Analize

A e ka braktisur Amerika Ballkanin Perëndimor?

Në kryeqytetin e Kosovës ndodhet një statuje e madhe bronzi e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, e vendosur në një bulevard që mban gjithashtu emrin e tij. Nëse bën një shëtitje në Prishtinë, eshtë e pamundur mos të vësh re se një nga çdo 10 adoleshentë vesh një bluzë ose xhinse me flamurin e SHBA-së, sepse  Kosova është kombi më pro-amerikan në botë.

Pas fitores së Trump, shumë njerëz kanë komentuar se ëndrra e Serbisë u bë realitet dhe se Presidenti i dyzetëepestë amerikan ishte në anën e tyre për t’ia rikthyer Kosovën sërish Serbisë. Shteti i vogël ballkanik tashmë është bërë një terren testimi për mënyrën se si forcat e nxitura nga fitorja e Trump do të luajnë në skenën ndërkombëtare. Kosova qëndron në Ballkan në mes të katër fqinjëve më të mëdhenj, ende nuk ka një ushtri dhe prandaj është e pafuqishme pa garancitë ushtarake të Amerikës, nga e cila Trump ka kërcënuar se do të tërhiqet.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka fituar njohjen nga rreth 113 vende. Rusia dhe Kina, megjithatë, janë midis vendeve që kanë kundërshtuar, duke mbështetur pretendimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit shqiptar. Në një bisedë të shkurtër me Trump para inaugurimit të tij, ambasadori i Kosovës në Uashington i tha presidentit se Prishtina do të përfaqësonte "kombin më pro-amerikan në tokës. Por me ardhjen e epokës "Amerika e Para" nuk është e qartë nëse Kosova dhe Ballkani do të jetë një prioritet.

Statuja e Bill Clinton, Prishtine

Në Kosovën e veriut, banorët e të cilëve janë kryesisht serbë, fitorja e Trump u prit me festime dhe provokime të ashpra. Në Mitrovicë, qyteti verior i ndarë mes serbëve etnikë dhe shqiptarëve, rrugët janë zbukuruar me pankartat e Trump, për të treguaar me krenari se "serbët qëndronin pranë tij gjatë gjithë kohës!"

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit nga ardhja në pushtet e Presidentit Trump deri më tani, fati i Kosovës ka marrë pak vëmendje nga administrate e re amerikane.

James Mattis, Sekretari amerikan i Mbrojtjes përsëriti angazhimin e SHBA ndaj Kosovës, duke e quajtur "një shembull se çfarë ndodh kur bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga Amerika, angazhohet për mbrojtjen e interesave dhe vlerave të saj.

Por tanimë marrëdhëniet e Amerikës dhe bashkësisë ndërkombëtare, sidomos me Europën janë në pikën më të ulët në dekada, duke rrezikuar që Kosova dhe Ballkani të “kthehen në ushqim për ujqërit”.

Vendimi i vetëm i Presidentit Trump mbi Ballkanin

Hera e parë dhe vetme kur Presidenti Trump mori që vendim që lidhej me Ballkanin Perëndimor ishte kur vendosi të zgjeronte sanksionet ndaj personave që kërcënonin stabilitetin e rajonit.

Në qershor të vitit të kaluar Shtëpia e Bardhë ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të zgjeruar sanksionet mbi Ballkanin Perëndimor, të imponuara së pari nga ish-presidenti Bush në vitin 2001, për të mbrojtur sigurinë kombëtare të SHBA-së.

"Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara," tha Shtëpia e Bardhë, duke njoftuar vendimin e presidentit.

"Unë do ta vazhdoj edhe për një vit emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor," shkruante dokumenti i nënshkruar nga Presidenti i amerikan.

Ish-presidenti Bush vendosi sanksionet si një përgjigje ndaj "dhunës ekstremiste" në Maqedoni dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe veprimet që pengojnë zbatimin e Marrëveshjeve të Dejtonit në Bosnjë. Me nënshkrimin e tij, Trump zgjeroi edhe sanksionet ndaj ish-presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, të vendosura  fillimisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Presidenti vendosi sanksione ndaj Dodikut për pengimin e Marrëveshjeve të Paqes të Dejtonit, duke mbajtur një referendum të paligjshëm.

"Milorad Dodik ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Herzegovinës, ka shkelur sundimin e ligjit dhe paraqet një rrezik të madh për të penguar zbatimin e marrëveshjeve të Dejtonit", tha në janar ambasadori i SHBA-së, Une Maureen Cormack.

Kjo është hera e parë që Presidenti Trump mori një vendim për Ballkanin.

“Më miq si Trump, kush ka nevojë për armiq”

"Bota është në kthyet përmbys," deklaroi të mërkurën kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Por për evropianët, problemi është bërë më akut nga fakti se kriza është krijuar kryesisht nga aleati më i afërt historik, Shtetet e Bashkuara.

Të mbledhur se bashku për samitin e Ballkanit Perëndimor në Sofje, krerët e BE-së kaluan disa orë gjatë darkës duke diskutuar se si të mbrojnë interesat e BE-së, pas dy vendimeve të fundit të Presidentit amerikan: tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe sanksionimi i kompanive evropiane që bëjnë biznes me Teheranin, si dhe kërcënimet për të vendosjen e tarifave të çelikut dhe aluminit, duke filluar nga 1 qershori.

"Me miq të tillë, kush ka nevojë për armiq?", u shpreh Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, pak para takimit me krerët e kombeve ballkanike, duke përmbledhur me një fjali, gjendjen shpirtërore të udhëheqësve të BE-së.

"Evropa duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur aleancën transatlantike, pavarësisht gjendjes ku ndodhemi sot, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të përgatitur edhe për skenarin se një ditë do të na duhet të veprojmë të vetëm", shtoi ai.

Sipas një burimi, krerët europianë ranë dakord të "vazhdojnë luftën për ruajtjen e rendit ndërkombëtar, pavarësisht vendimeve të fundit mbi ndryshimet klimatike, tarifat dhe Iranin". Madje BE do të vazhdojë të mbështesë marrëveshjen e Iranit për aq kohë sa Irani të respektojë marrëveshjen, por do të shohë me kujdes shqetësimet e SHBA-së lidhur me rolin e Iranit në krizën e Lindjes së Mesme dhe programin e raketave balistike.

Për të mbrojtur kompanitë evropiane nga sanksionet amerikane, ata ranë dakord të modernizojnë statusin bllokues, një rregullore e vitit 1996 që i pengon kompanitë të njohin disa vendime të juridiksioneve jashtë BE-së. Udhëheqësit e BE gjithashtu parashtruan strategjinë për mosmarrëveshjen tregtare me Amerikën.

Sipas burimeve, ata riafirmuan se nuk do të negociojnë nëse Uashingtoni “u vendos armën prapa kokës” por thanë se janë të gatshëm të bisedojnë me SHBA-në pasi të vendosin për përjashtimin e përhershëm të tarifave për vendet e Bashkimit Evropian.

Udhëheqësit evropianë thanë se do të jenë të gatshëm të punojnë me SHBA-në edhe për të reformuar Organizatën Botërore të Tregtisë në mënyrë që të adresojnë shqetësimet e Presidentit Trump rreth praktikave tregtare kineze. Ata gjithashtu u hapën derën diskutimeve mbi marrëdhëniet e energjisë me SHBA-në, në veçanti për gazin natyral të lëngshëm, të cilin SHBA-ja dëshiron të shesë në Evropë.

Samiti i Sofjes

"Shumica e udhëheqësve evropianë mendojnë të njëjtën gjë si Tusk, por nuk e thonë me zë të lartë", tha një zyrtar i BE për “EUobserver”, duke vënë në dukje se blloku donte të shmangte një konfrontim të drejtpërdrejtë me aleatët kryesorë.

Javën e kaluar, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se kontinenti europian nuk duhet të ndalonte së shpresuari e Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithnjë aty për të na mbrojtur. Ajo këmbënguli madje se Evropa duhet ta marrë frenat e fatin e saj.

“Por askush në Evropë nuk gjetur ende një strategji për ta bërë këtë-  vuri në dukje një diplomat i lartë i BE-së- Nuk ka asnjë mundësi për të pasur një vizion të qartë të marrëdhënieve BE-SHBA për aq kohë sa Trump është në pushtet”.

Evropianët kanë humbur garancinë se Trump do të aktivizojë nenin e pestë, klauzolën e NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë dhe për pasojë po përqëndrohen më shumë në politikat e sigurisë së BE-së.

Por pas fillimit të samitit të Sofjes, shumë udhëheqës duket se filluan të pyesinin veten nëse lëshimet e bëra nga udhëheqësit evropianë në lidhje me tregtinë, rrezikonin të shiheshin si një dobësi në sytë Amerikës.

Burimet: "Foreing Politics", "Euobserver", "Politico"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë