“Ligji i jetës, kush bën keq do të gjej keq. Po tani, faji i kujt është bir k*rve?! Zoti është perfekt”. Shpërthimi i mesfushorit Arsitoteles, pas humbjes në derbi, tregon se skuadra ka mbetur pa busull. Lojtarë të pakënaqur, gjoba, pjesëtarë të stafit që konfliktohen dhe në fund rezultatet, që janë larg pritshmërisë. Nëse grinta, ashpërsia dhe dëshira për të mposhtur ‘kundërshtarët’’ në ambientet e skuadrës , do të shfaqej në ndeshjet zyrtare, Partizani sot do ishte në vend të parë me pikë të plota.

Statistikat e këtij sezoni janë të një ekipi modest, me një buxhet të vogël, jo të një ekipi i cili pasi fitoi kampionatin dhe Superkupën e Shqipërisë, e sheh vetën 9 pikë nga vendi i parë : vetëm 32-25, përbën një golavarazh shqetësues, po ti shtojmë këtu edhe 8 humbjet e pësuara. Në futboll ekziston edhe një traditë e pashkruar, që nëse një ekip dështon në misionin për të fituar kampionatin, ka edhe një shans të fundit: Kupën. Shans i djegur për Demat e kuq, pasi u eliminuan në mënyrë të turpshme nga ekipi i Kategorisë së Parë, Besëlidhja.
Kriza filloi kur Skënder Gega nuk u konfirmua më trajner. Klubi lëshoi një njoftim zyrtar ku shpjegonte se ai u largua për arsye personale e cila ra si rrufe në qiell të hapur për tifozët, të cilët ishin ende të dehur nga suksesi. U përfolën shumë arsye që sollën këtë vendim, por asgjë nuk kishte rëndësi, sepse Partizani kishe vendosur të ndryshonte fytyrë. Pas një periudhe reflektimi dhe kërkimesh, ku në skenë doli edhe emri i të mirënjohurit Zeman, drejtimin e të kuqve do ta merrte një italian thuajse i panjohur… France Lerda. Me një CV jo dhe aq mbresëlënëse, ai do të kishte detyrën e vështirë të udhëhiqte të kuqtë në Evropë.

“Sfida e parë është në shortin e Champions Ligës. Për Gegën urova të jetë si Venger po nuk mendova titullin. E fituam titullin dhe jam i mendimit që një projekt të jetë i gjatë dhe idetë e trajnerit të jenë pjesë e futbollistëve në mënyrë të vazhdueshme. Zgjidhja ime është e tillë, pasi kërkoj të fus frymë Europiane në skuadër. Dua diçka më tepër.”, do të shprehej Olsi Rama, drejtori teknik i Partizanit, gjatë prezantimit të trajnerit , Franco Lerda.
Por Lerda tha një fjali që në mënyrë të pavullnetshme zbuloi arsyen e vërtetë se ai u zgjodh sepse nuk do të kundërshtonte Ramën “Merkato? Nuk kam asnjë emër, unë flas me Olsi Ramën. Di që kemi disa lojtarë që pritet të vijnë, kam besim tek ai. Nuk kam bërë asnjë kërkesë për ndonjë lojtar të veçantë”-tha ai.
Lerda përveç se që ka mbaruar Koverçanon me nota shembullore dhe se kishte konsideratë për Shqipërinë dhe dëshirë për të bërë më të mirën në karrierë, nuk paska as pretendime për merkaton as për lojtarët. Një fat i madh për Partizanin, sepse është e rrallë të gjesh një trajner që i beson verbërisht drejtorit teknik.

Siç ndodh shpesh në të tilla raste, ku largohet trajneri largohen edhe një pjesë e mirë e lojtarëve. Filloi eksodi, ku largohen Mensah, Dilaver Duka dhe Ardit Hila, Atanda dhe Ibrahimi, dhe portieri Dashamir Xhika. Nga ana tjetër, Franco Lerda aprovoi afrimet e Joseph Ekuban (huazim nga Verona), Theophilus Solomon (nga Ujpest në Hungari), Brian Brown (nga ekipi i kategorisë së dytë amerikane, Reno), Deian Boldor (huazim nga Verona), William Cordeiro (nga Kukësi), Rron Broja (nga Shkupi), Aristoteles Romero (huazim nga Crotone), Eneo Bitri (nga Kamza), Amir Bilali (nga Shkupi), portieri Aldo Teqja (nga Skënderbeu).

Ajo që duhet të ishte merkato europiane, rezultoi një dështim i jashtëzakonshëm, pasi Partizani u eliminua nga aventura në Evropë fillimisht nga Qarabag dhe pastaj nga Sheriff. Ka qetësi para furtunës, por vështirë të ketë pas saj. Eliminimi nga Evropa u pasua nga ndodhi aspak normale tek Partizani. Konfliktet e italianit fillimisht me dy prej ndihmësve të tij, Dritan Mehmetin dhe Corado Sakonen, ku kulmi arriti ku i përzuri nga stërvitja. Asani në stol, konfliktet me Trashin gjithashtu, e përkeqësuan gjendjen edhe më shumë. Insistimi për të luajtur me një mënyrë që të kuqve nuk i përshtatej, ndryshimi i vazhdueshëm taktik, madje edhe në derbi që u humb u kthye në 3-5-2, sollën shkarkimin e Italianit. Ndonëse u kërkua, prezantua dhe u mbështet nga drejtori teknik, ka qenë presidenti Demi, ai që ka marrë vendimin për të ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin italian. Ka qenë po presidenti, i cili vuri veton për rikthimin e Sormanit. Ndonëse filozofia ndryshoi, merkato e janarit po rezulton një dështim. U larguan Ekuban dhe Jasir Asani, ndërsa do të afrohej Dorian Kërçiku (i ‘’rrëmbyer’’ natën nga Bylisi) dhe Tedi Cara (nga Besa ), duke mos harruar pezullimet e Aristotelios dhe titullarit të sezonit të kaluar, Esat Mala për gati 3 muaj sepse “nuk rinovoi kontratën”.

Duke analizuar të gjitha detajet, ndodhitë apo edhe konfliktet, plaga e derbit ishte vetëm rezultat i vendimeve të gabuara, konflikteve dhe një vetë protagonizmi të tepruar. Olsi Rama e gjen fajin te arbitrat, por frymën grupit nuk e larguan ata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




