Analize

A duhet të “sakrifikojmë” natyrën për të fuqizuar energjinë?

Me siguri ju ka qëlluar të shëtisni buzë lumenjve, larg dorës së njeriut por shumë afër forcës së pashterueshme të natyrës. Epo, gjërat mund të ndryshojnë, pasi Shqipëria është përfshirë në rrjedhën e një "cunami" të madh digash dhe hidrocentralesh që pritet të ndërtohen në të gjithë lumenjtë e egër të vendit. Planet e qeverive ballkanike kanë alarmuar organizatat kombëtare e ndërkombëtare, pasi shumë prej lumenjve të paprekur të Evropë ndodhen pikërisht në këtë rajon, i cili ka rreth 40% të kërmijve dhe midhjeve të kontinentit, plus 69 lloje peshqish endemike, mes të cilëve edhe salmonin e Danubit.

Ndërtimi i këtij rrjeti të madh energjik nëpër të gjithë Ballkanin Perëndimor ishte një nga pikat kryesore të Samitit të Sofjes, i mbajtur nën kujdesin e presidencës bullgare. Sipas një hulumtimi nga Komisioni Evropian vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillojnë sistemet e tyre energjetike pa marrë parasysh potencialin e lidhjeve ndërkufitare, të cilat mund të çojnë në uljen e numrit të hidrocentraleve që janë planifikuar. Duke “sakrifikuar” natyrën për të rritur investimet ekonomike,  pothuajse të gjithë  kombet ballkanike po luajnë një lojë që janë të destinuara ta humbasin.

Vetëm mbi lumin Vjosa, një nga mrekullitë e natyrës mesdhetare janë planifikuar 33 projekte hidroelektrike.

Hulumtimet e “Bankwatch” tregojnë se dëshira e vendeve të Ballkanit për t'u bërë eksportues të fortë të energjisë elektrike krijon rrezikun për bllokimin e të gjithë potencialit dhe pasurive kombëtare. Ky besim i vjetëruar se çdo kilovat energjie e gjeneruar do të gjejë automatikisht treg, ka ccuar drejt planeve të paqëndrueshme të energjisë, duke përfshirë planet për të ndërtuar mijëra hidrocentrale në rajon relativisht të vogël por edhe duke rrezikuar një tjetër aset të rëndësishëm të Ballkanit: lumenjtë.

Rajoni është një nga pikat kryesore të biodiversitetit të ujërave të ëmbla në botë dhe posedon me qindra kilometra ujra të pastra që strehojnë disa nga speciet më të rralla të peshkut në Evropë. Duke parandjerë katastrofën natyrore, një sërë komunitetesh dhe organizatash të shoqërisë civile, po i kundërvihen planeve të hidrocentraleve, të cilat nëse ndërtohen, do të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme kapitalin e konsiderueshëm natyror që përfaqësojnë lumenjtë e rajonit. Shpesh, projektet e paqëndrueshme infrastrukturore , të tilla si autostradat dhe tubacionet e gazit, shihen si prioritet për anëtarësimin në BE, në vend të përmirësimit, miratimit dhe zbatimit të legjislacionit mjedisor. Komisioni Evropian po harton një strategji rajonale për ndërtimin e hidrocentraleve të qëndrueshme, me qëllim që të frenoje zaptimin e resurseve natyrore. Ndërtimi i projekteve të paqëndrueshme do të ishte një goditje e rëndë, të cilën rajoni nuk do të mund ta përballonte, as financiarisht, as në aspektin e humbjes së burimeve të ujit, e cila do të sillte pasoja katastrofike për buqësinë dhe ekonominë. Për këto arsye, autoritetet ballkanike kanë nisur një fushatë, së bashku me organizatën e njohur “Patagonia”, për të nxjerrë jashtë loje një nga motorët kryesorë të cunamit të hidrocentraleve: paratë e disponueshme për këto projekte.

A duhet të fajësohen bankat?

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një nga agjencitë që financon projektet e reja hidroenergjetike në rajon. Sipas aktivistëve, bankat tregtare evropiane po mbështesin “edhe projektet më të këqija", shumë prej të cilave nuk do të përmbushnin standardet e impaktit mjedisor të kërkuara në vendet e tyre evropiane.

Ndërkohë sipas “Bankwatch”, bankat multilaterale të zhvillimit, duke përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Grupin e Bankës Botërore kanë mbështetur 82 hidrocentrale në të gjithë Evropën Juglindore me një fond prej 727 milion eurosh. Këto projekte përfshijnë 37 hidrocentrale në zonat e mbrojtura dhe pyje të njohura ndërkombëtarisht për vlerat lartë të biodiversitetit. Peticioni i fushatës së “Patagonia”, i cili tashmë ka mbledhur dhjetëra mijëra nënshkrues, synon që këto banka që shihen si lideret e institucioneve të tjera financiare, t’u kërkojnë këtyrë të fundit të udhëheqin rrugën për çlirimin e rajonit nga ky cunam hidrocentralesh. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor gjithashtu duhet të marrin përgjegjësi dhe të fillojnë reformimin e sektorëve energjetikë për të shkuar me shpejtësi drejt përdorimit më efikas të energjisë dhe një baze më të larmishme të energjisë të ripërtëritshme, në vend që të mbajnë përpara projekte të cilat kanë qenë në tavolinat e vendeve të tjera evropiane për dekada të tëra.

Ata gjithashtu duhet të përqëndrohen në rehabilitimin e hidrocentraleve të vjetra, dhe duke u siguruar që infrastrukura e re engjergjitike të jetë e planifikuar dhe ndërtuar në përputhje me ligjin. Rrjetet e paqëndrueshme energjitike janë një rrezik i vërtetë për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. BE-ja dhe bankat publike duhet të marrin pjesë në zgjidhjen e këtij prooblemi kompleks, pasi kanë përgjegjësinë kryesore për t’u siguruar që resurset natyrore Ballkanit të mos shkatërrohen më tej për hir të ambicjeve të përhumbura për prodhimin të energjisë.

Vjosa

3000 mijë diga?

Sipas një dokumentari të ri nga “Blue Heart” rreth 2800 diga të reja do të ndërtohen nga Sllovenia në Greqi, ndërkohë që Shqipëria konsiderohet si pika më e nxehtë, me 81 diga në ndërtim e sipër. "Blue Heart" dokumenton betejën për lumin më të madh në Evropë, Vjosën e Shqipërisë dhe përpjekjet e banorëve dhe aktivistëve për të ndalur qeverinë.

"Këto diga mund të shkatërrojnë lumin më të madh në Shqipëri dhe të vënë në rrezik salmonin e Danubit, të rrezikojnë mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit dhe të zhvendosin një sërë komunitetesh në të gjithë rajonin”, thotë një eskpert gjerman gjtatë dokumentarit.

Ballkani ka disa nga lumenjt më të pastër në Evropë, ndryshe nga  Evropa qendrore, ku bujqësia intensive dhe industrializimi kanë kërcënuar përrenjtë dhe lumenjtë që ku jetonin dikur mijëra specie. Ende nuk është bërë një vlerësim për pasojat e përgjithshme në mjedis, por ulja e nivele të lumit sipas aktivistëve, vret habitatet që varen nga ai dhe rrit rrezikun e përmbytjeve.

Shumë vende të Ballkanit gjithashtu po investojnë shumë në thëngjill dhe përmirësimin dhe zëvendësimin e centraleve ekzistuese, për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Klimës së Parisit për energjinë e rinovueshme. Shtetet ballkanike që  kërkojnë anëtarësimin në BE do të jenë gjithashtu nën presion të madhe nga Brukseli, pasi bllokun synon që deri në vitin 2030, më shumë se 27 përqind të energjisë të vijë nga burime të qëndrueshme. Lumenjtë e Ballkanit janë me vlerë të jashtëzakonshme brenda Evropës, por cunami i digave po kërcënon jo vetëm biodiversitetin por edhe komunitetet lokale.

HEC-et në Shqipëri

Ndërtimi i HEC-eve duket se po mjegullon të ardhmen e turizmit, prodhimin bujqësor dhe mbi të gjitha për natyrën e jashtëzakonshme të Veriut dhe Jugut të Shqipërisë.

Lumenjtë e Alpeve, Cemit, Vermoshit, Lëpushes, Shales, Gashit, Tropojës përbëjnë një aset të jashtëzakonshëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, por ndërkohë lumi i Valbonës më i madhi mes tyre po e humbet këtë natyralitet për shkak të HEC-eve që kanë nisur të ndërtohen.

Një studim i kohëve të fundit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor thotë se efektet e HEC-ve mund të jenë të dëmshme sepse mund të sjellin ndryshime të forta hidrologjike, limnologjike dhe biologjike. HEC-et e propozuara për t’u ndërtuar në lumin e Valbonës, janë rreth 11 dhe 8 prej të cilëve kanë marrë leje ndërtimi  përgjatë 25 km të luginës së Valbonës. Aktualisht një hidrocentral (4 MW) ka nisur ndërtimin e tij që nga viti 2013 me ritme shumë të ngadalta, ndërsa dy HEC-e të tjerë (27 MW) nisën këtë vit të ndërtohen (projekti në kaskadën e Dragobisë).

Ndërkohë pesë hidrocentrale të tjera po ndërtohen në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit në Kukës, duke tharë 3 komuna dhe mbi 20 fshatra. Kjo zonë është shpallur Park Kombëtar, me VKM Nr.898 datë 21.12.2011 dhe është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës shqiptare. Është zona turistike më e vizituar në rrethin e Kukësit, madje nga më të vizituarat në gjithë veriun pas luginës së Valbonës. Parku ka emrin Korab-Koritnik është i dyti që rrezikon të "gllabërohet" nga hidrocentralet, pasi edhe në Kanionin e Vanave në Kukës ka nisur "pushtimi".

Në prill të vitit të kalur, një grup prej 30 shkencëtarësh nga 4 shtete bënë studime edhe mbi lumin Vjosa në zonën e hidrocentralit të Poçemit.

Ata zbuluan në atë zonë 300 lloje gjallesash, mes të cilave edhe 2 lloje të panjohura gjallesash, një lloj të ri peshku dhe një insekt të vecantë, të cilit i vunë emrin e lumit Isoperla vjosae. Ata kërkuan një moratorium për të ndaluar planet për ndërtime digash mbi lumin Vjosa për të paktën 3 vjet, derisa të bëhet një studim i detajuar gjeologjik të shtratit dhe rrjedhës së këtij lumi si dhe biodiversitetit të tij.

Ky memorandum u nënshkrua nga disa qindra ekspertë ndërkombëtarë, studiuesit më të rëndësishëm e më të njohur të ekologjisë dhe lumenjve kudo në botë. Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve theksoi se Vjosa është një lumë me rëndësi mbarë europiane për sa i përket biodiversitetit.

Nëse hidrocentralet mbi Vjosë, i Poçemit dhe i Kalivaçit, do të ndërtoheshin siç janë planifikuar, shumë prej këtyre gjallesave do të zhduken si pasojë e ndryshimit radikal të kushteve biologjike.

Aktualisht, ai i Poçemit është bllokuar nga gjykata pas ankesës së banorëve dhe ai Kalivacit është ndaluar prej largimit të një investuesi aty. Megjithatë rreziku mbi Vjosën vazhdon të mbetet i lartë për shkak të një duzinë lejesh ndërtimi që janë dhënë në pothuaj gjithë shtratin dhe degëzimet e tij.

Burimet: "EuObserver", "The Guardian", "Spiegel Online", "Le Monde"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë