Keshilla

A ka hyrë fëmija juaj në pubertet – Shenjat dhe pakti që duhet bërë

Për shumicën e rasteve adoleshenca nis nga mosha 12-14 vjeç por në ditët e sotme, edhe fëmijët 10-vjecarë tregojnë shenja të sjelljes tipike të fëmijëve në fazën e pubertetit.

Kjo periudhë ka tiparet karakteristike të dukshme psikologjike, falë të cilave mund të kuptohet se fëmija ka hyrë në ‘pragun’ e pubertetit dhe psikologja Aljona Jonuzi ka treguar për “Gazetasi.al” se cilat janë ato tipare.

Emocione të reja të pakuptueshme

“Fëmijët paraadoleshentë janë zakonisht mendjehapur dhe të gëzuar. Ata i harrojnë me lehtësi dështimet”, thotë Jonuzi.

Psikologe Aljona Jonuzi

Në fillim të pubertetit, adoleshentët ndiejnë emocione të reja që nuk i kanë përjetuar kurrë më parë. Depresioni, agresiviteti ose ankthi janë disa nga përjetimet e kësaj faze.

Reagimi i menjëhershëm ndaj asaj që po ndodh përreth

Prodhimi aktiv i hormoneve çon në rritjen dhe zhvillimin e përshpejtuar të trurit, kockave, muskujve dhe të gjithë trupit në përgjithësi, gjë që ndikon në sjelljen e fëmijës.

Jonuzi thotë se adoleshentët demonstrojnë në mënyrë të pavetëdijshme egon e tyre, duke filluar me largimin nga prindërit. Kundërpërgjigjja për çdo qortim ndaj tyre mund të jetë agresiv ose mund të injorojë komentet që bëhen për të.

Luhatje të vazhdueshme të humorit

Sjellja e paqëndrueshme është një nga shenjat kryesore që një adoleshent ka hyrë në pubertet. Ai mund të fillojë të zihet për një gjë të vogël, mund të grindet me të gjithë familjen dhe miqtë e tij, ose madje edhe të ikë nga shtëpia.

“Kryesorja është të kuptojmë se fëmija nuk është fajtor për faktin se ai "u përkeqësua". Sado fjalë të ashpra të shqiptojë, sado të përpiqet të kundërshtojë vullnetin e prindërve, në shpirtin e tij ai mbetet i njëjti fëmijë i pambrojtur”, tregon Jonuzi.

Por si mund të dallojmë fillimin e pubertetit nga diçka më serioze?

Jonuzi thotë se nevoja e fëmijës adoleshent për privatësi duhet të respektohet pa kufizuar hapësirën e tij personale. Sidoqoftë, ka disa fenomene të pakëndshme, shfaqja e të cilave nuk mund t'i atribuohet moshës.

Një ndër to është gjumi i paqetë. Nëse një fëmijë nuk mund të flejë për një kohë të gjatë, nëse nuk fle mirë gjatë natës dhe zgjohet shpesh, atëherë kjo mund të tregojë fillimin e një ristrukturimi kardinal të trupit. Sidoqoftë, “nëse një simptomë e ngjashme është vërejtur për më shumë se disa muaj, atëherë duhet të konsultoheni me një specialist”, thotë Jonuzi.

Një fenomen tjetër është lodhja e vazhdueshme. Ajo  është një simptomë e ngjashme me gjumin e paqetë, por më e rëndë. Në disa raste, humbja e energjisë mund të jetë rezultat i gjumit të trazuar. Fillimi i pubertetit, më shpesh, çon në hiperaktivitet te një adoleshent. E megjithatë, në rastet kur adoleshenti nuk ka fuqi të mjaftueshme as për të mësuar, “prindërit duhet të fillojnë të zbulojnë shkakun e kësaj gjendjeje”.

Janë edhe zemërime të vazhdueshme. Jonuzi thotë se këto vihen re kur një adoleshent ka një konflikt me bashkëmoshatarët dhe me familjen e tij. Ajo këshillon që për të zvogëluar gjasat e kësaj dukurie, prindërit duhet të përpiqen të mos debatojnë me fëmijën dhe ta lënë të qetë kur fëmija jua kërkon.

Me këto probleme, është e vështirë për prindërit që të gjejnë gjuhën e përbashkët me një adoleshent që është në fazën e pubertetit.

Jonuzi tregon se ka dy mënyra se si prindërit mund të bëjnë ‘pakt” me fëmijët e tyre: duke ndërhyrë dhe duke mos ndërhyrë.

Në rastin e parë, prindërit duhet ta mbështesin fëmijën në çdo mënyrë të mundshme, duhet ta ndihmojnë atë në zgjidhjen e problemeve të tij ‘adoleshente’. Në të dytën, ata duhet ta lënë atë vetëm ose duhet të injorojnë sjelljen e tij.

“Prindërit duhet të përpiqen të shmangin kritikat pasi gjatë periudhës së tranzicionit adoleshentët kanë një psikikë shumë të prekshme. Çdo fjalë drejtuar tyre provokon një reagim tepër të dhunshëm. Prindërit duhet të mundohen të mos i kushtojnë vëmendje veprimeve të fëmijëve derisa të kalojë kufirin e asaj që lejohet”, thotë Jonuzi.

Një shembull është kur fëmijët nuk ngrihen herët në mëngjes sepse duan të rrinë deri vonë para kompjuterit. Jonuzi shpjegon se në këtë rast, çdo prind do ta fikte kompjuterin vetë dhe do ta nxiste të flinte me britma dhe kjo nuk është mënyra e duhur.

"Rri sa të duash, por në mëngjes do të shkosh patjetër në shkollë, pavarësisht nga gjendja jote", është reagimi i duhur i prindërve sepse nëse fle për 3-4 orë, fëmija do të ndiejë pasojat e lojërave të tij gjatë natës dhe në këtë mënyrë, nuk do të rrijë më zgjuar deri vonë dhe prindërit do të shmangin një konflikt të panevojshëm.

Nëse një adoleshent provokon vetë konflikte, atëherë në vend të akuzave dhe fyerjeve, prindërit duhet të përpiqen të shprehin ndjenjat e tyre me fjalë.

Për shembull, nëse fëmija fillon të jetë i vrazhdë me ose të bërtasë, në vend të shprehjeve të ngjashme, “prindërit duhet të shprehin atë që po ndiejnë për momentin si: "Më dhemb kur e thua këtë", "Ndihem e lënduar në shpirt nga fjalët e tua", "Ç’të keqe të bëra që po dëgjoj këto fjalë nga ti?” dhe nëse përgjigjet janë të llojit "Nuk më intereson", është thjesht një lloj kamuflimi dhe fëmija do të kujtojë fjalët dhe do të dyshojë te sjellja e tij. Fyerjet do të nxitin më shumë agresivitet nga ana e tij.

“Parimi bazë i fizikës funksionon edhe me fëmijët adoleshentë: "Sa më  e madhe të jetë forca, aq më e madhe është rezistenca", përfundon Jonuzi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë