Në fushatën për zgjedhjet e vitit 2013, Partia Socialiste kishte grumbulluar pakënaqësitë e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë dhe e nxitur nga rezultati i përftuar nga sondazhet që realizonte futi në programin e saj qeverisës ndërmarrjen e një reforme të thellë në të gjithë këtë sistem.
Me të ardhur në pushtet me Lëvizjen Socialiste për Integrim në krah, mazhoranca e re nisi punën përgatitore. U ngrit ngadalë e mes peripecishë Komisioni për Reformën në Drejtësi, ku përplasjet me demokratët nuk munguan për çështje të ndryshme.
Megjithatë, opozita ishte e vetëdijshme për gjendjen reale të sistemit të drejtësisë dhe nuk mund të dilte kundër një reforme të tillë, por mund të kundërshtonte mënyrën sesi duhej realizuar kjo reformë.
Me hir e me pahir dhe me presionin e ndërkombëtarëve, palët votuan me konsensus paketën e ndryshimeve Kushtetuese që i hapën rrugën nisjes së kësaj reforme, ndërkohë që paralelisht përplaseshin për shumë çështje të tjera, që nga dekriminalizimi, korrupsioni e deri tek lidhjet me krimin.
Përplasjet kulmonin gjatë të enjteve parlamentare dhe shpesh tejkalonin e tejkalojnë kufijtë normalë të një debati ligjvënësish, e madje kthehen edhe në groteske. E gjithë kjo panoramë e shfaqje e politikës është reflektuar në publik.
Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal, një organizëm i financuar nga Bashkimi Europian publikoi së fundmi raportin e perceptimit të ballkanasve për shumëçka. Mes këtyre ishte edhe ai për politikën. Pikërisht në këtë fushë, Shqipëria renditet e fundit në rajon. Sipas Këshillit, shqiptarët janë populli që kanë më pak besim të klasa e tyre politike dhe besojnë se ajo është e korruptuar.
Pyetësori i sondazhit ka ndarë pushtetin ligjvënës nga ai ekzekutiv. Kështu, Parlamenti nuk besohet fare nga 27 për qind e shqiptarëve, 36 për qind të tjerë kanë trend mosbesimi, 33 për qind trend besimi dhe vetëm 4 për qind kanë besim tek deputetët.
Qeveria ka një perceptim më pozitiv se parlamenti, por sërish në krahasim me vendet e tjera nivelin e besimit e ka më poshtë. 25 për qind e shqiptarëve nuk i besojnë dhe 31 për qind anojnë më shumë nga mosbesimi.
Në dritën e këtij perceptimi, a mos duhet që politika, e cila është bërë nismëtare dhe ka ndërmarrë reforma në të gjithë sektorët e tjerë, herë për interes të saj, e herë për interes të publikut, të fillojë e të mendojë seriozisht për një reformim të vetvetes?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.