Shendet

A ekziston vërtet depresioni sezonal?

Nga Gazeta ‘Si’ – Tani jemi sërish në atë periudhë të vitit. Jeta na është ‘kthyer’ një orë prapa. Kur largohemi nga puna, Dielli tashmë ka perënduar dhe ditët janë tashmë të ftohta dhe të zymta. Edhe memet në rrjetet sociale, e pasqyrojnë humorin tonë të keq.

Me shkurtimin e orëve të ditës, në Hemisferën Veriore rritet rreziku i përjetimit të simptomave të një sëmundjeje, që nuk i atribuohet thjesht një humori të keq momental, por që përbën një problem të vërtetë të shëndetit mendor.

Çrregullimi Emocional Sezonal (akronimi SAD në anglisht), vlerësohet se prek afro 10 për qind të banorëve të Hemisferës Veriore, me një incidencë më të lartë në popullatën femërore. Ky lloj depresioni, karakterizohet zakonisht nga dominimi i emocioneve negative, dëshira e vazhdueshme për të ngrënë më shumë, kryesisht karbohidrate, dhe një ndjenjë lodhjeje që zgjat gjatë gjithë sezonit, pavarësisht se priremi të flemë më gjatë se sa zakonisht.

Përhapja e këtij çrregullimi, ka çuar në shfaqjen e një tregu të gjerë trajtimesh terapeutike, që pretendojnë ta luftojnë atë, si e ashtuquajtura Terapia e Dritës, e cila në të paktën një rast ka përfunduar në qendër të një çështjeje gjyqësore.

Edhe pse depresioni sezonal duket kaq i shpeshtë në mesin e popullatës, vetë ekzistenca e tij është ende subjekt i një debati shkencor. Ky çrregullim u përshkrua për herë të parë në vitin 1984 në revistën “JAMA Psychiatry” nga psikiatri afrikano-jugor Norman Rosenthal.

Ideja studiuesit i erdhi nga përvoja e tij personale. Që kur u zhvendos nga Afrika e Jugut në Nju Jork në vitin 1976, Rosenthal pësonte gjatë dimrit një rënie të dukshme të energjisë dhe produktivitetit. Pastaj, kur bora niste të shkrinte, performanca e tij fillonte më në fund që të përmirësohej.

Në atë kohë Rosenthal u njoh me Herb Kern, një shkencëtar që kishte monitoruar prej vitesh ndryshimet në nivelet e tij të depresionit gjatë stinëve. Sëbashku me disa kolegë, Rosenthal u përpoq të trajtonte çrregullimin e Kernit me Terapinë e Dritës, e cila konsiston në përdorimin e një llambe të veçantë për të kompensuar sasinë e kufizuar të dritës së diellit gjatë ditëve të dimrit.

Terapia funksionoi. Kur një artikull që përshkruante kërkimin e tyre u botua në “Washington Post”, mijëra njerëz kontaktuan Rosenthal dhe kolegët e tij në vitin 1981, duke iu ankuar për të njëjtat simptoma. Më vonë, shkencëtarët grumbulluan mjaftueshëm pjesëmarrës për të kryer një studim mbi 29 pacientë bipolarë nga Merilend.

Ata iu nënshtruan me sukses Terapisë së Dritës. (Në një intervistë të vitit 2020, Rosenthal shpjegoi se si arriti të krijonte akronimin “SAD”, që në anglisht do të thotë fjalë i trishtuar).

Tre vjet më vonë, në vitin 1987, ky çrregullim depresiv sezonal u përfshi në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM), i konsideruar shpesh si bibla e psikiatrisë. Por SAD nuk u klasifikua si një gjendje në vetvete, por më tepër si një formë e depresionit të madh të përsëritur, që përsëritet çdo vit gjatë një sezoni të caktuar. Studiuesit kanë hipotetizuar se origjina e SAD-it, daton që nga migrimet e para njerëzore në vende gjithnjë e më të largëta nga Ekuatori, ku reduktohen orët e ditës.

Shkaqet e këtij çrregullimi janë ende të panjohura. Por një hipotezë është se ekspozimi më i vogël ndaj dritës së Diellit, shkakton një ndryshim të ritmit cirkadian, që nga ana e tij mund të ndikojë në nivelet e neurotransmetuesve në trurin e njeriut.

Një teori tjetër, bazohet në prodhimin e pamjaftueshëm të serotoninës – hormoni përgjegjës për menaxhimin e humorit – ose prodhimin e tepruar të melatoninës, që rrit përgjumjen gjatë sezonit në të cilin shfaqet çrregullimi.

Megjithatë, “ekzistenca e SAD pranohet shumë më tepër nga popullata e përgjithshme, e cila identifikohet me simptomat e saj, sesa nga profesionistët e mjekësisë”, deklaroi Rosenthal në vitin 2014. Në vitin 2016, një artikull i diskutueshëm i botuar në revistën “Clinical Psychological Science”, ndezi një debat të fortë mbi këtë çështje.

Stiven Lobelo, profesor psikologjie në Universitetin Obwrn në Montgomeri, Alabama, kishte nevojë për një ide mbi tezën e diplomimit të njërës prej studenteve të tij, Megan Trafansted. Në Shtetet e Bashkuara, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), mbledhin rregullisht të dhëna të sjelljes mbi popullatën civile nëpërmjet anketave telefonike.

Lobelo kishte kryer një studim bazuar tek këto të dhëna, të mbledhura duke përdorur shkallën e depresionit Phq-8, një pyetësor diagnostikues për matjen e depresionit.

“Unë mendoja se kishim një sasi të paparë të dhënash për të dokumentuar efektin e variacioneve sezonale në depresion. Por analiza e informacionit të mbledhur nëpërmjet pyetësorit, nuk tregoi asnjë lidhje midis niveleve të luhatshme të depresionit dhe variacioneve sezonale, ndryshimeve në gjerësinë gjeografike ose ekspozimit ndaj dritës së Diellit”, theksoi ai.

Asnjë kontroll i mëtejshëm metodologjik nuk arriti të zbulojë pse rezultatet e tyre ishin kaq të ndryshme nga ato që dolën në studimet e kryera më herët nga studiues të tjerë.

Në vitin 2019, i njëjti grup studiuesish përfundoi një studim tjetër, i cili sërish nuk gjeti asnjë lidhje midis tendencës së simptomave depresive dhe sezonalitetit. Prandaj, Lobelo argumenton se fenomeni i depresionit sezonal, mund të jetë një konstrukt psikologjik popullor i nxitur vazhdimisht nga interesat e medias.

Por puna e tij është pritur edhe me kritika, njëra prej të cilave bazohet në faktin se Phq-8 nuk na lejon të kapim të gjitha sindromat e ndryshme që përbëjnë spektrin e gjerë të depresionit. Ai nuk është në gjendje të zbulojë disa simptoma karakteristike të SAD, si rritja e dëshirës për karbohidrate apo gjumi i tepërt, dhe për këtë arsye mund të mos jetë i përshtatshëm për të hetuar këtë çrregullim sezonal.

Kethrin Reklein, profesoreshë e asociuar e psikologjisë në Universitetin e Pitsburgut, beson se studimi i Lobelos nuk arriti të gjente ndonjë lidhje midis depresionit dhe sezonalitetit sepse “nuk ishte krijuar për të identifikuar praninë e një nëngrupi pacientësh që përjetuan këtë çrregullim sezonal”.

Zbulimi i luhatjeve sezonale tek simptomat e depresionit tek njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim mund të jetë i dobishëm, për t’u thelluar mbi faktorët nxitës dhe për të kuptuar nëse shkaku mund të gjurmohet tek një ngjarje veçanërisht stresuese apo ndryshimi i sezonit.

Megjithatë, nuk është e sigurt nëse SAD do të zgjasë përgjithmonë. Sipas një hipoteze, ekspozimi i zgjatur ndaj dritës gjatë natës mund të ndryshojë ritmet tona cirkadiane. Njerëzit e kanë përdorur dritën artificiale prej rreth një shekull. Ndaj Reklein thotë se mund të mos kenë qenë një kohë e mjaftueshme që ne të përshtatemi.

Ndoshta pas disa mijëra vjetësh, evolucioni do të na ketë lejuar të përshtatemi me këtë normalitet “të ri” dhe fenomeni i depresionit sezonal, një dukuri reale apo e imagjinuar, do të jetë bërë një gjë që i përket së kaluarës.

Burimi: Wired/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë