Ushqim

A është vaji i lulediellit i dëmshëm për ju? Çfarë duhet të dini për vajrat me të cilët gatuani

Një pyetje e thjeshtë shqetëson kuzhinierët kudo: Çfarë vaji duhet të përdorin kur gatuajnë për veten ose familjen?

Opsionet duken të pafundme - vaj ulliri, vaj kanola, vaj misri dhe vaj kokosi, vetëm për të përmendur disa. Dhe ka një debat mbi një kategori, vajrat e farave, të ashtuquajturat sepse shumë janë bërë nga farat.

Në TikTok dhe Instagram, postimet e shumta i referohen këtyre vajrave, si "toksikë" dhe "të pashëndetshëm". Megjithatë, shumë mjekë, udhëzimet federale dietike dhe Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandojnë konsumimin e tyre. Vajrat e farave janë të pasura me yndyrna të pangopura që janë të lidhura me shëndetin e mirë.

Pra, çfarë duhet të bëjë një blerës i hutuar? Wall Street Journal u fut në hulumtim dhe bisedoi me dietologë dhe shkencëtarë për të marrë këshillat e tyre.

Vaji i ullirit dhe vaji i avokados janë rekomandimet kryesore nga shumë profesionistë shëndetësorë, duke përfshirë Tara Schmidt, dietologe në Mayo Clinic Diet dhe Julia Zumpano, dietologe në Klinikën Cleveland, Amerikë e cila punon në kardiologji. Dietologët i drejtojnë pacientët drejt tyre jo vetëm për shkak të yndyrave të shëndetshme të pangopura, por edhe sepse vaji i ullirit dhe vaji i avokados janë përgjithësisht më pak të përpunuara se vajrat e tjerë.

Ndryshe nga vaji i ullirit, vajrat e farave priren të jenë më të përpunuara. Ato shpesh prodhohen me nxehtësi të lartë dhe me tretës kimikë.

Disa studiues dhe dietologë kanë shqetësime për vajrat me një përqindje të lartë të acideve yndyrore omega-6, të cilat përfshijnë vajrat e lulediellit, misrit dhe sojës.

“Zgjedhja e vajrave më pak të përpunuar, si vaji i ullirit ekstra i virgjër ose vajrat që etiketohen si "të shtypur në të ftohtë" ose "të parafinuar" mund të sjellin më shumë përfitime shëndetësore”, thotë Dr. Dariush Mozaffarian, kardiolog. Nxehtësia e lartë dhe përpunimi kimik mund të shkatërrojë disa nga polifenolet që studimet tregojnë se mund të zvogëlojnë inflamacionin dhe mund të zvogëlojnë rrezikun e disa llojeve të kancerit.

“Çfarëdo vaji që përdorni, sigurohuni që të mos e digjni”, thotë Zumpano, duke shtuar se duhet ta ruani vajin larg nga rrezet e diellit, pasi rrezet e diellit mund të shkaktojnë prishjen e tij”, thotë John Ëesley McWhorter, dietolog.

Vajrat e farave, veçanërisht vaji i lulediellit, vaji i misrit dhe vaji i sojës, janë të pasur me një lloj yndyre të pangopur të quajtur omega-6. Studimet shkencore kanë zbuluar se kur njerëzit shkëmbejnë disa nga yndyrnat e ngopura në dietat e tyre (nga ushqimet si gjalpi dhe mishi i kuq) dhe i zëvendësojnë ato me yndyrna omega-6, nivelet e tyre të kolesterolit LDL (kolesteroli "i keq") ulen. Rreziku i tyre për sulme në zemër dhe vdekje nga problemet kardiake gjithashtu bie.

Studime të tjera kanë zbuluar se njerëzit me nivele më të larta në gjak të acidit linoleik, yndyra kryesore omega-6 që gjendet në vajrat e farave, kanë një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, goditjes në tru dhe diabetit të tipit 2 sesa njerëzit me nivele më të ulëta të acidit linoleik në gjak.

 “Të gjitha provat janë se vajrat e farave, të cilat janë të pasura me yndyrna të shëndetshme dhe të pangopura, janë vërtet të mira për shëndetin tonë,” tha Mozaffarian.

Por studiues të tjerë kanë shqetësime për vajrat me një përqindje të lartë të acideve yndyrore omega-6. Omega-6 mund të shndërrohet në substanca që shkaktojnë inflamacion, thotë Floyd H. Chilton, drejtor i Qendrës për Ushqyerjen në Universitetin e Arizonës. Inflamacioni kronik është treguar se luan një rol në një sërë problemesh shëndetësore.

Shkencëtarë të tjerë nuk pajtohen dhe thonë se ka pak prova që lidhin marrjen e lartë të omega-6 me inflamacionin tek njerëzit.

Ajo që gatuani është më e rëndësishme se vaji që përdorni

Dieta juaj e përgjithshme është ajo që ka më shumë rëndësi kur bëhet fjalë për shëndetin, thonë dietologët. “Po gatuan brokoli apo po bëni patate të skuqura?” thotë McËhorter.

Nëse jeni të shqetësuar për vajrat e farave, ndoshta duhet të shikoni së pari konsumimin e ushqimeve ultra të përpunuara, si patate të skuqura, biskota dhe madje edhe shumë lloje buke dhe salcrash, në vend që të shqetësoheni për vajin që përdorni për të skuqur spinaqin tuaj.

Vajrat e farave si vaji i kanolas, vaji i misrit dhe vaji i sojës janë përbërës të zakonshëm në shumë ushqime ultra të përpunuara dhe shumë nga ato produkte të paketuara janë gjithsesi të pashëndetshme.

Në përgjithësi, dietologët dhe ekspertët e shëndetit publik inkurajojnë njerëzit të reduktojnë sasinë e yndyrave të ngopura në dietën e tyre dhe t'i zëvendësojnë ato me yndyrna të pangopura.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë