Gazeta Si – Për shumë njerëz, është mjaft e zakonshme të heqin këpucët kur kthehen në shtëpi pasi kanë qenë jashtë.
Është një mënyrë për të shmangur ndotjen e dyshemesë dhe mos ndotjen e ambientit të shtëpisë me papastërtitë dhe bakteret e mbledhura nga këpucët jashtë.
Në shumë vende në Azi, heqja e këpucëve përpara se të futesh në shtëpi është normë: nëse është shtëpia juaj apo e një mysafiri, heqja e këpucëve në hyrje dhe qëndrimi me çorape ose zbathur, shihet si një gjest respekti, jo thjesht një masë paraprake shëndetësore.
Por a ka vërtet arsye pse është e nevojshme të hiqni këpucët në shtëpi, apo frika nga kontaminimi është thjesht një alarm i padobishëm? Gazeta amerikane “New York Times” u përpoq të përgjigjej duke bashkuar atë që shkenca thotë për të.
Hulumtimi i vetëm i kryer mbi këtë temë daton në vitin 2008 dhe u krye nga Charles P. Gerba, profesor dhe mikrobiolog në Universitetin e Arizonës.
Studiuesit analizuan këpucët e veshura nga dhjetë persona për dy javë, duke zbuluar se në pjesën e jashtme të tyre, kishte mesatarisht 421,000 baktere, ndërsa brenda kishte mesatarisht 2,887.
Disa nga këto baktere, ishin Escherichia coli, të cilat mund të shkaktojnë lloje të ndryshme infeksionesh, veçanërisht duke prekur traktin tretës dhe traktin urinar.
Sipas Gerba-s, origjina e baktereve Escherichia coli duhet t’i atribuohet kontaktit të këpucëve me lëndën fekale të pranishme, për shembull, në dyshemetë e banjove publike ose në rrugë.
Për më tepër, sipas studimit, pastrimi i këpucëve me një detergjent, reduktoi kolonitë bakteriale me 90 për qind ose më shumë.
Hulumtimi i Gerba-s duhet të merret pa shumë shqetsime, megjithatë, duke qenë se ai u botua pa u rishikuar nga komuniteti shkencor dhe se u financua nga kompania e këpucëve “Rockport”, e cila po eksperimentonte me një model këpucësh që mund të lahen në lavatriçe.
Një numër kaq i madh i baktereve në këpucë, sigurisht që mund të duket shqetësues, por siç thekson “New York Times”, ato baktere nuk kanë gjasa të jenë të dëmshme, nëse nuk preket këpuca me duar dhe më pas i vendosni duart në fytyrë ose në gojë.
Siç shpjegoi Lisa A. Cuchara, një profesoreshë e shkencave biomjekësore në Universitetin Quinnipiac në Hamden, Connecticut, ndërsa bakteret fekale mund të barten në këpucë dhe të përfundojnë në dyshemetë e shtëpisë, “për shumicën e të rriturve të shëndetshëm, ky kontaminim është në rastin më të mirë një reagim neverie, sesa një rrezik për shëndetin”.
Një mënyrë tjetër transmetimi ndodh kur hani ushqim që ka rënë në tokë (por ka mendime kontradiktore se sa sekonda duhen që ai të kontaminohet).
Sipas Donald W. Schaffner, një mikrobiolog ushqimor në Universitetin Rutgers në New Jersey, ka faktorë rreziku brenda shtëpive që janë shumë më të larta se bakteret që bartin këpucët.
Mjafton të mendoni për sfungjerët që përdoren për të larë enët, të cilat janë një vendgrumbullim bakteresh, feçesh e zvarranikësh dhe amfibësh shtëpiakë, që mund të transmetojnë salmonelozën, ose bakteret që bartin qentë, putrat e të cilëve rrallëherë lahen sa herë që kthehen në shtëpi pas një shëtitjeje.
Edhe jashtë shtëpive tona, vë në dukje “New York Times”, ka objekte dhe sipërfaqe me të cilat biem në kontakt rregullisht dhe që mbajnë po aq baktere sa këpucët, por që nuk na shqetësojnë aq shumë: mendoni vetëm për paratë, ATM-të ose pikat e karburantit.
Jack A. Gilbert, profesor në departamentin e pediatrisë në Institutin Kërkimor “Scripps” në Kaliforni, një qendër kërkimore e shkencave biomjekësore, shtoi se në disa raste, kontakti me papastërtitë dhe bakteret mund të jetë gjithashtu i dobishëm për zhvillimin e sistemit imunitar të fëmijëve.
Sipas Gilbert, autor i librit “Dirt Is Good”, fëmijët që ndërveprojnë me një qen në vitin e tyre të parë të jetës, kanë 13 për qind më pak gjasa për të zhvilluar astmë, ndërsa ndërveprimet në një hambar ose në një fermë mund të reduktojnë astmën me 50 për qind.
Sipas “New York Times”, me pak fjalë, nuk ka nevojë të shqetësoheni shumë nëse duhet të hiqni këpucët në shtëpi apo jo.
Megjithatë, këshilla është që t’i hiqni ato nëse ka njerëz në shtëpi që kanë alergji të një lloji ose sistemi imunitar i tyre është i dëmtuar, si p.sh. personat me kancer ose që i janë nënshtruar transplantimit të organeve.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.