Ushqim

A funksionon vërtet kombinimi i verës me ushqimin apo është e gjitha një marrëzi?

Kombinimi i ushqimit dhe verës është një nga kënaqësitë më të mëdha të kuzhinës, pavarësisht nëse jeni duke hapur një shishe për një darkë romantike nën dritën e qiririt ose duke pirë një gotë me një qese me patatina. Por mund të jetë gjithashtu një nga elementët më të vështirë dhe frikësues të planifikimit të një vakti.

Ajo që duhet të jetë një gëzim shpesh prodhon një ndjenjë frike dhe ankthi se mos bën gabime. Ky ankth mund të lindë si për ato që nuk e duan verën ashtu edhe për konsumatorët e rregullt.

Për të zbutur frikën e një dështimi të mundshëm, shumë njerëz kërkojnë rekomandime ose do u drejtohen librave që tregojnë për lidhjen verë-ushqim.

Kritiku i verës dhe ushqimit, Eric Asimov thotë se ka disa të vërteta thelbësore rreth kombinimit të verës me ushqimin.

“Këto të vërteta mund të mos premtojnë sukses, por shpresoj që të ndihmojnë për të lehtësuar frikën e përzgjedhjes së verërave”, thotë Asimov.

Jepini vetes një dorë

Hapi i parë, veçanërisht nëse jeni relativisht i ri në konsumimin e verës, është të merrni një ndihmë. Si? Blini verën tuaj në një dyqan të mirë verërash dhe jo në një supermarket apo dyqan të madh. Ky hap jo vetëm që do të përmirësojë cilësinë e përgjithshme të verës që pini, por do t’ju vërë në dispozicion disa burime të mira këshillash.

Tregtarët e përkushtuar dinë shumë për verën dhe janë pothuajse gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Tregojuni atyre se çfarë po planifikoni të hani dhe kërkoni rekomandime.

Përsosmëria nuk është qëllimi

Vera dhe ushqimi shkojnë së bashku si dy zëra të bukur që janë në harmoni me njëri-tjetrin dhe ky është pakti ideal por rrallëherë funksionon kështu.

Shumë verëra nuk shkojnë me një lloj ushqime dhe anasjelltas por gjithsesi të dyja arrijnë të përmirësojnë njëra-tjetrën.

Sa më e thjeshtë të jetë receta, domethënë, sa më pak produkte, aq më e lehtë është të gjesh atë harmoni të bukur. Megjithatë, lidhja e këtyre të dyjave është subjektive dhe shpesh varen nga psikologjia individuale dhe jo nga kimia midis një ushqimi dhe verës.

Shumë njerëz thonë se çdo pjatë ka ‘përputhjen e saj’ të përsosur, verën e vetme që, me një recetë të veçantë, do të bëjë magji. Sa më e thjeshtë të jetë pjata, aq më e madhe është gama e mundësive.

Profesionistët mund të argumentojnë se disa verëra shkojnë më mirë me metoda të ndryshme gatimi për një pjatë të njëjtë por kjo është punë për somelierët që njerëzit që nuk janë të fushës nuk kanë pse ndërhyjnë.

Është detyra e tyre që të njihen nga afër me menunë e një kuzhinieri në të gjithë kompleksitetin e saj dhe të mendojnë për përshtatjen më të mirë në listën e tyre të verërave. Shumica e konsumatorëve të zakonshëm nuk e kanë atë nivel të përkushtimit apo kohën, dëshirën dhe burimet për ta arritur këtë perfeksion.

Lëreni përvojën të jetë udhërrëfyesi juaj

Premisa është që sa më shumë shishe të provoni, më shumë lloje të ndryshme vere, aq më mirë do ta kuptoni shijen tuaj. Dhe sa më mirë t’i dini preferencat tuaja, aq më e lehtë bëhet të bëni zgjedhjet tuaja në vend që të mbështeteni në ndihmën e ekspertëve.

Është e vështirë të gabosh

Kjo është e thjeshtë për tu kuptuar. Nëse keni zgjedhur një verë që ju pëlqen me një pjatë që ju pëlqen, por nuk harmonizohen bukur, sa e keqe është kjo, në të vërtetë? Ju mbetet ushqim i mirë dhe verë e mirë, dhe mund t’i shijoni të dyja individualisht.

Edhe më e rëndësishme, çdo hap i gabuar, nëse mund të quhet i tillë, është një mundësi për të mësuar dhe për të pasur një mendim të ri mbi atë që dini tani.

Të ashtuquajturat gabime janë të dobishme për të fituar përvojë dhe për të mësuar. Ato duhet të përqafohen dhe jo tu frikësoheni.

Pothuajse asnjëherë një verë nuk është zgjedhja e duhur dhe e vetme. Nuk duhet të shqetësoheni për zgjedhjen e shishes perfekte sepse shumë shishe janë zgjedhja e duhur dhe shumë pak janë të gabuara.

Thënë kjo, ka dy përjashtime të rëndësishme: të parat janë verërat e vjetra, veçanërisht ato që janë të rralla dhe të shtrenjta. Në raste të tilla, vera ka përparësi dhe ushqimi pason. Pothuajse gjithmonë, sa më e thjeshtë të jetë pjata që ofroni, aq më e këndshme do të jetë vera e vjetër.

Përjashtimi i dytë janë verërat që janë taninike ose jashtëzakonisht alkoolike (mbi 15 për qind). Këto lloj verërash janë të vështira për t’u kombinuar me shumë ushqime, sepse ato janë në thelb të pabalancuara vetë ose ndoshta shumë të reja për t’u pirë. Disa verëra që janë natyrisht të larta në alkool, të paktën do të jenë të këndshme me djathë por është e vështirë ta shijosh me çdo ushqim.

Kërkimi i të përsosurës nuk duhet të jetë kurrë armiku i së mirës. Ne të gjithë i duam dhe i mbajmë mend ato kombinimet perfekte, por jo çdo kombinim është i paharrueshëm, megjithëse mund të ketë qenë i mirë, ose mjaftueshëm i mirë.

Është e rrallë që ushqimi dhe vera të përplasen, por ndodh dhe për sa kohë që nuk keni shpenzuar një pasuri për verën ose nuk keni hapur një shishe të vjetër, lëreni mënjanë dhe hapni një shishe tjetër.

Në ato raste kur kombinimi ju duket perfekt, bëni një foto dhe mbani një shënim.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë