Futboll

A e ndaluan rusët flamurin shqiptar? Zviceranët s’dinë gjë

Brazili fitoi jo pa vështirësi ndaj Kosta Rikës në ndeshjen e dytë të fazës në grupe, duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve. Coutinho dhe Neymar në sekondat e fundit të takimit i dhanë tri pikët brazilianëve, që shohin të qetë nga divani përplasjen mes Zvicrës dhe Serbisë në mbrëmje.

Zvicra barazoi 1-1 në ndeshjen hapëse ndaj amerikano-jugorëve dhe në fushë ishin hedhur plot katër lojtarë me origjinë shqiptare. Pikërisht “nuancat” shqiptare të zviceranëve kanë nxitur një debat që nuk ka lidhje fort me futbollin.

Serbët e mbajnë mend shumë mirë atë ndeshje të 14 tetorit të 2014, kur në Beograd fluturoi një dron me portretin e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit dhe mbishkrimin “Autoktonë” dhe hartën e trojeve shqiptare dhe nisur nga kjo, në mediat vendase ka qarkulluar këto ditë një lajm i pazakontë.

Sipas mediave online në Beograd, Rusia i kishte kërkuar Federatës Zvicerane të Futbollit që të ndalojë tifozët e saj që në stadium këtë të premte të hyjnë me flamurin kombëtar shqiptar, apo atë të Kosovës. Lajmi e interpretonte këtë vendim të Rusisë si “respekt” ndaj serbëve dhe u përhap me aq shpejtësi sa mbërriti tek vetë zyrat e federatës helvete.

“Nuk ja kemi idenë se çfarë është shkruar për flamujt, por as FIFA dhe as Rusia nuk kanë kërkuar një gjë të tillë”, deklaroi federata zvicerane e futbollit.

Zvicra me Serbinë do të përplasen në mbrëmje në Kaliningrad në ndeshjen vendimtare sa i takon kualifikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë