Sabina Veizaj – Ermir D. është një prej përdoruesve të parë të biçikletave “Mobike” në Tiranë qysh në qershor të 2018-s kur ky shërbim u bë publik në kryeqytet.
“Megjithëse shërbimi ka qenë jo mirë, me përjashtim të muajit të parë, nevoja për të shkuar çdo ditë në punë me biçikletë, më bënte që ta merrja një të tillë çdo ditë. Problematikat nisën dhe u shtuan shumë shpejt; që nga harta e vendodhjes që nuk ishte ajo e deklaruara nga kompania, shpesh biçikletat ishin të prishura dhe qershia mbi tortë; gjobat e padrejta”, thotë Ermiri për Gazetën “Si”.
Megjithatë, në fund të muajit qershor, në një nga ditët e javës kur do të shkonte në punë dhe përpiqej të gjente një biçikletë “Mobike”, nuk i prekën sytë asnjë të tillë; as në zonën kur e merrte zakonisht, as në vende të përafërta siç ia diktonte harta.
Pas pune Ermiri do të ecte më këmbë për do kohë që të evidentonte nëse nëpër Tiranë vijonte të kishte biçilkleta “Mobike”, por nuk pa asnjë.
“I dërgova kompanisë një e-mail, por nuk mu përgjigjën kurrë”, tregon Ermiri për Gazetën “Si”.
Ai thotë se nuk kishte blerë një paketë të mundshme prej atyre të ofruara nga kompania dhe “Mobike” nuk i detyrohet asnjë qindarkë.
Kurse klientë të tjerë të kompanisë, përdorues të biçikletave “Mobike” në Tiranë kanë humbur lekë nga paketat e blera. Disa syresh thonë për Gazetën “Si”, se i kanë shkruar kompanisë e-mail për të pyetur nëse do të rimbursohen, por nuk kanë marrë përgjigje dhe tashmë i konsiderojnë lekët e tyre të humbura. Më poshtë po ju sjellim vetëm disa prej komenteve negative të përdoruesve të “Mobike”:
Llogaria në Facebook e “Mobike” në Shqipëri nuk është rifreskuar që në korrik 2019.
Njëkohësisht edhe aplikacioni i “Mobike” në celular është inekzistent si për Google Play, ashtu edhe për App Store.
Gazeta “Si” në përpjekje për t’u lidhur me drejtorin e “Mobike” në Shqipëri, shtetasin italian Massimiliano Rubin, mësoi se ai është shkëputur nga Shqipëria për shkak se po kurohet prej një sëmundjeje të rëndë. Zoti Rubin nuk i është përgjigjur mesazhit të dërguar nga Gazeta “Si”. Nga burime konfidenciale, Gazeta mësoi se zotëruesit e restorantit “Kriper” ishin miq të afërt të zotit Rubin. Në një komunikim me zotëruesin e këtij restoranti, ata i thanë Gazetës “Si” se “Mobike nuk ka falimentuar; biçikletat janë tërhequr për shkak të stinës së dimrit dhe do të lëshohen sërish në pranverë”.

Gazeta “Si” u interesua edhe pranë Bashkisë së Tiranës për informacion sipas ligjit për informimin publik meqënëse Kreu i Bashkisë Erion Veliaj ishte ai që promovoi fuqishëm shërbimin cilësor dhe të lirë të biçikletave “Mobike”.
“Pas revolucionit të gjelbër me mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve në Tiranë, do të hidhen në treg 4000 biçikleta për të mundësuar nevojën për qarkullim të qytetarëve në kryeqytet me synim mbrojtjen e mjedisit me kosto të ulët. Ky lloj mjeti transporti, do të vijë si një alternativë më e lirë edhe se sa urbani dhe do të paguhet përmes një aplikacioni të shkarkuar në celular”, do të thoshte Veliaj në qershor të 2018-s kur u lançua aktiviteti i “Mobike”, në Tiranë.

Por tani, Bashkia Tiranë injoron pyetjen në lidhje me “Mobike” dhe i është përgjigjur një pyetjeje të vetme, atë që kishte lidhje me “sa kilometra rrugë për biçikleta janë në Tiranë?”.
“Në vijim të kërkesës së paraqitur nga ana Juaj nëpërmjet adresës së emailit të Koordinatorit për të Drejtën e Informimit të Bashkisë së Tiranës, protokolluar me nr. prot A-560 datë 10.01.2020, referuar ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e Informimit”, Ju informoj se kërkesa është trajtuar nga Drejtoria e Transportit dhe Trafikut Rrugor në Drejtorinë e Përgjithshme të Punëve Publike, Bashkia Tiranë me informacionin për sesa km rrugë për biçikleta janë në Tiranë: korsi të dedikuara per bicikleta të përfunduara ose në process janë 42 km”, është përgjigja e Bashkisë së Tiranës për Gazetën “Si”.

Problemet me “Mobike” do të vëreheshin vetëm pak muaj pasi shërbimi kishte nisur me 500 biçikleta, të cilat u premtua se shumë shpejt do të bëheshin 4 mijë, por që nuk arritën kurrë të hidheshin në qarkullim.
Në mesjanar të 2019-s, drejtori i “Mobike” në Tiranë, Massimiliano Rubin do t’i thoshte Gazetës “Si” se asokohe “ndodheshin nëpër rrugët e Tiranës vetëm 1000 biçikleta “Mobike”; plani i 4000 biçikletave do të shihet në kohë, në varësi të kërkesave të qytetit, pasi duhet kohë për t’u konsoliduar dhe verifikuar nevojat që kanë përdoruesit”.
Rubin do të thoshte gjithashtu një vit më parë se “në Tiranë, përveç erës dhe shiut që bën të mos qarkullojnë shumë njerëz me biçikleta në këtë periudhë dimri, aktiviteti po shkon mirë”. “Janë zhurma të tregut ato për falimentim. Kompania është e pasur në kapital dhe shumë solide. Është në një fazë rinovimi. Për momentin nuk të dhëna për një faliment të mundshëm”, tha atëherë Rubin.
Por zëra nga brenda kompanisë do të konfirmonin në atë kohë për probleme të kompanisë, e cila sot është zhdukur pa informuar klientët, veçanërisht ata që e përdornin në mënyrë të rregullt dhe kanë humbur lekë nga aplikacioni.
Në emër të shërbimit me biçikleta, Bashkia Tiranë premtoi në fillim të vitit 2019, se qytetit do t’i shtoheshin edhe 10 kilometra korsi e dedikuar për biçikleta në disa zona si; aksi i Bulevardit “Zogu i Parë”, gjithë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga Qendra deri tek Rruga e Dibrës, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu edhe në rrugën e re të Kombinatit.
Këto korsi vërtet u krijuan në këto akse, por në disa raste krijuan edhe problematikë në qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve, pasi ka akse në Tiranë ku trotuaret e këmbësorëve janë shumë të ngushtë, ndoshta se një pjesë e tyre u “sakrifikuan” për korsitë e biçikletave.
Aktualisht sipas Bashkisë së Tiranës janë 42 km rrugë për biçikleta të përfunduara dhe në ndërtim e sipër, por biçikleta “Mobike” nuk sheh më në asnjë cep të Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








