Ne rrjet

‘A e shihni avionin, kaloni poshtë’, komunikimi i kullës së kontrollit me pilotët. Çfarë ndodhi në aksidentin ajror në SHBA dhe hipotezat

Gabim njerëzor apo teknik, hidhen hipotezat e para mbi shkaqet e tragjedisë. Helikopteri ushtarak ishte në stërvitje. Pista e uljes së avionit është ndryshuar në momentin e fundit. Avioni u nda në dy pjesë dhe u rrëzua në lumin Potomac. Helikopteri u gjet nën ujë jo shumë larg

Gazeta Si – Dy herë kulla e kontrollit paralajmëroi helikopterin ushtarak: “A e shihni CRJ?”. Pastaj përsëri: “Pat 25, kaloni poshtë CRJ”.

Disa sekonda më vonë, përplasja ndodhi midis helikopterit “Blackhawk”, i cili kishte tre ushtarë në bord për stërvitje rutinë dhe një aeroplani të kompanisë “American Airlines Bombardier CRJ-701”, i cili  vinte nga Wichita, Kansas, i cili po ulej në aeroportin “Reagan” në Uashington me 60 pasagjerë dhe një ekuipazh prej katër personash.

Shpërthimi u pa mbi kryeqytet pak para orës 21:00 të së mërkurës në mbrëmje. Ndodhi në hapësirën ajrore më të kontrolluar dhe më të monitoruar në Amerikë, pesë kilometra larg Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit.

Hipotezat fillestare flasin për gabim njerëzor apo dështim teknik, por FBI-ja ka përjashtuar mundësinë e terrorizmit.

Sipas të dhënave nga transponderi i avionit, ai ishte në rreth 400 këmbë (120 metra) lartësi dhe me një shpejtësi prej 140 miljesh në orë (225 km/h) pak para përplasjes.

Regjistrimet audio nga kulla e kontrollit tregojnë se pilotët e “American Eagle 5342” kishin pranuar një ndryshim të pistës, duke zgjedhur atë më të shkurtër 33.

Megjithatë, gjurmimi i radarit tregon se avioni duhej të ndryshonte kursin e afrimit, një detaj që mund të ketë kontribuar në tragjedi.

Më pak se 30 sekonda para përplasjes, një kontrollor i trafikut ajror e pyeti helikopterin nëse e kishte aeroplanin në hyrje, më pas transmetoi një mesazh të dytë: “Pat 25 kaloni poshtë CRJ”. Disa sekonda më vonë, dy avionët u përplasën.

Për dy orë, helikopterët e shpëtimit fluturuan mbi lumë në errësirë ​​në kërkim të të mbijetuarve, dritat e gjashtë gomoneve që kërkonin ujërat ishin të dukshme nga “Uashington Sailing Marina”, në jug të aeroportit, ku gazetarët dhe kureshtarët ishin mbledhur në mbrëmjen e ftohtë.

Avioni u nda në dysh dhe ra nga një lartësi mbi njëqind metra në lumin Potomac pjesërisht të ngrirë, me bishtin që dilte pak nga uji.

Helikopteri aty pranë ishte nën ujë me kokë poshtë. Tetëmbëdhjetë trupa janë gjetur, sipas “Fox Neës”; por asnjë konfirmim nuk doli nga konferenca për shtyp mbrëmë. Kur u pyet nëse kishte të mbijetuar, drejtuesi i ekipeve të kërkim-shpëtimit, u përgjigj: “Nuk e dimë”.

Një ligjvënës i Kansasit u tha gazetarëve se është e trishtueshme kur më shumë se 60 njerëz humbasin jetën në të njëjtën kohë.

Është e paqartë se çfarë shkoi keq: kulla e kontrollit i kishte kërkuar aeroplanit të ulej në pistën 33, fillimisht dukej se helikopteri nuk i ishte përgjigjur paralajmërimeve të kullës, por sipas “Fox News”, ai u përgjigj në një frekuencë tjetër.

I njëjti stacion televiziv sugjeroi se vetë aeroporti është ndoshta i mbipërdorur, duke qenë më qendror dhe i përdorur nga shumë anëtarë të Kongresit, si dhe nga publiku i gjerë.

Shefi i ri i Pentagonit, Pete Hegseth shkroi në mediat sociale se hetimet u hapën “menjëherë” nga ushtria dhe Departamenti i Mbrojtjes.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë