundja mund të trajtohet duke përdorur antibiotikë, por përdorimi i tepërt i tyre mund të çojë në rezistencën e mikroorganizmave të rrezikshme ndaj ilaçeve.

Universiteti i Neëcastle po udhëheq një provë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të përcaktuar nëse një kurë më e shkurtër e antibiotikëve mund të trajtojë sepsis, duke u dhënë superbaktereve më pak mundësi për t’u zhvilluar.

Tom Hellyer, lektor në Universitetin e Newcastle dhe studiuesi kryesor i studimit, tha se gjetja e ekuilibrit të duhur të përdorimit të barnave mund të jetë sfiduese.

“Antibiotikët fillohen shpejt për sepsis për shkak të ashpërsisë së sëmundjes, por kohëzgjatja e saktë e nevojshme për të trajtuar infeksionin aktualisht nuk dihet,” tha ai, duke shtuar se shpreson që studimi të ndihmojë në përcaktimin e përdorimit më të sigurt dhe efektiv të antibiotikëve për pacientët me këtë gjendje.

Hulumtimet kanë zbuluar se trajtimi i pacientëve me antibiotikë gjatë një periudhe të shkurtër mund të jetë po aq efektiv sa një kurë më e gjatë për disa infeksione, por nuk dihet nëse kjo funksionon për sepsis.

Prova do të shqyrtojë nëse një kurë pesë-ditore me antibiotikë është po aq e sigurt sa trajtimi i zakonshëm, i cili zhvillohet gjatë shtatë ditëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë