Filma

A e ka rritur numrin e vetëvrasjeve ky film i Netflix?

Në serialin e Netflix “13 Reasons Why”, 17-vjeçarja Hannah vret veten, në një skenë që e tregon qartë vetëvrasjen e saj. Pas daljes së serialit, kërkuesit shkencorë rritën shqetësimin rreth mundësisë se mund të çonte në një epidemi vetëvrasjesh, ku përshkrimi eksplicit i vetë-gjymtimit mund t’i çojë njerëzit të kopjojnë metodën.

Tashmë, një studim i normave të vetëvrasjeve mes fëmijëve në Amerikë të moshës 10 deri 17 vjeç, ka zbuluar një rritje prej 28.9 përqind në prill të 2017-s, një muaj pas daljes së serialit. Kjo statistikë ndjek modelet e epidemisë së vetëvrasjes, që ishte më e forta në javët e para, pasi u bënë publike historitë. Por nuk është kaq e thjeshtë.

Jeffrey Bridge, në Spitalin e Fëmijëve të Ohios dhe kolegët e tij, analizuan të dhënat nga qendrat amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve rreth vetëvrasjeve në Amerikë gjatë periudhës 2013-2017. Ata zbuluan një ngritje në prill të 2017-s, krahasuar me muajt para dhe një rritje totale në 8 muajt e ardhshëm, krahasuar me një vit më herët.

Kjo rritje ishte domethënëse statistikisht tek djemtë nën moshën 18 vjeç, por jo tek vajzat apo tek të rriturit. "Nuk ka kuptim që djemtë të ishin të vetmit që shfaqnin këtë efekt", thotë Daniel Romer nga Universiteti i Pensilvanisë, duke qenë se seriali sillet rreth një vajze të re. “Nuk është e qartë se kjo do të nxiste një fenomen epidemik për vetëvrasjet tek meshkujt.”

"Vajzat kanë më shumë gjasa të tentojnë vetëvrasjen sesa të vetëvriten", thotë John Draper, drejtor i Linjës kombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjes në Nju Jork, kështu që nëse seriali do të kishte efekt tek vajzat, nuk do të ishte e dukshme tek të dhënat që po studionte ekipit.

Bridge dhe ekipi nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Një tjetër studim ende i papublikuar nga Steven Stack dhe kolegët e tij në Universitetin shtetëror Wayne në Miçigan, e hodhën vëmendjen tek seriali në Twitter dhe analizuan normat e vetëvrasjes tek amerikanët në prill dhe maj 2017, muajt me më shumë postime.

Për djemtë e moshës 10 deri 19 vjeç, ata zbuluan një rritje në normat e vetëvrasjes me 12.4 përqind, ndërsa tek vajzat panë një kapërcim prej 21.7 përqind, krahasuar me muajt e mëparshëm. "Kjo është më shumë në një linjë me periudhën kohore në të cilën epidemia e vetëvrasjes nisi dhe reflekton ndarjen gjinore të pritshme, për një serial me një protagoniste femër", thotë Stack.

Romer gjithashtu studioi ndikimin e serialit, duke vëzhguar 729 njerëz nga mosha 18 deri 29 vjeç, përpara transmetimit të sezonit të dytë, për të parë cenueshmërinë e tyre ndaj rrezikut të vetë-gjymtimit, duke i ndjekur edhe një muaj pasi doli seriali. Ai zbuloi se njerëzit që ndalën së shikuari në mes të sezonit, shfaqën rrezik më të lartë vetëvrasjeje dhe më pak optimizëm, sesa ata që panë episodin final.

Por ai gjithashtu zbuloi se ata që përfunduan serialin, raportuan nivele më të ulëta të ideimit të vetëvrasjes dhe vetë-gjymtimit, sesa njerëzit që nuk e kishin parë serialin. "Kjo mund të ishte për shkak se portretizonte shokun e protagonistes që përballej me sfidat e jetës," thotë Romer.

Ajo që e ndërlikon këtë analizë është rritja e përgjithshme në normat e vetëvrasjes, me afro 10 përqind, mes 15 deri 24-vjeçarëve, gjatë 2017-s. Efektet sezonale mund të kenë gjithashtu ndikim; studimet kanë treguar se normat e vetëvrasjeve kulmojnë në pranverë, megjithëse arsyet për këtë nuk janë të qarta.

Nuk duhet të jetë kështu. Draper thotë se për çdo njeri që vdes nga vetëvrasja janë 280 të tjerë që mendojnë seriozisht rreth saj, por nuk e vrasin veten. Raporti që shohim në ekran nuk reflekton atë realitet. “Duhet ta përmbysim skenarin”, thotë ai. “Ka fakte që tregojnë se nëse u shfaq njerëzve si të përballen me këtë moment, çon në reduktim të normave të vetëvrasjes.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë