Shendet

A është shëndeti i lëkurës suaj i lidhur me demencën?

Nga Gazeta ‘Si’- Sa herë që përpiqeni të fshihni moshën, lëkura juaj shpesh tregon gjithçka.

Linjat e holla, thatësia, njollat që duket sikur shfaqen brenda natës. Një industri e tërë bazohet në premtimin se kremrat, serumet dhe vajrat mund t’ju bëjnë të dukeni më të rinj.

Por çfarë nëse rutina juaj e kujdesit për lëkurën bën më shumë se sa thjesht përmirëson pamjen e jashtme, çfarë nëse ajo ndikon gjithashtu edhe në mënyrën se si plakeni nga brenda?

Kjo është pyetja që po shqyrtohet nga gjithnjë e më shumë shkencëtarë.

Trupi ynë është i mbrojtur nga barriera në pjesë të ndryshme në hundë, mushkëri, zorrë dhe vaginë, të dizajnuara për të ndaluar që toksinat të hyjnë në gjak, thotë Malú Tansey, neuroshkencëtare.

Lëkura është një nga barrierat më të mëdha të trupit. E ndërtuar nga qeliza të vdekura, yndyrna dhe proteina, ajo formon një mburojë që mban ujë brenda dhe substancat e dëmshme jashtë.

Ashtu si pjesa tjetër e trupit, edhe barriera e lëkurës plaket. Kur shfaqen çarje në këtë mburojë, substancat toksike mund të depërtojnë, duke bërë trupin më të ndjeshëm ndaj rreziqeve të jashtme si pesticidet, patogjenët apo ndotja e ajrit.

Një shkelje e këtij sistemi mund të nxisë gjithashtu inflamacion në të gjithë trupin, duke çuar në qarkullimin e cytokineve, mesazherëve të sistemit imunitar që aktivizojnë qelizat për të luftuar ‘pushtuesit’.

Inflamacioni kronik i shkaktuar nga gjendje si ekzemë apo psoriasis mund të mbajë këto substanca aktive në gjak, duke rrezikuar edhe barrierën e gjakut-trurit dhe shkaktuar inflamacion të trurit, ose atë që njihet si neuro-inflamacion.

Studime të fundit tregojnë një lidhje të mundshme midis dobësimit të barrierës së lëkurës dhe rënies kognitive.

Në një studim të botuar në Journal of Investigative Dermatology matur 237 të rritur mbi 50 vjeç, duke analizuar shëndetin e lëkurës dhe aftësitë mendore të pjesëmarrësve, rezultatet treguan se pjesëmarrësit me barrierë më të dobët të lëkurës kishin shfaqur rënie më të shpejtë të kujtesës verbale gjatë dekadës së fundit, një shenjë e hershme që mund të lidhet me demencën.

Edhe pse nuk ka ende prova të drejtpërdrejta shkakësore, ekzistojnë rrugë biologjike që lidhin dobësimin e lëkurës me inflamacionin sistemik dhe rrezikun për tru.

Lëkura e thatë, kruarja e përhapur dhe inflamacioni kronik mund të çojnë në shqetësime të gjumit dhe rritje të kortizolit, hormoni i stresit, duke rrezikuar qelizat e hipokampusit, qendra e kujtesës në tru.

Lëkura është gjithashtu shtëpi për miliona nerva.

Kur mbrojtja e saj dobësohet, nervat bëhen të sensibilizuar dhe dërgojnë më shumë sinjale drejt trurit, duke mundësuar një mbingarkesë të qarkut të tij dhe duke kontribuar potencialisht në rënien kognitive.

Pavarësisht se ende nuk është e provuar në mënyrë të qartë se përmirësimi i barrierës së lëkurës frenon demencën, kërkimet tregojnë se kujdesi i rregullt ka rëndësi.

Hidratimi i lëkurës me kremra që mbajnë ujin pa irrituar dhe trajtimin e skalpit me vajra natyralë, dhe ndjekja e rekomandimeve mjekësore për ekzemën apo psoriasis mund të ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe shqetësimeve të lidhura me të.

Si thotë Dr. Tansey me një ton të lehtë: “Herën tjetër që dikush qesh me ju sepse blini një krem të shtrenjtë, thjesht i thoni: ‘Po e mbroj trurin tim.’”

Burimi: Self.com/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë