Infeksionet e frymëmarrjes si ftohja e zakonshme ose gripi mund të bëjnë “kërdinë” me zërin tone. Nisur nga kjo, a është e sigurt të këndojmë ndërkohë që jemi me grip?
Është thënë shpesh herë se një person që është me grip nuk duhet të këndojë, por sa e vërtetë është kjo?
Si ndikon të kënduarit në zë kur je i ftohur?
“Nëse keni një ftohje që prek sinuset ose një infeksion të fytit, zakonisht është në rregull të vazhdoni të këndoni”, thotë Declan Costello, laringolog i specializuar në trajtimin e çrregullimeve të zërit në Spitalin Ëexham Park në Britani.
Ai tregon se sinuset e bllokuara ose dhimbja e fytit nuk ndikojnë në aftësinë e të kënduarit.
“Hundët e bllokuara të japin ndjesinë sikur të ka ndryshuar zëri por tek publiku nuk është i njëjti përceptim”, thotë Costello.
Infeksionet e zakonshme virale, të tilla si ftohja ose gripi, ndonjëherë mund të çojnë në një gjendje të njohur si laringit, inflamacion i zërit, i cili shkakton fryrje të kordave vokale. Simptomat përfshijnë trashjen e zërit, dhimbje të fytit dhe kollë irrituese.
Këngëtarët në përgjithësi këshillohen të pushojnë zërin dhe të shmangin performancën kur vuajnë nga kjo.
“Ndër shenjat paralajmëruese që tregojnë se mund të keni laringit janë kryesisht lodhja vokale dhe nëse duhet shumë përpjekje për të kënduar ose folur”, thotë Deirde Michael, pedagoge në departamentin e otolaringologjisë në Universitetin e Minesotës.
Ajo thekson se laringiti nuk është gjithmonë i dhimbshëm dhe se këngëtarët nuk duhet të presin që të shfaqet dhimbja apo shqetësimi përpara se të zgjedhin të pushojnë zërin.
Këndimi gjatë kohës që vuani nga laringiti mund të shkaktojë dëmtim afatgjatë në zërin tuaj dhe, në disa raste, probleme serioze mjekësore. Këngëtarët profesionistë janë më të rrezikuarit, por ndoshta është diçka që edhe këngëtarët amatorë duhet ta shmangin.
“Nëse po përpiqeni të arrini nota të larta ndërsa vuani nga laringiti, muskujt tuaj po punojnë shumë më shumë sesa supozohet ose në një mënyrë shumë më të çekuilibruar”, thotë Michael.
Ajo thotë se është e rëndësishme të pini shumë ujë për të mbrojtur zërin.
Me laringit, shpesh është më mirë të pushoni zërin derisa gjendja juaj të përmirësohet.
Megjithatë, në disa raste të rralla, mund të nevojitet kirurgji.
“Kur njerëzit nuk u kushtojnë rëndësi simptomave, çmimi mund të jetë i lartë”.

Këngëtares britanike Adele iu desh të bënte një mikrokirurgji në folenë e zërit për të ndaluar gjakderdhjen nga një polip beninj, gjë që e detyroi atë të anulonte datat e turneut në 2011.
“Ky është një shqetësim për shumë këngëtarë, që nuk shkaktohet nga ftohjet apo infeksionet”, sipas Costello.
Pandemia e Covid-19, megjithatë, ka sjellë disa shqetësime të reja për ata që sigurojnë jetesën nga zëri i tyre. Këngëtarët që kanë vuajtur nga Covid-19 kanë raportuar ndryshime afatgjata në zërin e tyre për shkak të problemeve me frymëmarrjen, ose probleme me kordat vokale. Ndërsa ndoshta ndryshime të tilla në aftësinë vokale mund të mos kenë shumë ndikim tek njerëzit në përgjithësi, ato janë shqetësuese për këngëtarët profesionistë.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



