Analize

A ka mbaruar mrekullia kineze?

Nga Yao Yang – Ecuria ekonomike e Kinës gjatë vitit të kaluar ka qenë zhgënjyese. Aq sa disa analistë po thonë se rritja e gjigantit aziatik e ka arritur kulmin tashmë, dhe se nga këtej e tutje pritet një rënie. Por është shumë herët të flitet për fundin e qëndrueshmërisë ekonomike të Kinës.

Me fillimin e vitit 2023, heqja e kufizimeve shumë të ashpra në kuadër të qasjes “zero-Covid”, nxiti një lloj euforie të brendshme, e reflektuar në rritjen e konsumit. Megjithatë panorama u errësua shpejt, teksa 3-mujori i dytë solli një rënie të eksporteve, stanjacion të shitjeve me pakicë, rënie të fitimeve nga korporatat, shkurtime të shpenzimeve të qeverisë lokale dhe dobësim të sektorit të pasurive të paluajtshme.

Besimi i biznesit kinez ra ndjeshëm, ndërsa bizneset e huaja u trembën. Në nëntor 20023, Kina regjistroi deficitin e saj të parë 3-mujor në investimet e huaja direkte. Gjithsesi ekonomia kineze mund të rritet me të paktën 5 për qind këtë vit, një nivel ky i kënaqshëm sipas standardeve ndërkombëtare.

Por aspekti më i rëndësishëm:ekonomia e Kinës ka ende shumë rezerva valutore, falë një norme kursimi rekord, dhe kjo do të thotë se ka ende shumë para në dispozicion për investime dhe inovacion. Tashmë, Kina po investon shumë në teknologjitë e reja – si energjia e rinovueshme, makinat elektrike dhe Inteligjenca Artificiale – të cilat do t’i japin formë ekonomisë globale gjatë dekadave të ardhshme.

Po ashtu, Kina po e zhvillon me shpejtësi kapacitetin e saj në teknologjitë në zhvillim si fuzioni bërthamor, llogaritja kuantike, komunikimi kuantik dhe gjysmëpërçuesit fotonikë.

Ne e dimë se kjo strategji po funksionon. Këtë gjë e kemi parë në ekonomi të tjera të suksesshme, si Japonia në vitet 1970-1980.

Megjithatë Kina përballet edhe me sfida që i kundërvihen rritjes ekonomike. Tensionet gjeopolitike – sidomos përpjekja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për t’u “shkëputur” ekonomikisht nga Kina – po dekurajojnë investimet e huaja direkte, dhe po i nxisin kompanitë të diversifikojnë prodhimin e tyre larg Kinës.

Por në vend se të largohen krejtësisht nga Kina, shumë kompani të huaja po bazohen tek  strategjia “Kina+1”, pra duke ngritur fabrika të reja në një vend të tretë, por duke e ruajtur aktivitetin e tyre në Kinë. Dhe arsyeja për këtë është shumë e thjeshtë:me 30 për qind të vlerës së shtuar totale të prodhimit në botë – sa pjesa e Gjermanisë, Japonisë dhe SHBA-së të marra së bashku – Kina ofron ende një avantazh të madh në aspektin e kostove kompanive të huaja.

Shtojini kësaj kapacitetin e madh e të tepërt që zotëron, dhe atëherë mund të thuhet se sektori i prodhimit të Kinës do të vazhdojë të lulëzojë. Në fakt, e vetmja gjë që do të arrijë në fund përpjekja e SHBA-së për të shkëputur në masë lidhjet e saj ekonomike me Kinën, do të jetë nxitja e kësaj të fundit për të përshpejtuar zhvillimin e aftësive të veta prodhuese jashtë shtetit, ashtu siç ka bërë Japonia duke nisur që nga vitet 1980.

Po ashtu, në rritjen ekonomike afatgjatë të Kinës, është mbivlerësuar ndikimi i mundshëm i tendencave të pafavorshme demografike. Është e vërtetë që popullsia e Kinës po plaket dhe po zvogëlohet me shpejtësi. Por ndërsa Inteligjenca Artificiale mundëson automatizimin në një gamë të gjerë punësh, do të rritet produktiviteti, dhe njëherazi do të bjerë kërkesa për punën e njerëzve.

