Keshilla

A jeni në gjendje të shkëputeni vërtet nga stresi i punës gjatë pushimeve?

Çfarë duhet të bëni dhe çfarë të shmangni për t’u çlodhur dhe detoksikuar vërtet nga lodhja e përditshme

Pushimet janë të ndryshme për secilin prej nesh: ka nga ata që kënaqen me përtacinë buzë detit, nga ata që gllabërojnë kilometrat në këmbë ose me biçikletë në ekskursione që shumica e njerëzve do t’i konsideronin sfilitëse dhe nga ata që durojnë me qetësi radhët e gjata nën diell për të vizituar muzetë dhe monumentet. Megjithatë, për të gjithë pushimet do të thotë para së gjithash të jemi larg punës dhe të jemi në gjendje të zgjedhim aktivitetin që na kënaq më shumë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të mësoni të shkëputeni komplet nga angazhimet dhe ngarkesa e ankthit.

Detoksifikimi nga puna - Puna është aq e pranishme në jetën tonë të përditshme, saqë kërkon një detoksifikim të vërtetë, të paktën disa herë në vit. Kjo është shifra që doli nga një sondazh i eDreams, një nga agjencitë kryesore të udhëtimit online në Europë, e cila pyeti udhëtarët se cilat janë preferencat e tyre për pushimet dhe detoksifikimin. Të intervistuarit e të gjitha moshave, qoftë edhe të rinjtë, deklarojnë se pushimet për të qenë detoksifikuese, mbi të gjitha duhet të të bëjë të harrosh punën (39% e të intervistuarve). Me fjalë të tjera, duhet të prodhojë një detoks dixhital (33% e përgjigjeve), por edhe të sigurojë çlirimin nga njerëzit që na rrethojnë në jetën e përditshme (31%): me pak fjalë, sipas 41% të kampionit, qëllimi numër një është për të ulur nivelet e stresit. Për të marrë një rezultat të tillë, shumica e të intervistuarve, e barabartë me 48%, zgjedhin një destinacion bregdetar, ndërsa 21% mbi të gjitha kërkojnë një zhytje të plotë në natyrë, ose një destinacion që përzien malet dhe liqenet (15%). Duke analizuar përgjigjet sipas moshës, duhet theksuar se 48% të moshës 25-34 vjeç thanë se mbi të gjitha donin të bënin një pushim nga puna, ndërsa moshat 18-24 vjeç do të donin veçanërisht të harronin telefonin dhe teknologjinë (42%). Nga ana tjetër, moshat mbi 65 vjeç, mbi të gjitha duan të detoksifikohen nga njerëzit (43% e përgjigjeve).

Si të shkëputemi tërësisht - Ka disa persona për të cilët shkëputja nga mendimet e përditshme dhe sidomos nga puna nuk është e vështirë. Për të tjerët, megjithatë, veçanërisht nëse ata zënë pozicione përgjegjësie, puna vazhdon të jetë shqetësuese. Megjithatë, ka disa truke që mund të zbatohen për të mbajtur nën kontroll mendimet dhe për t'i lejuar vetes një pushim të domosdoshëm nga zyra, të paktën për disa kohë. Le të shohim disa prej tyre:

-Mësoni të delegoni - Është një pikë vërtet kritike edhe sepse është e vështirë të bindësh veten se dikush tjetër mund të bëjë po aq mirë sa ne. E megjithatë, është kështu: ose të paktën, kolegu që i është besuar detyra e zëvendësuesve mund t’i përballojë situatat mjaft mirë, të paktën derisa të kthehemi.

-Harrojini të paktën për një kohë internetin dhe emailet – Nëse nuk mund t'u besojmë plotësisht atyre që plotësojnë mungesën tonë, të paktën le të përpiqemi të ruajmë dritaret e shkëputjes prej disa ditësh dhe në disa periudha kohore. Le të kufizohemi në ndjekjen e projekteve kryesore pa u futur në shumë detaje.

-U thoni stop rrjeteve sociale – Le të harrojmë për pak platformat dhe postimet. Në këtë mënyrë nuk do të shohim profilet e miqve tanë dhe të hidhërohemi se ata po kalojnë pushime më të bukura dhe më të zgjuara se tonat: jo gjithçka që publikohet në Instagram është 100% e vërtetë. Le të shijojmë pushimet tona, duke u përpjekur të marrim kënaqësinë maksimale prej tyre dhe të mos shqetësohemi për atë që bëjnë të tjerët.

Le të kujdesemi për nevojat tona – Pushimet janë koha kur mbi të gjitha duhet të kujdesemi për veten, edhe sepse jemi personalisht përgjegjës për mirëqenien tonë. Prandaj, gjatw pushimeve, le të gjejmë kohë për t’u rilidhur me veten, duke marrë parasysh me dashamirësi nevojat tona, anët tona pozitive dhe pa e gjykuar veten për dobësitë tona. Ne do të sfidojmë veten përsëri dhe do të përpiqemi të përmirësohemi në fund të pushimeve.

Le t'i vendosim vetes qëllime të arsyeshme - Nëse kemi vendosur që një pjesë të kohës sonë të lirë të kultivojmë një interes dhe të sfidojmë veten, le të përpiqemi të mos e ekzagjerojmë me pritshmëritë: të mësojmë një gjuhë të huaj në tri javë, të lexojmë të gjithë librat që kemi grumbulluar gjatë dimrit ose të përmirësohemi në një sport që sapo kemi filluar ta praktikojmë mjaftueshëm për t’u përballur me testet konkurruese do të na shërbejë vetëm për të na vënë nën presion dhe për të shndërruar në punë një aktivitet që e kemi dashur deri tani.

Le të mendojmë vetëm për gjëra të bukura - Vera është stina në të cilën duhet ta merrni jetën lehtë: nuk është koha për mendime tepër komplekse, për të planifikuar strategji afatgjata, për të bërë një bilanc. Le të përpiqemi ta vendosim mendjen në modalitetin “stand by” dhe të përqendrohemi në gjëra të vogla konkrete: është më mirë të darkosh në shtëpi apo në restorant? A është rasti të organizohet ai ekskursion apo më mirë ta shtyhet për të nesërmen? Le tw përpiqemi të kapim momentet e bukura në një sesion fotografik, jo aq për t’i postuar në rrjetet sociale, por për ta zotëruar dhe mbajtur sa më gjatë. Kështu do të bëhet pjesë e trashëgimisë së momenteve të lumtura për t’u riparë kur, dimrin e ardhshëm, do të ndiejmë nevojën të gëzojmë pak veten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë