Shpesh secili nga ne, kur riprovon dhe rishikon se gjërat po shkojnë keq, ka mërmëritur nën dhëmbë se pse nuk arrijmë të çohemi kundër si shoqëri. Këtë mungesë të revoltës qytetare të materializuar në tubime e protesta, që tani mund të ishin më të shpjegueshme për shkak të skandaleve të rënda të korrupsionit, e etiketojmë si apati morale ose si mungesë ndërgjegjeje shoqërore. Por kjo autokritikë është e cekët. Në realitet, ajo që karakterizon sot shoqërinë shqiptare nuk është mungesa e zemërimit, por mpirja politike — një gjendje e ndryshme, më e thellë dhe më e rrezikshme se indiferenca.
Mpirja nuk nënkupton pajtim me padrejtësinë. Përkundrazi, ajo lind pikërisht nga akumulimi i padrejtësive pa pasoja. Në këtë kuptim, shoqëria mund të jetë njëkohësisht e vetëdijshme për korrupsionin dhe e paaftë për revoltë. Ky nuk është paradoks, por një mekanizëm i studiuar gjerësisht në shkencat shoqërore.
Konceptet e apatisë politike dhe të learned helplessness shpjegojnë se kur individët përballen vazhdimisht me një sistem ku reagimi nuk sjell ndryshim real, ata mësojnë pafuqinë. Zemërimi nuk zhduket, por shndërrohet në cinizëm, distancim ose emigrim. Protesta, në këtë kontekst, perceptohet jo si mjet ndryshimi, por si ritual i parashikueshëm dhe i padobishëm.
Në terrenin aktual të këtyre ditëve, kjo ndihmon për të kuptuar pse protestat e opozitës, si grupimi më i madh vullnetar dhe me më shumë instrumente për të ndryshuar gjërat, pavarësisht denoncimeve të forta, dështojnë të mobilizojnë masivisht shoqërinë. Problemi nuk është mungesa e arsyeve për revoltë, por mungesa e besimit se revolta prodhon rezultat. Studimet mbi lëvizjet sociale,( veçanërisht ato të përmbledhura në teorinë e politics of contention), tregojnë se pakënaqësia është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për mobilizim. Ajo duhet të shoqërohet me strukturë organizative, lidership të besueshëm dhe perceptim të mundësisë reale për fitore.
Në Shqipëri, këta faktorë mungojnë ose janë konsumuar. Opozita shihet shpesh si pjesë e së njëjtës elitë që ka prodhuar zhgënjimin, çka e bën thirrjen e saj për revoltë pak bindëse. Kjo krijon një rreth vicioz: shoqëria është e mpirë sepse nuk beson te politika, ndërsa politika dështon të mobilizojë sepse përballet me një shoqëri të mpirë.
Në këtë kuptim, mungesa e revoltës nuk duhet interpretuar si mungesë ndjenje morale, por si krizë përfaqësimi dhe shprese. Shoqëria shqiptare nuk është e qetë; ajo është e lodhur. Dhe lodhja kolektive është shumë më e rrezikshme se zemërimi, sepse nuk shpërthen — ajo tretet.
Për rrjedhojë, pyetja nuk është pse qytetarët nuk ngrihen, por çfarë e ka bërë ngritjen të duket e pakuptimtë. Pikësëpari, politika duhet të kuptojë se pa adresuar këtë pyetje, çdo thirrje për revoltë do të mbetet thjesht zhurmë mbi një heshtje të thellë shoqërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