Paralel me përmirësimin e arsimit, ky proces duhet të kompensojë më shumë se sa vetëm tkurrjen e fuqisë punëtore. Dhe kjo mund të krijojë ndoshta sfidën e kundërt:shumë pak vende pune. Atëherë çfarë e shpjegon rimëkëmbjen e ngadaltë ekonomike të Kinës nga pandemia Covid-19? Përgjigja qëndron tek politika e qeverisë kineze.

Gjatë viteve të fundit, qeveria qendrore ka punuar për të reduktuar pabarazitë që kërcënojnë perspektivat e rritjes afatgjatë të Kinës, duke filluar me borxhet e mëdha të kompanive shtetërore, kompanive private (si ato në sektorin e pasurive të paluajtshme) dhe qeveritë lokale.

Nëse Kina ka mësuar diçka nga SHBA-ja, ajo është se financimi i tepërt mund ta shkatërrojë sektorin e prodhimit të një vendi. Për këtë arsye, autoritetet kineze janë të përkushtuara për uljen e nivelit të financimit. Në këtë aspekt, prioritet është pushteti vendor.

Që nga viti 2010, Kina ka kryer 2 raunde të mëdha të zgjerimit fiskal dhe monetar, ku secila çoi në një rritje të borxheve tregtare të qeverive vendore. Pas raundit të parë, në vitet 2014-2018, qeveria qendrore i lejoi qeveritë lokale të emetojnë obligacione me terma afatgjata maturimi me vlerë 8 trilion ¥ CN (1.1 trilion dollarë), në mënyrë që të mund të paguanin borxhet e tyre tregtare, pra një lloj programi i shkëmbimit të borxhit.

Por qeveritë vendore u detyruan të merrnin sërish shumë hua gjatë pandemisë Covid-19,duke akumuluar akoma më shumë borxhe, problem të cilën autoritetet po punojnë për ta adresuar. Një prioritet tjetër për qeverinë qendrore është zbutja e komercializimit të tepruar të disa sektorëve.

Për shembull marrim industrinë e kujdesit social:familjet i paguajnë kompanitë private për klasat pas shkollës, duke shpresuar t’u japin fëmijëve një avantazh ndaj bashkëmoshatarëve të tyre. Por këto kompani kanë tarifa të larta, të cilat prindërit i paguajnë me shumë vështirësi, dhe që nga ana tjetër u ofrojnë pak përfitime nxënësve, që tashmë harxhojnë shumë energji në shkollë.

Pra në vitin 2021 – teksa industria private e mësimdhënies arriti në 120 miliardë dollarë – autoritetet e ndalën mësimin pas shkollës në lëndët kryesore. Çekuilibri i tretë i rëndësishëm që po përpiqet të ndreqë qeveria e Kinës, ka të bëjë me sektorin e pasurive të paluajtshme, që është shumë i madh, dhe që midis viteve 2013-2021 zinte rreth çerekun e të gjithë investimeve.

Në kushtet kur disa kompani të mëdha në këtë sektor, e kanë të vështirë të shlyejnë borxhet e tyre, stabilizimi i këtij sektori është kthyer në një prioritet kryesor për politikë-bërësit kinezë.

Asnjë nga këto zhbalancime, nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për rritjen e ekonomisë kineze.

Por reduktimi i tyre, do të forcojë shëndetin afatgjatë të ekonomisë kineze. Për këtë arsye, qeveria e Kinës po ndërmerr veprime të guximshme, pavarësisht kostove në një periudhë afatshkurtër. Për shembull që nga mesi i vitit 2021, shitjet e banesave kanë rënë me rreth 40 për qind, kryesisht për shkak të përpjekjeve të qeverisë për të frenuar ecurinë e këtij sektori. Lajmi i mirë është se qeveria kineze e ka vendosur rritjen ekonomike si objektivin e saj kryesor për këtë vit, dhe parashikon të ndjekë politika të reja ekspansioniste monetare dhe fiskale. Autoritetet monetare, po i inkurajojnë bankat të rifillojnë kreditimin për zhvilluesit e pasurive të paluajtshme, ndaj shpresohet që sektori i banesave të rikthehet në normalitet këtë vit.

Burimi: Project Syndicate/ Përshtati: Gazeta Si

Shënim:Yang Yao, profesor në Qendrën Kineze për Kërkime Ekonomike dhe Shkollën Kombëtare të Zhvillimit në Universitetin e Pekinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë